The news is by your side.

Pse mendësia e liderave që vartësit të punojnë shumë është e gabuar?

Mund të jeni CEO, drejtues i lartë, ose menaxher strategjik në një kompani të madhe. Në njëfarë mënyre e dini se një pjesë konsiderueshme e punonjësve ndjehen të mbingarkuar,  të rraskapitur e të lodhur dhe vjen një kohë që nuk janë plotësisht produktivë. Kjo është e kuptueshme dhe me gjasë duke lënë mënjanë marrëdhënien profesionale, ju jeni gati të toleroni pak.

Por thellësisht, si drejtues ju gjithashtu besoni se puna më shumë dhe më gjatë se të tjerët është ajo që të bëri të suksesshëm, shumë të kërkuar, më konkurrent. Ndaj këtu lind dilema e madhe! Cila është përqasja e duhur?

Përgjigja është mentaliteti – besimet dhe supozimet shpesh të pavetëdijshme që udhëheqësit ushqejnë bazuar në kulturat e korporatave në të cilat u rritën. “Më shumë dhe më shpejtë është gjithmonë më mirë” ka qenë motoja e kapitalizmit dhe tregut të lirë që nga Revolucioni Industrial. Në vitin 1973, amerikanët punonin mesatarisht 1.679 orë në vit. Në vitin 2015, ky numër arriti në 1811 orë dhe kjo është e barabartë me më shumë se tre javë shtesë pune në vit. Rezultati është një epidemi mbingarkese në të gjitha nivelet e kompanive, në të gjithë botën.

Për të luftuar këtë, shpenzimet globale të korporatave për programet e Wellness në vendin e punës tani kanë arritur 50 miliardë dollarë në vit. Problemi është se disa studime, përfshirë një të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor në SHBA, sugjerojnë që programet e Wellness në vendin e punës nuk kanë arritur të përmirësojnë aspak shëndetin e njerëzve, ose të ndryshojnë ndjeshëm përvojën e tyre në punë. Kjo për shkak se liderët rrallë mbështesin aktivisht programet dhe praktikat që financojnë.

Sa shpesh ju ose udhëheqësit e tjerë në kompaninë tuaj u dëgoni punonjësve e-maile pune edhe vonë mbrëmjeve apo gjatë fundjavave, kur orari i punës ka përfunduar? Në ç’masë udhëheqësit presin që njerëzit t’u përgjigjen emailave edhe kur janë pushim? Sa prej liderëve modelojnë një jetë të ekuilibruar dhe mbështesin në mënyrë aktive faktin se edhe të tjerët duhet të kujdesen për veten e tyre?

Ajo që thonë dhe bëjnë udhëheqësit ka një ndikim disproporcional në sjelljet që punonjësit adoptojnë. Lajmi i mirë është se kur drejtuesit ndryshojnë sjelljen e tyre, përfitimet janë të qarta. Në një studim të fundit të Forbes, me rreth 20,000 punonjësve, në 25% të të anketuarve që thanë se drejtuesit e tyre modelonin praktika të qëndrueshme pune, 55% ishin më të angazhuar, 77% më të kënaqur në punë dhe raportuan dy herë më shumë besimit tek lideri i tyre. Thënë kjo, drejtuesit që udhëheqin me zell dhe në rastin e punës së tepërt krijojnë vlerë!

Në fakt përvoja tregon se kur njerëzit ndjehen të qetë, ata janë shumë të përqendruar, më produktivë dhe punojnë në mënyrë më cilësore. Por fatkeqësisht, shumica e drejtuesve vazhdojnë të vlerësojnë punonjësit e tyre në pjesë të konsiderueshme nga sa orë ata punojnë, më tepër sa sa  nga vlera që krijojnë. Punonjësit thithin këtë mendësi dhe përfundojnë duke besuar që të punosh orë të gjata dhe të vazhdueshme jo vetëm sjell më shumë shpërblim, por është edhe mënyra më e mirë për të qenë produktiv. Kjo është kaq e gabuar!

Në fakt, kulturat e punës së tepërt krijojnë një mentalitet “kutie”, pra një mendësi të mbyllur që i bën njerëzit të vlerësojnë dhe perceptojnë gabim produktivitetin. Duke iu përgjigjur shpejt të gjitha kërkesave dhe detyrave, ata thjesht matin gabim suksesin, pasi heqin dorë nga detyrat që vërtet mund të kërkojnë përparësi. Në njëfarë mënyre kultura e të punuarit tepër, sjell sasi por jo cilësi. Kjo do të thotë që punonjësit përqëndrohen gjatë gjithë kohës të bëjnë sa më shumë e në fund përfundojnë thjesht duke mbushur orën.

Nga ana tjetër, përqëndrimi dhe vëmendja tek gjërat specifike, vërtet mund të sjellë më pak detyra të zgjidhura, por këto të fundit janë bërë siç duhet dhe shtojnë vlerë. Sidoqoftë, një ndryshim i vërtetë në mentalitet dhe në kulturën organizative mund të ndodhë vetëm kur liderët fillojnë të sfidojnë mendësitë e vjetra dhe të eksperimentojnë me mënyra më produktive, si për veten e tyre, ashtu edhe për punonjësit.

Drejtuesit duhet të përqëndrohen më shumë në ato që po ndodhin brenda punonjësve të tyre – çfarë mendojnë dhe si ndihen – jo vetëm thjesht tek ajo se ç’ka ata bëjnë dhe prodhojnë. Tani eshte koha! Në një botë të përçarjes së pamëshirshme, transformimi i mënyrës së punës së njerëzve mund të jetë përparësia më e madhe konkurruese për të gjithë. Kush do të ecë përpara për të udhëhequr rrugën?

/ Përshtatur nga Forbes

Leave A Reply

Your email address will not be published.