The news is by your side.

Për shkak të tërmetit buxheti i 2020-ës do rishikohet sërish

Para disa javësh, pas publikimit të draft- buxhetit të viti të ardhshëm, qeveria kishte bërë një alokim paraprak të fondeve, bazuar në parashikimet rreth të ardhurave dhe sektorëve prioritarë. Fondet në dispozicion të dikastereve të caktuara filluan madje edhe të diskutohen në Komisionet Parlamentare, në një kohë që edhe buxheti aktual i vitit 2019 u rishikua me rënie në shumë prej sektorëve.

Megjithatë duket se situata morri një rrjedhë krejtësisht të ndryshme pas tërmetit të së martës së kaluar. Lëkundjet shkatërrimtare që përfshinë vendin shembën qindra banesa, shtëpi e pallate, kryesisht në Durrës, Tiranë dhe zonat përreth. Për pasojë, vëmendja ka kaluar plotësisht tek rindërtimi i godinave për të gjithë personat që kanë mbetur të pastrehë. Si rezultat, buxheti aktual i 2019-ës dhe projektbuxheti 2020 do të rishikohen përsëri, pasi fondet duhet të shkojnë pikërisht për rindërtimin e banesave të shembura dhe restaurimin e atyre të dëmtuara në zonat e prekura.

Kjo është theksuar edhe nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila ka bërë me dije se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të shkurtohen fondet nga projektet infrastrukturore, por edhe shpenzimet korrente, me qëllim gjenerimin e shumave të mjaftueshme për zonat e dëmtuara nga tërmeti.

“Ne e kemi nisur këtë punë, si për efektet në buxhetin e këtij viti ashtu edhe për projekt- buxhetin e vitit 2020, pasi mendojmë dhe jemi duke konsideruar që vlerësimi i dëmeve në një pjesë të caktuar do ketë mbështetjen buxhetore. Ndaj po vlerësohet dhe po shikohet që edhe në vitin 2020 të krijohen hapësira për kursime të mundshme për të përballuar këtë situatë.

Ka projekte, të cilat ne jemi duke i vlerësuar në buxhetin e vitit 2020, të cilat duke i komunikuar edhe me ministritë dhe institucionet përkatëse, mund të shikojmë shtyrjen e tyre me një vit kohë. Në të gjitha këto raste kjo do të krijojë një hapësirë për të optimizuar çdo qindarkë të vitit tjetër dhe për ta alokuar atë atje ku duhet.”

Sipas llogaritjeve të deritanishme nga Ministria në fjalë, kostoja paraprake e dëmeve nga tërmeti llogaritet në rreth 500 milionë euro. Megjithatë kjo ende nuk ka përfunduar vlerësimi total i banesave dhe fatura mund të jetë edhe më e lartë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.