The news is by your side.

Ringjallet edhe pasi zemra i ndal 6 orë nga arresti kardiak

Një histori e pazakontë është dëgjuar së fundi. Mësuesja britanike Audrey Schoeman vazhdon ende të jetojë edhe pasi zemra i ka ndaluar për gjashtë orë. Edhe për mjekët ky është rasti më i jashtëzakonshëm në botë, pasi atyre nuk iu kishte ndodhur kurrë më herët që dikush të ringjallej edhe pasi zemra i kishte pushuar për një kohë aq të gjatë.

Audrey Schoeman 34 vjeç, pësoi arrest kardiak kur u bllokua në një stuhi dëbore në Pyrenees me burrin e saj, Rohan. Ajo u dërgua në spitalin Vall d’Hebron në Barcelona dhe mbijetoi falë bashkërendimit të ngushtë midis stafit mjekësor dhe personave që e shpëtuan nga dëbora.

Mjeku që drejtoi operacionin e saj ka theksuar se ky është arresti kardiak më i gjatë i dokumentuar ndonjëherë, pasi nuk ka ndodhur kurrë më parë të dëgjohen histori të njerëzve, zemrat e të cilëve janë ndalur për kaq shumë kohë dhe përsëri ata të kenë qenë në gjendje të mbijetojnë.

Por si shpjegohet kjo gjë?

Në vitet 1960 kirurgët në Siberi nuk kishin trajnimin e duhur për mjekime të përparuara. Aq më tepër që kur iu duhej të kryenin operacione në zemër, ata nuk mund të mbështeteshin tek teknologjia e zhvilluar si sot. Megjithatë ekzistonte një burim që ata e kishin me bollëk: të ftohtin. Tingëllon e çuditshme, por është e vërtetë! Kur mjekët kishin për të kryer operacione të komplikuara, ata i mbulonin pacientët me dëborë dhe akull, që aktiviteti jetik i trupit të ngadalësohej.

Një zemër që ndalte në mënyrë të tillë e vret njeriun duke e privuar trurin nga oksigjeni. Por këtu ndodh një tjetër proces interesant, pasi qelizat e trupit, jo vetëm që ftohen, por në kontakt me një klimë të ngjashme edhe jashtë, zgjasin më shumë pa oksigjen. Kjo ka ndodhur edhe me Audrey Schoeman.

Para saj, një rast tjetër i ngjashëm dhe shumë i famshëm ndodhi në vitin 1999, kur një skiator suedez ra në akull, mbeti atje më shumë se një orë dhe përsëri u ringjall. Kështu, procesi i njohur si hipotermi terapeutike mund të ketë rezultate mahnitëse, si zgjatja e kohës që truri mund të mbijetojë pa oksigjen nga minuta në mbi një orë.

Edhe sot, me gjithë zhvillimin teknologjik, pacientët akoma ftohen ndonjëherë para operacioneve të tilla të vështira. Edhe mësuesja britanike Schoeman, kishte marrë në mënyrë efektive të njëjtin trajtim, thjesht në kushte natyrore dhe sot ajo njihet si rasti më i jashtëzakonshëm në botë.

/ Burimi: The Times

Leave A Reply

Your email address will not be published.