The news is by your side.

Rriten çmimet e ushqimeve dhe qirave. Inflacioni arrin në 1.5%

  • Për janarin e vitit aktual, norma e inflacioni u rrit në nivelin e 1.5% nga 1.1% që rezultoi rekordi më i ulët në dhjetor.
  • Rritja e inflacionit erdhi si pasojë e rritjes së çmimit të frutave e perimeve, si dhe çmimit të qirave të shtëpive.
  • Përsëri norma mbetet shumë e ulët dhe larg objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Fundvitin e kaluar në dhjetor, treguesi i inflacionit rezultoi në një nga nivelet e tij më të ulëta prej 1.1%. Kjo ishte veçanërisht shqetësuese jo vetëm sepse është një vlerë shumë larg objektivave të vandosur nga Banka e Shqipërisë, por edhe sepse një nivel i tillë sinjalizon një konsum shumë të ulët, aspak i zakonshëm për fundvitin, periudhë kur njerëzit priren të shpenzojnë dhe blejnë më shumë. Qartazi, që pas tërmetit të 26 nëntorit, qytetarët po kursenin më shumë, duke ndaluar thjesht me përmbushjen e nevojave bazike, nisur nga pasiguria e shtuar për të ardhmen.

Por duket se situata ka ndryshuar pak muajin e kaluar me fillimin e vitit të ri në janar. Shtrenjtimi i ushqimeve dhe qirave duket se kanë dhënë efektin e pritshëm në rritjen e inflacionit, pasi të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në janar ky tregues arriti në 1,5% nga 1,1% që ishte në dhjetor. Megjithatë pavarësisht rritjes, norma mbetet ende në nivele shumë më të ulëta se objektivi prej 3% i Bankës, çka tregon se konsumi i dobët vazhdon ende.

Të dhëna të INSTAT
Përpunuar në grafik nga Atlasi.al

Rritjen më të madhe të çmimeve muajin e kaluar e kanë pësuar ushqimet, veçanërisht frutat dhe perimet, pasi prodhimit vendas mbaroi dhe për përmbushjen e kërkesës vendase, frutat dhe perimet po sillen nga importi, që rrjedhimisht shkakton edhe kosto më të larta.

Ndërkaq, shtrenjtim ka pasur edhe tregu i qirave, ku për shkak të tërmetit, shumë familje mbetën të pastreha, duke bërë që të rritet kërkesa për apartamente dhe banesa, veçanërisht në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Në fakt, rreziku i tkurrjes së konsumit dhe pasiguria e qytetarëve dhe bizneseve për të shpenzuar duket se do të vazhdojë gjatë gjithë vitit, ndikuar pikërisht nga tërmeti i nëntorit, duke qënë se procesi i rindërtimit ende nuk ka ecur mirë, në një kohë kur kostot e tij thuajse 1 miliardë dollarëshe kanë rezultuar një goditje të fortë për ekonominë.

Përveç të mësipërmeve, edhe grupi i duhanit dhe pijeve alkoolike ka shënuar rritje të lehtë gjatë muajit të kaluar, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shtrenjtë për këto produkte.

Leave A Reply

Your email address will not be published.