The news is by your side.

Presidenti i Austrisë vlerëson biznesmenin Samir Mane me “Dekoratën e Lartë të Nderit”

Biznesmeni Samir Mane, president i Grupit Balfin është sot një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend, kompanitë e së cilit punësojnë aktualisht mbi 5 mijë punonjës në vend, rajon dhe më gjerë. Prej më shumë se 25 vitesh, me investime relativisht të mëdha, Balfin Group është një nga liderat në tregun shqiptar. Megjithatë për biznesmenin Mane, rrugëtimi filloi hapat e parë me kompaninë Alba Trade në Vjenë të Austrisë në vitin 1993 dhe duket se lidhjet me Austrinë vazhdojnë ende. Aktualisht përveç tregtimit të pajisjeve elektro-shtëpiake dhe elektronike me shumicë, prej disa vitesh kompania është shtrirë edhe në fushën e ndërtimeve, ku grupi po zhvillon një projekt rezidencial. Kompleksi, tashmë drejt përfundimit, ndodhet në zonën mjaft të njohur turistike të Altmünster në Austri.

Pikërisht për kontributet e veçanta, vetë presidenti i Republikës së Austrisë, Sh.T.Z Alexander Van der Bellen, ka dekoruar biznesmenin me një ndër vlerësimet më të larta shtetërore “Dekorata e Lartë e Nderit për Shërbime ndaj Republikës së Austrisë”. Ceremonia është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në rezidencën e ambasadorit austriak në Tiranë, Sh.T.Z Johann Sattler.

Gjatë dhënies së dekoratës, Ambasadori Sattler u shpreh se: Austria është një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe biznesmeni Mane ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në këtë histori suksesi me investimet, që nga qendrat tregtare e deri në turizëm, nga agrobiznesi në industrinë minerare, etj. Sipas ambasadorit, Mane ka bërë lidhjen ndërmjet dy vendeve dhe është gjithashtu një investitor rajonal i njohur në Ballkan dhe një kontribues në shoqëri duke i kthyer komunitetit atë për të cilën ka shumë nevojë.

Biznesmeni Mane, i nderuar nga vlerësimi dhe duke falënderuar Presidentin e Austrisë u shpreh: “Lidhjet e mia me Austrinë janë shumë te forta. Unë erdha në këtë vend si emigrant dhe u ktheva si biznesmen pas 14 vjetësh duke më ofruar një mundësi shumë të madhe. Bërja e biznesit në Austri më ka ndihmuar shumë për zhvillimin e biznesit në vende të ndryshme, përfshi Shqipërinë dhe jam i sigurt që edhe në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të vijojë të jetë i shkëlqyer”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.