The news is by your side.

Post-Samiti i Berlinit, Franca strategji 150mln euro për rajonin

Java që lamë pas ka shënuar përfundimin e Samitit të Berlinit dhe me gjithë diskutimet e shumta që shkaktoi, duket se fuqitë europiane vazhdojnë ende të përkushtohen për integrimin, sundimin e ligjit dhe zhvillimin social e ekonomik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vetë qeveria franceze, në kuadër të këtyre zhvillimeve ka publikuar së fundi strategjinë me masa konkrete për Ballkanin Perëndimor. Duket se intensifikimi i marrëdhënieve politike është fokusi i këtyre objektivave. Sipas planit, qeveria franceze zotohet në bashkëpunimin dypalësh me vendet e rajonit në fusha të tilla si siguria, drejtësia dhe zhvillimi ekonomik e social i tyre. Pikërisht për këtë të fundit është kërkuar ndërhyrja e Agjencisë Franceze për Zhvillim(AFD), ku fillimisht ndihma vjetore nga qeveria franceze do të jetë 100-150 milionë euro. Ky financim kryhet me qëllim që shuma të shërbejnë si levë nxitëse për donatorët e tjerë.
Për sa i përket drejtësisë, ndihma e qeverisë franceze ndaj 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazohet kryesisht në bashkëpunimin mbi krimin financiar dhe ekonomik dhe trafikimi i specieve të mbrojtura apo pronës kulturore si shtyllat kryesore të veprimit. Ndërsa në kuadër të sigurisë, fokusi kthehet tek probleme të tilla si lufta kundër terrorizmit dhe radikalizimit, trafiku i paligjshëm i armëve dhe krijim i njësive të përherëshme të inteligjencës kriminale.
Përveç masave konkrete të strategjisë, të përmendura më lart, angazhimi i Francës për rajonin shprehet gjithashtu në faktin se, vetë presidenti Emmanuel Macron në Korrik pritet të vizitojë Serbinë, ndërkohë që brenda vitit Ministri i Punëve të Jashtme të kabinetit të tij ka planifikuar vizita në Shqipëri e Kosovë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.