The news is by your side.

Rusia paralajmëron Google për ndërhyrje në politikën e brendshme

Google është paralajmëruar nga Rregullatori Shtetëror i Komunikimit në Rusi për të ndaluar postimet “reklamuese” në YouTube përpara zgjedhjeve lokale në Moskë. Mbikqyrësi, i quajtur Roskomnadzor, tha në një letër drejtuar Google të dielën se gjigandi i kërkimit Google po nxit njoftime që cilësohen si  “ndërhyrje” në politikën e saj të brendshme.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Moskë gjatë fundjavës duke kërkuar zgjedhje të lira lokale dhe më shumë se 200 njerëz u arrestuan. Protestuesit janë mbledhur në Moskë për pesë fundjava me radhë duke kërkuar që autoritetet të lejojnë kandidatët e pavarur të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Edhe gjatë javëve të mëparshme protestat shënuan arrestime masive, me më shumë se 2,000 njerëz që policia është duke i ndjekur penalisht.

Ndërsa nuk është e qartë se cilave llogari ose kanale specifike iu referohej Roskomnadzor, disa llogari në YouTube transmetojnë protestat drejtpërdrejt. Kështu sipas autoritetit, nëse Google nuk ndërmerr veprime korrigjuese, do të duhet  t’i përgjigjet asaj që rusët e konsiderojnë si përpjekje për të penguar “zgjedhjet demokratike në Rusi”. Megjithatë ende nuk ka një koment zyrtar nga gjiganti i kërkimit Google referuar çështjes.

Edhe më herët Rusia ka ndërmarrë veprime kundër Google. Roskomnadzor ka gjobitur dy herë gjigantin e kërkimit gjatë vitit të kaluar për dështimin për të hequr lidhjet në faqet e internetit të ndaluara nga qeveria, megjithëse gjobat arritën në më pak se 20,000 dollarë në total.

Rusia prej kohësh përpiqet shumë për krijimin e një censure më të madhe të brendshme dhe aktivistët kanë frikë nga krijimi i një përqasjeje të stilit kinez për të censuruar përmbajtjen që kalon brenda dhe jashtë vendit. Në maj, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi në ligj me masa të reja që do të mundësonin krijimin e një interneti kombëtar që funksionon veçmas nga pjesa tjetër e botës. Në koncept, ligji i ri synon të mbrojë Rusinë nga kufizimet e huaja në internet duke krijuar atë që Kremlini e quan një internet lokal “të qëndrueshëm, të sigurt dhe plotësisht funksional “.

/ Burimi: CNN

Leave A Reply

Your email address will not be published.