The news is by your side.

Rritet sektori bankar shqiptar- 1.49 trilionë lekë aktive, sa 92% e GDP-së

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditura të dhënat për sektorin bankar në vend dhe prej tyre rezulton se gjatë vitit të fundit sistemi bankar i është rikthyer rritjes, e cila po arrin pragun e 1.5 trilionë lekëve. Në fund të gushtit, totali i aktiveve në bankat e vendit arriti rreth 1.49 trilionë lekë ose 12.1 miliardë euro. Krahësuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky nivel rezulton në rreth 2% më shumë.

Shprehur në terma realë, aktivet e bankave llogariten sa 92% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe rritja e sektorit bankar aktualisht mbështetet nga zgjerimi i depozitave, si burimi kryesor i gjenerimit të mjeteve financiare për bankat.

Totali i depozitave në sistemin bankar shënoi një rritje vjetore me 2% deri në fund të muajit korrik. Sipas të dhënave po nga Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë raportuan mbi 1 trilion lekë depozita. Në krahasim me muajin korrik të vitit 2018 depozitat janë shtuar me 24 miliardë lekë, ndërsa në raport me muajin qershor 2019 janë shtuar me 5.6 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, këtu vihet re edhe një tendencë tjetër, pasi statistikat tregojnë se depozitat në valutë të huaj u rritën me 23.7 miliardë lekë në krahasim në vitin 2018. Këto shifra rritëse të depozitave në valutë të huaj janë treguesi i qartë se pavarësisht masave dhe përpjekjeve të shumta nga institucionet përkatëse,  politika e deuroizimit nuk dha efektet që priteshin. Pikërisht për këtë shkak, në një analizë të posaçme  Banka kërkoi gjithashtu që qeveria të merrte masa për përdorimin e valutës vendase në ekonominë reale, duke qënë se politikat e deritanishme nuk po japin efektin e dëshiruar.

Pavarësisht kësaj, së fundi sektori është rritur përsëri në nivele të larta, ama ai nuk ka pasur gjithmonë një ecuri të tillë pozitive. Gjatë viteve të krizës, rritja e sektorit bankar u ngadalësua dhe shumica e bankave reduktuan përmasat e aktivitetit të tyre në Shqipëri. Madje pikërisht këto vite mund të quhen edhe si një proces ristrukturimi për sistemin bankar, pas asaj periudhe bankat që nuk ishin më të interesuara për t’u rritur në tregun vendas, u shitën ndërsa ato që vazhduan të operojnë iu rikthyen rritjes.

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.