The news is by your side.

Pse statistikat qeveritare gjithmonë na gënjejnë?

Një nga problemet kryesore të masave që marrin qeveritë me synim mirëqënien kombëtare është fakti që shumë prej tyre mbështeten në të ardhura, pasuri, prodhim dhe konsum, të matura të gjitha në termat e parave. Kjo do të thotë se vetëm aktivitetet që mund të maten, numërohen dhe renditen në bazë të vlerës së monedhave duket se mund të vlerësohen. Por njerëzit gjithashtu zgjedhin shumë aktivitete që iu plotësojnë atyre nevojat e dëshirat, që nuk mund të maten në terma parash dhe as të paraqiten në ndonjë statistikë qeveritare.

Me qëllim përpilimin e statistikave ekonomike, autoritetet përkatëse mund të masin se sa njerëz kanë punë, me çfarë rroga paguhen, sa prodhojnë ata punëtorë. Mund të matet gjithashtu sa shtëpi janë blerë, sa njerëz paguajnë qira, sa makina janë shitur dhe pyetje të tilla si këto, ama siç shihet, të gjitha në termat e parave. 

Po në lidhje me gjërat që nuk mund të vlerësohen kështu?

Rritja e fëmijëve për shembull. Nëse një prind lë punën për të qëndruar në shtëpi e për t’u marrë me rritjen dhe edukimin e një fëmije, kjo do të rezultojë si rënie në punësimin total në ekonomi. Ndërkohë, statistikat nuk tregojnë asgjë se sa përfitim, domethënë të ardhura nga investimi në kohë, fiton në afat të gjatë shoqëria, kur prindi kalon kohë me fëmijën dhe angazhohet në aktivitete të tjera që përfshin “prindërimi”.

Për më tepër, një prind që qëndron në shtëpi gjithashtu mund të ndikojë në ekonomi duke zvogëluar paratë e shpenzuara për kujdesin e fëmijëve, përgatitjen e vakteve ushqimore dhe shërbimet e arsimit. Në vend që të blejë ushqim në restorante apo të lejojë edukatorët t’i mësojnë fëmijës numrat dhe shkronjat, ky prind ia ofron ato shërbime në shtëpi, pa shpenzuar para. Kështu, përfitimet mbesin të panumërtuara në statistikat kombëtare. Ajo që do të shohin statisticienët është rënia e të ardhurave për restorantet dhe shërbimet arsimore të kujdesit për fëmijët, që pa njohur kontekstin do e interpretojnë si diçka e keqe.

Probleme të ngjashme vihen re edhe kur bëhet fjalë për punëtorët e moshuar që dalin në pension. Kur dikush del në pension, të ardhurat natyrisht zvogëlohen. Nisur nga pasiguria për të ardhmen, pensionisti mund të zgjedhë të shpenzojë më pak për mallra dhe shërbime të tilla si makina, pushime apo strehim. Në statistika, këto aktivitete do të shfaqen si një rënie e të ardhurave dhe e shpenzimeve shtëpiake.

Fotografia është edhe më e komplikuar pasi jo të gjithë pensionohen vullnetarisht. Disa njerëz dalin në pension sepse “duhet”. Kjo ndodh kur ata bëhen të paaftë për shkak të pleqërisë, sëmundjeve ose faktit se nuk mund të punojnë fizikisht.  Në të njëjtën kohë, disa vazhdojnë të punojnë sepse nuk kursenin sa duhet në të kaluarën, për të pasur një pension të kënaqshëm në të tashmen. Ashtu siç ka edhe njerëz me sasi të mjaftueshme kursimesh për të ruajtur standardin e jetesës edhe pas pensionimit, por punojnë sepse zgjedhin ta mbushin ashtu kohën e lirë. Si maten të gjitha këto? Metodat qeveritare për mbledhjen e të dhënave ofrojnë pak për sa i përket zgjidhjes. Ato shpen nuk marrin fare në konsideratë pensionimin zyrtar para moshës së lejuar me ligj dhe as vlerësimin e punës kur pensioniti zgjedh të punojë, edhe pasi po me ligj ka arritur moshën zyrtare për të qënë jashtë forcës së punës. A nuk është e komplikuar?

Nga ana tjetër është rasti i lëvizjeve për një pagë më të lartë

Ndonjëherë, punëtorët zgjedhin të qëndrojnë në fuqinë punëtore – por heqin dorë nga paga më të larta për të përfituar përfitime të tjera jo-monetare. Për shembull, disa punëtorë preferojnë punë që lejojnë fleksibilitet më të madh në orare dhe më shumë kohë pushimi. Sidoqoftë, këto punë shpesh paguajnë paga më të ulta. Përfitimi vjen në formën e më shumë kohe të lirë dhe kontroll më të madh mbi oraret. Me fjalë të tjera, punëtorët përfitojnë përfitime të konsiderueshme nga mos lëvizja, edhe pse lëvizja në një punë “më të mirë” do të sillte paga më të larta, në kushtet e parave.

Kështu, të dhënat nuk na tregojnë asgjë në lidhje me përfitimet dhe të ardhurat jo monetare. Fatkeqësisht, ekonomia si disiplinë ka vuajtur nga fakti që shumë nga praktikuesit e saj janë preokupuar tek gjërat që mund të maten – siç janë punët dhe pagat – duke lënë pas dore përfitimet e fshehura të fituara nga aktivitete si prindërimi apo punët pa një page por me përfitme të tjera. 

Thuhet se “kur je çekiç, e gjithë bota të duket gozhdë” – dhe kjo vlen edhe në rastin kur ekonomistët drejtohen nga teoritë strikte të shifrave, duke harruar se sidomos në një ekonomi të përparuar shumë njerëz përfitojnë më shumë nga bërja e diçkaje tjetër, jo të matshme në para.

Ekonomia nuk merret me gjëra ose sende materiale. Ekonomia analizon atributet logjike dhe pasojat e ekzistencës së vlerësimeve individuale. “Gjërat” padyshim hyjnë në lojë, pasi nuk mund të ketë vlerësim pa gjërat që duhen vlerësuar. Por thelbi dhe forca shtytëse e veprimit njerëzor dhe rrjedhimisht edhe ekonomisë së tregut, janë vlerësimet e individëve.

Për më tepër, fakti që ne mund të dimë kaq pak rreth asaj që vërtet nuk matet dhe nuk ka një zë në statistika zyrtare, e bën edhe më serioze situatën, në rastin kur janë pikërisht po të njëjtat statistika jo të vërteta, në bazë të të cilave formulohen teoritë dhe merren vendimet politike. Kështu për shembull, nëse besojmë se politika “funksionon” kur të ardhurat në para rriten, jemi duke matur suksesin, por vetëm në mënyrë të pjesshme. Ndaj duhet të pyesim: Po ata që nuk paraqiten në këto statistika?

Këtu do kuptojmë se të gjitha vlerësimet në shifra janë thjesht pretendime jo të plota, për të mos thënë të gabuara, që gjithmonë pas fasadës fshehin më shumë.

/ Përshtatur nga Foundation for Economic Education

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.