The news is by your side.

Praktika financiare tregon se gabimet e fëmijëve duhet të tolerohen

Instinkt biologjik ose jo, pjesë e të menduarit, rezultat i ndjenjave që luhen në mes apo edhe thjesht përqasje subjektive në sjellje,  pak rërndësi ka… për prindërit është gjithmonë e vështirë të lejojnë fëmijët e tyre të bëjnë gabime! Për ta është gjithmonë joshëse të mbrojnë fëmijën nga gjithçka, të sugjestionojnë vendimet e tyre dhe t’i këshillojnë ndoshta më tepër se sa duhet për gjithçka.

 E sigurisht që kjo përqasje nuk le jashtë as marrëdhënien e fëmijeve me paranë, kontaktin me të cilën prindërit tentojnë tua shmangin fëmijëve deri në një moshë relativisht të vonë. Megjithatë është me të vërtetë e rëndësishme që që prej fillimit fëmijëve t’u lihen para në duart e tyre, në mënyrë që ata të mund të praktikojnë punën me të, duke e menaxhuar  dhe mësuar  se si ta shpenzojnë atë me mençuri.

Hulumtime të mëherëshme kanë treguar se fëmijët mësojnë më shumë rreth financave nga prindërit e tyre se çdo burim tjetër. Madje vetë procesi përmes të cilit prindërit i japin këto njohuri fëmijëve të tyre njihet si “socializimi financiar”, term i njohur së tepërmi në disiplinat socio dhe psikologjike. Pjesa më e madhe e literaturës ekzistuese mbi socializimin financiar fokusohet në dy gjëra: shembulli i prindërve  dhe ajo çka prindërit u mësojnë fëmijëve  në mënyrë direkte rreth parave. Megjithatë, një hulumtim i fundit në Universitetin e Arizonës me autore Ashley LeBaron ka dalë edhe në një përqasje tjetër të  rëndësishme: t’i japësh fëmijëve një praktikë të menaxhimit të parave.

Botuar në Journal of Family Issues,studimi  shqyrton rëndësinë që ka tek përgatitja financiarisht e formimit të fëmijëve, ndikimi dhe eksperienca e prindërve me paranë në botën reale. Si pasojë, në moshën e rritur, fëmija tashmë i formuar, do të dijë të marrë vendime të drejta financiare.  Studimi sugjeron që  duke marrë  në konsideratë këtë lloj të të mësuarit eksperimental, si një metodë e tretë kyçe e socializimit financiar, rezultatet do të jenë shumë efektive.

Sigurisht që sapo dëgjohet termi praktikë financiare, në një mënyrë ose një tjetër menjëherë mendohet kontakti direkt i fëmijës me paranë dhe shpenzime disi të lejueshme për moshën. Në fakt,  prindërit mund t’i mundësojnë fëmijëve të tyre  praktikën me paratë në mënyra të ndryshme.Kjo bëhet për shembull, duke iu dhënë atyre një pagesë modeste çdo muaj, duke i paguar për detyra komplekse ose probleme më të vështira që shkojnë përtej punëve normale të përditshme, duke i shpërblyer për nota të mira në mësime dhe arritje të ngjashme, apo madje duke i inkurajuar që të kursejnë për blerje të veçanta ose ndonjë bamirësi simbolike. Në një mënyrë ose një tjetër, cilado qoftë situata, specifikat nuk kanë rëndësi! Aq më pak shuma e parave, e cila mund të ndryshojë në varësi të kushteve financiare të një familjeje.  Ajo që ka rëndësi është fakti se për aq kohë sa fëmijët ose të rinjtë janë akoma në fillimet e përvojës së tyre me paranë, t’u ofrohet atyre përvojë praktike e cila më vonë do i ndihmojë në vendimarrjen financiare.

Shpesh mundësia e parë kur fëmija tashmë i rritur bie në kontakt me paranë cash duke poseduar një llogari bankare apo kartë krediti është atëherë kur ai fillon të punojë ose kur vetë prindërit i hapin atij një llogari për t’i ruajtur kursimet. Sidoqoftë në rastin e dytë përsëri ai nuk është akoma në kontakt direkt me të ardhurat finaciare që përfton, ndaj në asnjë nga situatat ai nuk ka moshën e duhur për fillimin e praktikës finaciare, e cila duhet të nisë relativisht shumë më herët.

Për pasojë, studimi e vendos theksin tek fakti se është thelbësore që prindërit t’u japin fëmijëve eksperienca financiare të përshtatshme për moshën, për aq kohë sa ata monitorohen në mënyrën e duhur. Shpesh gjatë kësaj përgatitjeje ata mund të bëjnë edhe gabime, por për aq kohë sa gabimi është ndoshta mënyra më e prekshme e të mësuarit, pikërisht kjo duhet bërë! Fëmijët të lihen të bëjnë gabime e  të mësojnë prej tyre, pasi vetëm kështu  prindërit i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë zakone kur kontakti me paranë ndodh në shuma modeste. Pikërisht në këtë kohë gabimi ka çmim të ulët dhe është më i pranueshëm se sa kur shumat e parave rriten, atyre u duhet ta përballojnë jetën të vetëm dhe pasojat e gabimit rëndojnë më shumë.

Bashkëautorët në studim intervistuan 115 pjesëmarrës duke përfshirë 90 studentë të moshave 18-30 vjeç, si dhe prindërit e familjarë të tyrët. Të pyetur se çfarë mësonin rreth eksperiencave me paranë dhe si e mësonin atë, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve thanë se atyre u ishte dhënë njëfarë përvoje me paranë në rininë e tyre dhe ata e konsideronin atë përvojë si jashtëzakonisht të vlefshme në përgatitjen e tyre për  menaxhimin e mëvonëshëm të të ardhurave të tyre. Ndërsa ata që nuk morën këto lloj përvojash,  do të dëshironin shumë që t’i kishin.

Bazuar në intervista, aktorët identifikuan tre tema kryesore rreth asaj që pjesëmarrësit mësuan nga përvojat financiare që iu ishin dhënë si fëmijë: si të punonin  shumë, si të menaxhonin paratë dhe si të shpenzonin me mençuri. Studiuesit gjithashtu identifikuan tre arsye kryesore përse prindërit thanë se u siguronin fëmijëve të tyre përvojë praktike me paratë: për t’i ndihmuar ata të mësonin aftësitë financiare, të fitonin vlera financiare dhe të bëheshin të pavarur.

Autorja LeBaron, vajzë e të ashtuquajturit brezi millennial shfaqi interes në studimin e socializimit financiar pjesërisht edhe për shkak të stereotipit të vazhdueshëm që millennials janë të paaftë në menaxhimin e duhur të parave. Gjithashtu një pikënisje lidhej edhe me dyshimin nëse brezave të rinj u jepej e njëjta shkallë praktikash me paratë, apo disi përmirësime ishin hasur. Studimi, megjithëse ende nuk arriti në të dhëna për të mbështetur dallimet midis gjeneratave, thekson fort faktin se edhe sot, shumë prindër hezitojnë të besojnë paranë në duart e fëmijëve të tyre, e kjo është padyshim problematike.

Idealisht,  prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre rreth parave përmes modelimit, shpjegimit dhe përvojës praktike. Qasja më e mirë është një kombinim, ku prindërit japin shembull të mirë, kanë biseda të hapura e të vazhdueshme rreth parave dhe fëmijët kanë mundësi të praktikojnë. E nëse të gjitha këto hapa eklektikë ndërmerren, sigurisht që fëmija do ndërtojë baza të forta financiare, thelbësisht të rëndësishme për vendimarrjen e ardhshme të tyre dhe menaxhimin më efficient të të ardhurave financiare.

/Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.