The news is by your side.

Rritet kredia konsumatore/ të ardhurat e shqiptarëve të pamjaftueshme?

Kredia konsumatore u rrit me 8% gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë konsumatore dhënë nga sistemi financiar arriti në 47.4 miliardë lekë ose rreth 380 milionë euro.

Rritja më e lartë ka ardhur në segmentin e kredisë së mirëfilltë konsumatore, të akorduar për blerjen e mallrave jo të qëndrueshëm. Në fundin e vitit të kaluar, portofoli i kredisë bankare për këtë qëllim arriti në 27.8 miliardë lekë, me një rritje prej afro 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

http://www.scan-tv.com/wp-content/uploads/2019/03/GRAFIK.jpg
Burimi: Banka e Shqipërisë

Në rritje, por me ritëm më të ngadaltë është kredia për mallra të qëndrueshëm, që arriti në 19.6 miliardë lekë, 3.7% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2017. Kredia për blerjen e mallrave të qëndrueshëm i referohet kryesisht blerjeve në vlera të mëdha, siç mund të jenë automjetet, pajisjet elektronike dhe elektroshtëpiake apo mobiliet.

Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përtëritja e konsumit të sektorit privat është faktori më përcaktues për rritjen ekonomike. Sipas INSTAT, norma e rritjes vjetore të konsumit për 9-mujorin 2018 ishte 3.4%, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia konsumatore është një nga faktorët që po mbështesin gjallërimin e konsumit privat në vend.

Sipas bankës qendrore, rritja e konsumit është mbështetur gjithashtu nga rritja e punësimit dhe të ardhurave nga puna, si edhe  përmirësimi i besimit të konsumatorëve.

Rritja e konsumit është një nga faktorët që ndikojnë në rritjen ekonomike, megjithatë, një rritje e konsumit e mbështetur nga kredimarrja nuk është e sigurt. Në rast të mospagesës së kredive nga konsumatorët, numri i lartë i kredive do të kishte një efekt boomerang tek ekonomia. Nëse konsumi do të rritej si pasojë e rritjes së të ardhurave të konsumatorëve, atëherë do të mund të flisnim për një rritje të qëndrueshme. Gjithashtu, shumë ekonomistë shprehen se rritja ekonomike ndikohet më shumë nga rritja e investimeve. Ama, kredia për sektorin privat në vitin 2018 është ulur. Është më mirë që të investohet në një sektor i cili ka kthim të lartë, i cili mundëson edhe pagimin e kredisë, sesa të merret kredi për konsum, e cila nuk ka kthim monetar dhe i vetmi përfitim është plotësimi i nevojave të konsumatorëve, të ardhurat e të cilëve duket se janë të pamjaftueshme për të plotësuar nevojat bazë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.