The news is by your side.

Rritja e çmimit/ Pse Tirana paguan për një ujë që nuk pihet?

Çmimi i ujit mund të rritet sërish. 11 shoqëri të ujësjellës kanalizimeve kanë aplikuar për rritje tarifash pranë Entit Rregullator të Ujit, ndërkohë që priten edhe të tjera kompani të bëjnë të njëjtën gjë. Sipas kreut të ERRU-së në shumë qytete ka hapësira për rritje të çmimit të ujit në vend, nisur nga niveli i përballueshmërisë.

Nga janari i 2018-s, të gjithë banorët e Tiranës u tarifuan me 65 lekë për çdo m³ ujë që vjen në çezmat e tyre. Vendimi për të rritur çmimin me mbi 40% bashkë me dyfishimin e tarifës fikse mujore, u mor në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Nga kjo rritje , përveç familjarëve, u preken ndjeshëm edhe bizneset, të cilat nga 135 lekë/m³, do të duhet të paguajnë 190 lekë, me përjashtim të furrave të bukës, të cilat do të tariforen 130 lekë/m³ nga 95 lekë/m³ që ishin më parë.

Po ashtu rritje pësoi edhe tarifa fikse që vendoset në çdo faturë për ujit. Nga një tarifë fikse prej 100 lekësh, nga 1 janari  2018, çmimi i saj shkoi në 200 lekë në muaj. Ky ndryshim ishte për të gjitha kategoritë, duke përfshirë këtu abonentët familjarë, klientët publik, klientët privat, klientët e veçantë dhe furra e bukës.

Si arsye për këtë rritje, kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se ky vendim i hap rrugë projektit më të madh strategjik për kryeqytetin, që është furnizimi i pandërprerë me ujë brenda pesë viteve. Po ashtu nga ana tjetër, sipas Veliajt Tirana paguan ujin më të lirë nga të gjitha qytet e Shqipërisë, por kjo gjë nuk është e vërtetë, pasi ka shumë qytete që kanë ujë më të lirë se sa Tirana. (Tabela poshtë)

Por, përpos këtyre argumenteve që jep Bashkia e Tiranës për rritjen e ujit, ngelen shumë pyetje te papërgjigjura. Një ndër më të mëdhatë është fakti se si rritet çmimi për ujin e pijshëm në Tiranë kur ky ujë nuk pihet në shumicën e rasteve, pasi është i ndotur. Në Tiranë, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk e konsumojnë ujin e çezmës, por e blejnë atë, dhe çdo familje është e pajisur me depozitë për shkak të mosfurnizimit me ujë gjatë gjithë ditës. 

d

Po ashtu, ajo cka e bën shqetësuese këtë fenomen është fakti se nuk ka analiza të sakta për cilësinë e ujit në kryeqytet, duke i ekspozuar qytetarët jo vetëm kundrejt një abuzimi, por edhe përballë një rreziku për shëndetin.

Nga ana tjetër shpenzimet e një familje për ujë përllogaritet të kenë edhe kosto të tjera, të cilat rrisin shpenzimet  familjare për ujë. Një familje paguan për pompën e ujit 10 mijë lekë të reja plus mirëmbajtjen, vendosjen e depozitës së ujit, harxhon energji elektrike sa herë vendoset pompa e ujit. Nga ana tjetër, blen ujë me shishe për të pirë dhe për gatim.

Ndërkohë humbjet në rrjet do të duhet të reduktoheshin në 65% në vitin 2018 dhe në 40 për qind në vitin 2022. Përmirësim ka në nivelin e humbjeve, të cilat janë ulur me 2%, por, sërish mbeten të larta. Në çdo 100 litra ujë, 64.4 litra ujë humbasin, gjë e cila tregon se problemi qëndron kryesisht tek mosmenazhimi i situatës. Nëse këto humbjet do të rekuktoheshin ndjeshëm, nuk do të kishte nevojë për rritje çmimi të ujit

Bashkia duke mos qenë e aftë që ta menaxhojë këtë situatë dhe duke mos mundësuar furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë, ka lejuar edhe përdorimin e autobotëve të ujit të cilët tregtojnë ujë me një çmim më të ulët se ai që blihet në markete.

Por ky fenomen nge një tjetër shqetësim për qytetarët; a është i sigurt ai që shihet me autobote? Nga ana e tyre drejtuesit e këtyre autoboteve nuk japin asnjë shpjegim për cilësinë e ujit që shpërndajnë në lagjet e kryeqytetit.

Ndërkohë sipas ekspertëve e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, se uji që u shpërndahet konsumatorëve nuk është i sigurt, pasi nuk i janë bërë asnjëherë analizat për cilësinë e tij. Ata shprehen se drejtuesit e autobotëve duhet të tregojnë ku e mbushin ujin. Ndërsa konsumatorët thonë se e blejnë për shkak të çmimit tepër të ulët, i cili i detyron të mos pyesin për cilësinë.

Sipas këtij Autoritetit, autobotët kanë vetëm licencë për transport uji. Është pikërisht kjo pikë që ka krijuar edhe amulli tek institucionet, të cilat duhet të ndërhyjnë për të monitoruar apo dhe bllokuar këto autobote.

Si përfundim, duket se qytetarët e Tiranës paguajnë jo vetëm për një ujë që nuk vjen 24 orë, por gjithashtu për një ujë të cilin nuk e pinë, për shkak se nuk ka të dhëna mbi cilësinë e tij dhe se shpeshherë ka rezultuar i ndotur. Praktikisht, qytetarët e Tiranës do paguajnë për një rritje tjetër për ujin që përdorin vetëm për larje, ndërsa ujin e pijshëm do të duhet të vazhdojnë ta blejnë nga burime të tjera, duke i rritur kështu kostot për xhepat e tyre.

Leave A Reply

Your email address will not be published.