The news is by your side.

Paradoksi/ 44% e deputetëve: Nuk kemi hapësirë për të ndryshuar Shqipërinë

Deputetët e një vendi janë të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e një pjesë të popullsisë në Kuvend, dhe si të tillë ata janë zëri i kësaj pjese të popullsisë në legjislativ. Po ashtu, ata në parim duhet të jenë personat që përpos rolit si përfaqësues të popullit, të gjenerojnë së paku një grimë mundësie për ndryshimin e gjërave në vend. Por çfarë ndodh kur vetë deputetët nuk e besojnë këtë gjë?

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka publikuar një panoramë të deputetëve në të parin anketim të realizuar me deputetë të parlamentit të Shqipërisë për perceptimet e tyre ndaj funksionit, formimin, karrierën dhe njohjen e legjislacionit. Në anketim nga organizata e fokusuar te monitorimi i institucioneve demokratike morën pjesë 89 nga 140 deputetë të parlamentit të vendit nga katër forcat kryesore të politikës PS, PD, LSI dhe PDIU. Shumica e tyre mendojnë se e kanë përfaqësuar me dinjitet elektoratin/partinë dhe vetëm 8-9% pranojnë se kanë dështuar në pritshmëritë ndaj tyre.

Megjithatë  44% e deputetëve janë të bindur se nuk kanë hapësirë për të ndryshuar Shqipërinë.

Një set tjetër pyetjesh lidhej me statutin e deputetit, me privilegjet, të drejtat dhe përfitimet në kuadër të tij. Rezultatet tregojnë se deputetët kanë në masë pasaportë diplomatike për bashkëshortët e tyre, përfitojnë nga trajtimi i rregullt financiar me dieta e honorare dhe afërsisht gjysma e tyre kanë zyrë të ofruar nga Kuvendi apo përdorin sallën VIP në Rinas.

Po ashtu, gati një e treta e deputetëve deklarojnë se nuk janë në dijeni të kostos financiare të akteve që vetë votojnë, dhe rreth një e treta nuk është në dijeni për nivelin e zbatimit të akteve që miratojnë përfshirë edhe rezultat parlamentare. Në të dhënat e nxjerra nga përgjigjet e deputetëve rezultojnë se ka një 10-11% raste kur deputetët kanë votuar ligje dhe akte pa i kuptuar ato dhe 17% thonë se kanë votuar jashtë vullnetit të tyre personal si deputet.

Një set pyetjesh iu adresuan deputetëve lidhur me kapacitetet e tyre për kualifikim brenda parlamentit, për informacion, për trajnim, për angazhime në botime brenda kuadrit parlamentar, etj.

Nga të dhënat rezulton se:

· vetëm një e treta e deputetëve janë frekuentues të arkivit dhe bibliotekës së Kuvendit;

· 38% janë lexues të revistës së Kuvendit, e cila u jepet falas deputetëve;

· 70% janë ndjekës të rregullt të Fletores Zyrtare ku botohen ligjet e miratuara nga vetë deputetët,

· 88% janë ndjekës të rregullt të medias politike (gazeta dhe në TV),

· 64% deklarojnë se janë lexues të rregullt të librave politikë më në zë që botohen në Shqipëri;

· 79% marrin pjesë rregullisht në trajnime, konferenca e seminare në Kuvend;

· 41% janë angazhuar në shkrime të ndonjë artikulli në revista të ndryshme përfshirë atë të Kuvendit,

· 85% janë pjesëmarrës në referime të ndryshme, brenda e jashtë vendit, si dhe

Kështu, pavarësisht këtij studimi, është e vështirë të besohet se deputetët (44% e tyre) në vendin tonë nuk besojnë se gjërat mund të ndryshojnë, kur vetë ata e kanë në dorë këtë ndryshim. Llogarit këtu të gjitha facilitetet që ata përfitojnë qysh nga pasaporta diplomatike e deri dietat e honorarët, sërish ndihen të pakënaqur dhe nuk besojnë në ndryshimin e gjërave. Këtu na lind e drejta të pyesim: po qytetarët e thjeshtë të cilët nuk kanë asnjë nga këto facilitete dhe nuk kanë asgjë në dorë, si duhet të ndihen?

Leave A Reply

Your email address will not be published.