The news is by your side.

PISA apo pica?

Nga Besart Kadia

Të dhënat e fundit përsa i përket standartit të edukimit në Shqipëri, krahsuar me vende të tjera në botë, japin një panoramë shqetësuese për të ardhmen e vendit. Sipas PISA-as, Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve, publikuar nga OECD Shqipëria renditet në vend të 61-të nga 78 vende duke lënë pas Kosovën, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut.

Në pamje të parë qeveria do ta përdorte këtë renditje si një sfidë ku Shqipëria po performon mirë, të paktën krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Por kur e krahason Shqipërinë me të dhënat e vitit 2015 tregon se nxënësit tanë kanë rezultate më të këqija në shkencë, kanë mbetur në të njëjtin pozicion në lexim dhe kanë përmirësim vetëm në matematikë. Në tërësi një nxënës shqiptar merrte mesatarisht 415 pikë nga 551 në Singapor duke e bërë që 57% e tyre të cilësohen si analfabetë funksional.

Por si lidhet PISA me picën?

Pica është simbol i mirëqënies ekonomike (byreku në terma ekonomikë). Ekonomistët debatojnë mbi dy terma në ekonomi: si të ndajmë picën (byrekun) e si ta bëjmë picën (byrekun) më të madh. Me këtë metaforë ekonomistët mundohen të shpjegojnë hapat që duhet ndërmarrë në një ekonomi për të rritur prodhimin në vend, në terma teknikë si Prodhimi i Brendshëm Bruto PBB.

Të dhënat tregojnë se një përmisim i lehtë në të dhënat e PISA-s ka një impakt të menjëhershëm në rritjen ekonomike ose në madhësinë e picës në të ardhmen. Sipas studimeve, në rast se të gjitha vendet do të kishin të njëjtat pikë si Finlanda në PISA atëherë pica (byreku) botëror do të rritej me 260 trilion dollarë.

Dekada studime ekonomike në shumë vende të botës tregojnë se për shumë vende në zhvillim si Shqipëria, një përmisim në cilësinë e kapitalit njerëzor çon menjëherë në përmisim të rritjes ekonomike afatgjatë. Kjo është arsyeja kryesore përse disa shtete dështojnë e disa vazhdojnë të pasurohen. Sipas modelit endogjen të rritjes ekonomike, përmisimi teknologjik dhe përmisimi në produktivitet i ekonomisë, vjen i lidhur ngushtë me përmisimin e cilësisë së kapitalit njerëzor duke treguar se PISA, si një indikator i parë i cilësisë së arsmit, vendos një standard në përmisimin e aftësisë prodhuese në të ardhmen e ekonomisë. Ky model është zhvilluar kryesisht nga ekonomisti Romer dhe Aghion.

Teksa Shqipërisë po i largohet forca punëtore dhe rritja ekonomike po ngadalësohet në nivele 2.5% në vit një shtytje e fortë për qeverinë do të ishte përqëndrimi në përmisimin e produktivitetit të punonjësve të mbetur shqiptarë. Një klimë e mirë në të bërit biznes, favorizim fiskal dhe institucional për kompanitë që investojnë në përmisim të burimeve njerëzore dhe në kërkim e zhvillim do të krijonin kushtet për të nxitur zmadhimin e picës (byrekut) për brezat që vijnë. Por gjendja bëhet tejet shqetësuese kur Shqipëria është e fundit në shpenzime për kërkim e zhvillim në Europë dhe kur taksat për kapitalin njerëzor janë më të lartat në rajon.

Taksa e famshme progresive mbi kapitalin njerëzor ka dekurajuar pikërisht ata studentë që kanë notat më të larta në PISA dhe që teorkisht do të ndihmonin vendin të zmadhonin picën. Me mentalitetin e një shteti të varfër që kërkon të bëjë rishpërndarje pasurie me taksa dhe menaxhimin me nikoqirllëk në mënyrë të barabartë të atyre pak burimeve financiare që ne kemi, ekonomia shqiptare do të futet sërish në një dekadë stanjacioni ekonomik ku do zihemi gjithnjë e më shumë sesi të ndajmë picën por duke mos menduar asnjëherë si ta bëjmë atë më të madhe. E edukimi?! Edukimi është përgjigja. Duhet të mendojmë për PISËN e jo më për picën.

Leave A Reply

Your email address will not be published.