The news is by your side.

Sa fonde ka planifikuar qeveria për rrugët kombëtare gjatë vitit të ardhshëm?

Sipas Ministrisë së Financave, në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm 2020 janë planifikuar rreth 9.8 miliardë lekë ose 80 milionë euro si fonde për investime në akset rrugore kombëtare ose investime të tjera në transportin rrugor. Nga kjo rezulton se, viti i ardhshëm ndoshta do të jetë hera e parë kur fondet  nga koncesionarët privatë të rrugëve pritet do të tejkalojnë fondet e projektuara nga qeveria. Kështu koncensionarët me shumën 5.1 miliardë lekë të planifikuar për akset rrugore mbulojnë rreth 52% të investimeve publike të përgjithshme të 2020-ës. Pjesa tjetër prej 48% i kalon fondeve që do dalin nga arka e shtetit.

Projektet kryesore që pritet të vazhdojnë gjatë vitit të ardhshëm dhe do marrin pjesën më të madhe të investimeve janë 4 kontrata koncensionare me Parteneritet Publik- Privat për Rrugën e Arbrit dhe akset Milot- Morinë, Orikum- Dukat dhe Milot- Balldren. Por edhe këtu, pavarësisht planifikimeve asgjë nuk është e sigurt.

Deri tani për kontratat koncensionare është menduar një fond prej 5.1 miliardë lekësh, por rreth 75% të kësaj shume koncensionarët do e investojnë tek Rruga e Arbrit, duke bërë që pjesa e mbetur e fondeve të mos jetë e mjaftueshme për projektet e akseve të tjera. Në këto kushte, nuk dihet ku do të gjenden financimet shtesë që të investohet edhe tek të tjerat.

Nga ana tjetër, një fond prej 6.6 miliardë lekësh është siguruar nga donatorët, i planifikuar në investime infrastukturore të rrugëve kombëtare, por kjo shumë është ndarë për segmentin Qukës- Qafë Plloçë dhe dy bypass-et në Vlorë dhe Fier.

Përveç të mësipërmeve, qeveria po ashtu ka planifikuar në projekt buxhetin e vitit 2020 edhe një fond prej 4.7 miliardë lek, në kuadër të objektivave për të përmbushur gjatë 2020-ës ndërtimin e 10 projekteve rrugore me fonde të brendshme të buxhetit. Këtu pjesa më e madhe do shkojë për Unazën e Madhe të Tiranës dhe rrugën Kardhiq- Delvinë, ndërkohë që po shqytrohet edhe mundësia e një investimi në aksin Fushë Krujë- Milot- Morinë.

Megjithatë në një kohë kur objektivi i qeverisë është rreth 10 projekte investimesh në instrastrukturën rrugore gjatë vitit të ardhshëm, realiteti i deritanishëm ka treguar se ky ndoshta është një tjetër parashikim optimist, si ata që planifikohen në çdo sektor nga qeveria shqiptare. Kjo pasi, vetëm një ditë më parë, prezente në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi se projektet rrugore nuk do të arrijnë të mbyllen dot as gjatë vitit 2020.

Leave A Reply

Your email address will not be published.