The news is by your side.

Paratë nuk blejnë dot nivelin e sistemit arsimor, çelësi mbetet marrëdhënia njerëzore!

Në rrjetet dhe komunitetet akademike, marrëdhëniet ndërmjet zyrtarëve të shkollave, stafit, mësuesve e prindërve me nxënësit apo studentët janë ato që ndërtojnë besimin dhe formësojnë normat për të nxitur arritjet. Të gjitha këto lidhje referohen si të ashtuquajturat  kapital social dhe sot padyshim  studiuesit e vendosin theksin tek marrëdhënie sa më të shëndetshme  e kapital social produktiv, si çelësi për një sistem arsimor të suksesshëm.

Një hulumtim nga Novice G.Fawcett , profesor dhe pjesë a administratës mësimore në Universitetin Shtetëror të Ohajos dhe bashkëautor Roger Goddard e vendos theksin tjetërkund. Studimi i publikuar së fundi tregon se marrëdhëniet e forta mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve në shkolla kanë më shumë ndikim në përmirësimin e të nxënit të nxënësve sesa mbështetja financiare. Në të merren në konsideratë një sërë shkollash në Michigan dhe për to zbulohet se kapitali social ka tek rezultatet një efekt 3-5 herë më të madh se sa kapitali financiar. 

Duke marrë në shqyrtim 5,003 studentë dhe mësuesit e tyre nga 78 shkolla publike, studimi synonte që numri i lartë i të përfshirëve të rezultonte në përfundime sa më të sakta dhe integrale. Prandaj mostra është përfaqësuese demografike e shkollave shtetërore. Për sa i përket metodologjisë së studimit, janë ndjekur një sërë vlerësuesish. Së pari, mësuesve dhe pedagogëve ju është kërkuar plotësimi i një pyetësori për të matur nivelin e kapitalit shoqëror të shkollave ku bënin pjesë. Ndërsa për matjen e kapitalit financiar të investuar tek secili institucion arsimor, u përdorën të dhënat shtetërore për shpenzimet mësimore. Së fundi, për të vlerësuar nivelin e të nxënit, hulumtuesit përdorën të dhënat e performances së studentëve tek testet e kryera gjatë vitit.

Rezultatet e studimit  treguan se mesatarisht shkollat ​​që shpenzonin më shumë para vërtet  kishin rezultate më të mira se ato me më pak investime, por ama efekti i kapitalit social ishte tre herë më i madh se kapitali financiar në rezultatet e lëndëve shkencore  dhe pesë herë më të mëdha tek rezultatet e atyre shoqërore. Nga rezultatet gjihashtu shihej se kapitali social i shkollave ishte më i rëndësishëm  jo vetëm se sa shpenzimet financiare mësimore por edhe se niveli i varfërisë së studentëve në shkolla, përbërja etnike ose rezultatet e mëparshme të përllogaritura. Kjo u vu re pikërisht kur niveli i varfërisë për shembull u rrit dhe pritej që si rezultat të shkaktohej një tkurrje e ndjeshme e kapitalit social, gjë që nuk rezultoi kështu por vetëm sa shënoi një rënie të ulët.

Shpesh kur vlerësohet suksesi dhe analizohet pse disa shkolla punojnë më mirë se të tjerat e rezultojnë më performante, diferencat tek shumat e parave që investohen tek to supozohen si shpjegimi më i pranueshëm. Sigurisht që paraja është e rëndësishme dhe padyshim cilësohet si force lëvizëse e shoqërisë, por arsimi shkon përtej kësaj! Sipas rezultateve të studimit, përveç shpenzimeve monetare sistemi arsimor ka nevojë që vëmendja të kthehet tek kapitali social, i cili meriton një rol, që sot ende nuk po i jepet sa duhet. Për rrjedhojë, ai ka nevojë për mënyra kosto-efektive për mbështetjen e studentëve, sidomos atyre jo shumë të favorizuar ekonomikisht nga rrethanat.

Studimi gjithashtu gjeti se paratë e shpenzuara për mësimin e studentëve nuk u shoqëruan me nivelet e kapitalit social në shkolla. Kjo do të thotë që shkollat ​​nuk mund të “blejnë” kapitalin social vetëm duke shpenzuar më shumë para. Me sa duket edhe këtu shfaqet cliché – ja e famshme se paratë nuk blejnë dot çdo gjë dhe marrëdhëniet shoqërore kërkojnë një lloj tjetër investimi.

Megjithatë, pavarësisht përfundimeve të mësipërme, studimi nuk  përgjigjet si mund të  kultivohet kapitali social në shkolla, por Goddard edhe për këtë pike jep disa rekomandime.  Njëra prej tyre është për shembull fakti që shkollat duhet  të bëjnë më shumë për të ndihmuar mësuesit të punojnë së bashku. Hulumtimet tregojnë se sa më shumë mësues të bashkëpunojnë, aq më shumë ata punojnë efektivisht në përmirësimin e mësimdhënies e për pasojë aq më të larta janë rezultatet. Kjo ndodh si rrjedhojë e faktit se puna bashkëpunuese ndërton kapitalin social që u ofron studentëve akses në mbështetje të vlefshme.

Ndërtimi i lidhjeve me komunitetin është gjithashtu një hap tjetër i rëndësishëm. Programet e mentorimit në shkolla që lidhinstudentët e të rinjtë me profesorë e njerëz më të eksperiencuar janë një prej këtyre ideve. Ndërveprimet e qëndrueshme gjatë kohës, të përqendruara në mësimin dhe praktikën efektive të mësimdhënies, janë mënyra më e mirë që njerëzit  të ndërtojnë besimin dhe të ndërtojnë rrjete, në  qendër të së cilave vendoset  kapitali social.

Ne ditët e sotme, ku arsimi global ka arritur në nivele shumë të larta dhe investimet për të shkojë në po të njëjtin trend, fokusi duhet të kthehet tek përpjekjet e qëllimshme  për të ndërtuar kapitalin shoqëror në shkolla. Ajo nuk mund të lihet në dorë të rastësisë! Në fund të fundit, arsimi, si çdo gjë tjetër funksionon mbi njerëzit dhe për njerëzit. Le t’iu japet atyre vendi që u takon!

Ohio State University

/Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.