The news is by your side.

Reforma e pensioneve: suksesi i munguar apo një tjetër dështim me sukses!

Reforma e pensioneve është një nga tematikat socio-ekonomike më të diskutuara. Kjo për shkak të ndryshimeve të shpeshta që pëson skema pas ndryshimit të qeverive ose edhe për shkak se vete qeveria zgjedh ta fabrikojë si sukses reformën e pensioneve.

Qeveria inicioi në vitin 2014 reformën e shumëdiskutuar të pensioneve, e cila hyri në fuqi që prej Janarit të vitit pasardhës, reformë e cila solli ndryshime të shumta, si në moshën e daljes në pension, ashtu edhe mënyrës së përllogaritjes së shumës që përfitohej.

Së pari, një ndër ndryshimet thelbësore të reformës ishte heqja e vlerës prej 24000 lekë që shërbente si tavan për vlerën maksimale të pensionit. Në dukje, kjo lëvizje u krye që punonjësit të përfitojnë në të ardhmen, po aq sa kanë kontribuar në sistem. Thënë kjo, u synua që në afat të gjatë, pensioni të behej i vetë financuar.

Nga ana tjeter, ligji “Për sigurimet shoqërore” parshikoi një rritje të moshës së daljes ne pension, me dy muaj çdo vit. Si rezulatat, aktualisht një grua del në pension 60 vjet e 8 muaj dhe jo 60 vjec sipas ligjit të vjeter. Deri ketu gjithcka duket normale, deri në momentin që shkojmë më tej në llogaritje dhe shifrat bëhen shqetësuese pasi në vitin 2032 mosha e daljes në pension për një grua do të shkojë 63 vjeç dhe ndoshta 67 vjec për meshkujt më vonë.

Por kjo rritje e vjetersisë, ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit, pasi formula për përllogaritjen e saj, e përmban këtë tregues. Sipas kësaj formule, shuma që pensionisti do të përfitojë llogaritet si shuma bazë e pensionit social, shumëzuar me vitet e sigurimit dhe pjestuar me vitet e vjetërsisë. Ndaj në rastet kur pjestimi bëhet me një numër më të madh, do te rezultojë në ulje të masës së pensioneve.

Përveç parametrave të lartpërmendur, formula e llogaritjes së shumës, përmban gjithashtu edhe nga një shtesë tjetër prej 1% shumëzuar me vitet e sigurimit dhe pagën mesatare. Kjo e fundit llogaritet duke indeksuar me koeficientin përkatës pagat bruto të deklaruara, në mënyrë që të kemi aktualizimin e tyre me tregun.

Nga ana tjetër, nëse shkojmë më tej, një kategori që ha po aq debat janë dhe pensionet e fshatit, të cilat jo vetëm për vetë përfituesit janë problematike, por në po të njëjtën mënyrë shihen edhe nga institucionet shtetërore. Sipas ISSH për shembull, personat përfitues të një pensioni të tillë, i shkaktojnë buxhetit të shtetit një humbje të madhe, si pasojë e faktit që paguajnë më pak kontribute se sa individët e zonave urbane. Thënë kjo,

buxheti i shtetit mbush me anën e subvencioneve, disbalancën buxhetore kontribut- përfitim. Por si ndikoi reforma e shumë-përfolur për zgjidhjen e problemeve në raport me pensionet e fshatit dhe cila ishte zgjidhja e menduar?

Praktikisht, asnjë efekt i dëshiruar nuk u pa në zvogëlimin e deficitit të skemës së pensioneve rurale, pasi ende sot shpenzimet përllogariten në një shifër prej 16 miliardë lekë. Prandaj, balanca buxhetore jo vetëm që nuk u arrit, por ende nevojiten të ardhura nga buxheti i shtetit për financimin ende të nevojshëm.

E pavarësisht se kanë kaluar tashmë disa vite nga implementimi i reformës së vitit 2014, qeveria në mënyrë të herëpasherëshme, e përsëri të pasuksesshme të aplikojë edhe rritje të tjera, vlerat e së cilave mbeten ende në nivele të papërfillshme, për kushtet ku shoqëria shqiptare jeton e me të cilat pensionistët u duhet të përballem.

Kështu praktikisht në vitin e kaluar, pensionet u rritën me një shifër prej 2.8% që e përkthyer, kjo vlerë përllogaritet të jetë vetëm 280 lekë të reja në muaj. E në një kohë kur është qeveria ajo që vendos masën e përfitimit për pensionistët, por tregu ai që përcakton çmimet e mallrave që këta pensionistë konsumojnë, vlerat e lartpërmendura në thelb nuk janë ndonjë përmirësim.

Kjo vihet re shumë qartë nëse hulumtojmë të dhënat. Ato i rendisin pensionet në vend si 7 herë më të ulëta se vendet e Bashkimit Europian, 4 herë më të ulëta krahësuar me vendet e ish bllokut komunist, ama 4 herë më të larta se Somalia. Ndoshta ne jemi ende te destinuar për t’u krahësuar me vendet e botës së tretë, pavarësisht se gjithë jeta ka kaluar me vështrimin e kthyer nga perëdimi i largët e aq fort i dëshiruar. Mos ndoshta është ky pikërisht edhe rasti i reformës së pensioneve, suksesi i munguar apo një tjetër dështim me sukses?

Leave A Reply

Your email address will not be published.