The news is by your side.

Përfitimet ekonomike të punësimit të grave dhe ngushtimi i hendekut gjinor

Pavarësisht nga disa përparime, boshllëqet në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore midis burrave dhe grave mbeten të mëdha. Madje asnjë ekonomi e përparuar apo e mesme nuk e ka ulur hendekun gjinor nën 7% dhe kjo fushë e pabarabartë e lojës midis grave dhe burrave vjen me një kosto të konsiderueshme ekonomike pasi pengon produktivitetin dhe rritjen.

Një studim i fundit i FMN konstaton se pengesat për gratë që hyjnë në forcën e punës – si shtrembërimet tatimore, diskriminimi dhe faktorët socialë apo kulturorë – janë më të kushtueshëm sesa sugjerohet nga hulumtimet e mëparshme dhe përfitimet nga zvogëlimi i këtij hendeku gjinor janë gjithashtu edhe më të mëdha se sa parashikimet. Për këtë arsye, politikëbërësit duhet të përqëndrohen në largimin e pengesave të tilla.

Analiza mbështetur nga prova të konsiderueshme mikroekonomike, del në përfundimin se gratë dhe burrat sjellin aftësi dhe perspektiva të ndryshme në vendin e punës, duke përfshirë qëndrime të ndryshme ndaj rrezikut dhe bashkëpunimit. Studimi gjithashtu thekson se performanca financiare e firmave përmirësohet më shumë, kur stafi ka një shpërndarje gjinore të barabartë.

Forca e punës është në thelb shuma e numrit të punonjësve gra dhe burra. Sipas studimeve të mëherëshme është dalë në përfundimin se zëvendësimi i një burri nga një grua nuk ka përfitime nga diversiteti gjinor, pasi burrat dhe gratë supozohet të jenë plotësisht të zëvendësueshëm. Por në thelb nuk është plotësisht kështu!

Të dhënat makroekonomike, sektoriale dhe në nivel firme kanë treguar në studimin aktual se  gratë dhe burrat plotësojnë njëri-tjetrin në proceset e punës, duke krijuar një përfitim shtesë nga rritja e punësimit të grave. Me fjalë të tjera, shtimi i më shumë grave në forcën e punës sjell përfitime më të mëdha ekonomike sesa një rritje e barabartë në punëtorët meshkuj ( Këtu reflektohet faktin se, sipas terminologjisë ekonomike, elasticiteti i zëvendësimit midis grave dhe burrave  është i ulët).

Përfitimet kryesore nga ngushtimi i hendekut gjinor

Nxitje më e madhe për rritjen: Për shkak se gratë sjellin aftësi të reja në vendin e punës, rritja e produktivitetit nga shtimi i grave në fuqinë punëtore është  më e madhe se sa mendohet. Në të vërtetë, studimi thekson se ngushtimi i hendekut gjinor mund të rrisë GDP-në me një mesatare prej 35%. Katër të pestat e këtyre përfitimeve vijnë nga shtimi i punëtorëve në forcën e punës, por plotësisht një e pesta e përfitimeve janë rezultat i efektit të diversitetit gjinor.

Produktivitet më i lartë: Kur interpretohen të dhënat e kaluara, vihet re se hendeku gjinor është ngushtuar me kalimin e kohës dhe si rezultat kontributi për rritjen nga efikasiteti i përmirësuar, pra përfitimi nga produktiviteti është zgjeruar. Një pjesë e fitimit që i atribuohet produktivitetit është për shkak të rritjes së pjesëmarrjes së grave me kalimin e kohës.

Të ardhura më të larta për burrat: Rezultatet sugjerojnë gjithashtu se paga e burrave do të rritet si pasojë e përfshirjes më të madhe të grave në fuqinë punëtore. Rëndësia këtu lidhet me faktin se pagat më të larta forcojnë mbështetjen për heqjen e barrierave që i mbajnë gratë larg pagesës së duhur.

Përfitimi përmes rrugëve zhvillimore: Rritja e sektorit të shërbimeve  sjell më shumë gra në forcën e punës dhe pengesat për punësimin e grave e ngadalësojnë këtë proces. Këto pengesa ndryshojnë në rajone të ndryshme- ekuivalente me normat e taksave mbi punësimin e grave. Kështu humbjet përkatëse  janë të mëdha, madje edhe kur lejojnë faktin se “puna shtëpiake” zvogëlohet kur gratë hyjnë në fuqinë punëtore.

Ka disa politika që mund të ndihmojnë në pabarazinë gjinore. Këto përfshijnë miratimin e ligjeve për të siguruar se gratë kanë të drejta të barabarta për të zotëruar pronën dhe për të përfituar kredi. Reformimi i taksave mund të nxisë gjithashtu në pjesëmarrjen në fuqisë punëtore, pa harrura se trajtimi i pabarazisë gjinore fillon që në arsim, kujdes shëndetësor apo të drejta të tilla që çdo individ duhet të gëzojë.

Për vite me rradhë, analizat kanë theksuar kostot ekonomike të pabarazisë dhe mjetet e mundshme për zgjidhjen. Një fushë e pabarabartë midis grave dhe burrave ka kosto të konsiderueshme dhe mund të pengojë shëndetin ekonomik të kombeve. Madje këto kosto shkojnë shumë më thellë se sa fillimisht janë menduar!

/ Përshtatur nga FMN

Leave A Reply

Your email address will not be published.