The news is by your side.

Rritet papunësia tek të diplomuarit e shkollës së lartë

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT viti 2018 rezultoi pozitiv për sa i përket shifrave të papunësisë, të cilat shënuan një rënie të ndjeshme. Nga 14.1% që rezultonte zyrtarisht papunësia në 2017, një vit më vonë ajo u reduktua në nivelin 12.8%. Megjithatë duket se tendenca ka pasur ecuri të kundërt me papunësinë e personave me arsim të lartë.

Kështu të dhënat e Institutit të Statistikave kanë bërë me dije se, për vitin 2018 shkalla e papunësisë për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë arriti në 14.2%, nga 13.8% që rezultonte më herët vitin e mëparshëm. Papunësia është rritur tek femrat e diplomuara (nga 13.9% në 15.8%), ndërsa ka rënë tek meshkujt (nga 13.7% në 12.1%).

Me sa duket, të kesh mbaruar arsimin e lartë në Shqipëri nuk do të thotë  domosdoshmërish, të kesh fatin e gjetjes së një pune. Në fakt, tendenca e mos gjetjes së një pune për të diplomuarit vjen edhe si pasojë e mënyrës se si ata përzgjedhin degët e shkollës së lartë. Duke përfunduar në degë që nuk i preferonin që në krye të herës, tregu ka prirjen të mbushet me njerëz jo produktivë dhe që ndoshta nuk e dëshirojnë vërtet atë që bëjnë.  Vitet e fundit madje rezulton edhe që të diplomuarit të mos shkojnë në njëjtën linjë me kërkesat e tregut të punës, duke bërë që mijëra të mbesin pa një të tillë, ose të punësohen në një aktivitet që nuk ka lidhje me arsimin e tyre. Si rrjedhim, jo të gjithë kanë mundësi të gjejnë një pozicion në profilin e vet. Kështu të mbetur pa punë, shumë prej të diplomuarve tentojnë të hapin vetë një sipërmarrje private, duke rritur peshën e vetëpunësimit te ky grup.

Përkundrazi, duket se  2018 ka qënë një vit i mbarë për ata  me arsim të ulët 8/9 vjeçar, ku shkalla e papunësisë për këtë kategori ra nga 12.9% në 10.6%. Edhe tek popullsia aktive e aftë dhe në moshë pune, që ka përfunduar vetëm arsimin e mesëm, u vu re një rënie nga 15.7% në 14.5%. Madje tek këto kategori, ndryshe nga të diplomuarit e shkollës së lartë, është interesante përqasja se edhe angazhimi në vetëpunësim paraqitet në nivele më të larta. Kështu ata janë më të guximshëm në hapjen e një aktiviteti privat, duke e siguruar vetë punën, kryesisht në njësi tregtimi me pakicë, apo  bar-restorante.

Në këtë kuadër, të dhënat e  INSTAT tregojnë se plot  43% e të punësuarve me arsim 8/9 vjeçar janë të vetëpunësuar dhe kjo peshë është shumë më e lartë në krahasim me të diplomuarit e arsimit të lartë, ku vetëm 13.5%  kanë zgjedhur të hapin një aktivitet privat. Madje edhe këtu mbizotërojnë meshkujt me 21.4%, ndërsa për femrat treguesi arrin në vetëm 7%. Gjithsesi,  pamundësia për të gjetur një punë i ka shtyrë dhe ata me universitet që t’i kthejnë sytë nga vetëpunësimi, i cili është rritur me gati 2% në 2018-ën.

Leave A Reply

Your email address will not be published.