The news is by your side.

Paradigmat e reja të arsimit në Shqipëri (7 teza)

Nga Rezart Prifti (Pedagog UT)

Çdo shtet në gjithë historinë e zhvillimit të tij ka dy boshte kryesore: edukimin dhe shëndetësinë. Diskutimit se çfarë e zhvillon një shoqëri prej kohësh i kanë dhënë përgjigje mendimtarë, shtetarë, studiues dhe madje në formë deduktive dhe njerëz që nuk merren me fushën. Përgjigjia është edukimi!

Teoricienët e ekonomisë që kërkonin dikur faktorët kryesor të zhvillimit mendonin se një vend me shumë burime natyrore kishte avantazhe të mëdha në krahasim me të tjerat, por koha tregoi se ato vende ato burime natyrore nuk i kthyen ndonjëherë në pasuri natyrore e rrjedhimisht kombëtare për shoqëritë e tyre. Kjo për arsye se vendet me të edukuara i përdorën ato për të ngritur ekonomitë dhe shoqëritë e tyre.

Sot në botë është koha e ndryshimeve të mëdha në edukim. Njohuritë, infrastuktura, orientimi i arsimit, lidhja e tij me biznesin dhe përgjegjësia e shtetit janë në faza shumë të zhvilluara dhe rrjedhimisht kanë probleme dhe diskutime të një dimensioni tjetër ndryshe nga ç’ka Shqipëria.

Sistemi arsimor e ka gjenezën nga sistemet ushtarake të cilat deshën disiplinë dhe armata njerëzish të bindur për një funksion. Ndaj dhe vendosja e bankave nëpër klasa ka strukturën në rresht me dikë para që u drejtohet nxënësve apo studentëve. Edukimi mbi këtë koncept i përgjigjesh kontekstit historik të ekonomisë industriale të prodhimit, e cila për kohën që ishte kërkonte grupe të ngjashme njerëzish, për probleme të ngjashme, për linja të mëdha prodhimi në seri të cilat kryenin të njëjtën punë për një kohë të gjatë dhe prodhonin produkte në masë. Bota ndryshoi duke ju përshtatur kohës dhe zhvillimit socio-ekonomik, madje shpesh herë, vendet e zhvilluara i paraprinë këtyre zhvillimeve duke i diktuar ato.

Shqipëria sot është në kontekst tjetër me botën sepse nuk i ka kaluar këto stade zhvillimore. Sistemi ynë është aq jashtë funksionit sa ka prodhuar thagma me dëm të madh ndër breza. Ky sistem ka prodhuar shkollim, por jo edukim. Në një vend që shkollimi u bë në masë dhe të gjithë u pajisën me lloje e soje diplomash, por që prap nuk janë edukuar mbi të gjitha si qytetarë dhe gjithashtu si elementë funksional të një tregu ekonomik. Ky sistem ka prodhuar papunësi të madhe, por dhe njerëz në masë që kërkojnë punë. Ky sistem ka prodhuar arsimtarë të paarsimuar, por dhe të arsimuar që bëjnë punë jo për arsimin përkatës. Ky sistem, ka prodhuar shkencë, por dhe shkencë nuk ka. Ky sistem, ka prodhuar kurrikula për të tre nivelet e arsimit, por këto kurrikula nuk i përgjigjen nevojave që ky treg ka. Ky sistem, ka shpenzuar miliona euro, por infrastukturë arsimoreakoma nuk ka.

Po pse ende pas kaq shumë vitesh Shqipëria akoma nuk e ka reformuar sistemin e edukimit në mënyrë që tu përgjigjet nevojave të tregut dhe zhvillimeve globale në të cilat do konkurojë? Si fillim, historikisht politikbërja në këtë aspekt, e jo vetëm, ka vuajtur nga një mungesë vizioni dhe dritëshkurtësi e skajshme. Asnjëherë një reformë e nisur, një projekt zhvillimor, një plan aksioni ose një iniciativë nuk ka vajtur deri në fund. Në rastin më të mirë janë realizuar vetëm në letër dhe në rastin më të keq kanë qenë skema korruptive të cilat kanë bërë që fondet e shpërndara të mos kthehen ndonjëherë në investime reale. Një mangësi tjetër e madhe ka qenë dhe mospasja e njohurive të duhura të personave të angazhuar me edukimin dhe politikbërjen në të. Këtu dalloj tre grupe të ndryshme. I pari, është grupi i njerëzve me mungesë aftësishë menaxheriale në rang ministrie dhe drejtorishë. Drejtuesit e institucioneve të varësisë kanë qenë kryesisht njerëz pa kurrfarë eksperience dhe ‘qoka’ politike. Njerëz që nuk kanë patur kualifikime në lidership, menaxhim njerëzish, fondesh dhe projektesh.

Grupi i dytë, janë specialistët e angazhuar. Këtu janë dy kategori, ku në njërën anë janëata që janë të keqvendosur duke patur kualifikim për tjetër gjë dhe janë vendosur në një funksion të cilin nuk e mbulojnë dot dhe specialistët që janë të kualifikuar por që nuk specializohen deri në fund me procesin për ta njohur mirë atë dhe të kenë mundësi të zhvillohen përtej aspektit teknik të punës, pra në atë konceptual. Grupi i tretë, është më i çuditshmi për arsye sesi shumë gjëra që ngatërrohen edhe këtu është një e tillë. Ky grup përfshin njerëzit që presupozohen të jenë me eksperiencë mbi 30 vjeçare (ose shumë eksperiencë). Në këtë rast të kesh shumë eksperiencë nuk është detyrimisht pozitive sepse më shumë tregon sesa jashtë tregut dhe zhvillimeve është personi sesa sa njohuri të thella për fushën ka ai.

U ndala në këtë sintezë në dy aspekte kryesore. I pari është konteksti historik i zhvillimit të edukimit dhe i dyti te njerëzit. Te i pari, për arsye se në shoqërinë tonë mosnjohja e historisë, shpeshherë dhe mospërfillja e saj ka bërë që të mos zhvillohen proceset e nevojshme dhe edhe ato pak që kanë patur vlerë të zerohen. Jo vetëm në edukim por edhe në shumë aspekte ka qenë sindromi i të filluarit nga zero, pra çdo gjë që është bërë para ka qenë gabim! E dyta, te njerëzit sepse unë besoj se njerëzit janë ato që e bëjnë dallimin në çdo gjë. Njerëzit me vlerë, njerëzit e mirëvendosur sipas kualifikimit, njerëzit e frymëzuar dhe njerëzit me integritet. Çdo gjë tjetër është instrument i tyre e që në kohën në të cilën jetojmë gjendet me lehtësi të madhe. Së fundi, do ti shtoja dhe një element tjetër që ka të bëj me misionin e çdokujt, me vizionin e përbashkët të cilat ndikojnë mendësinë dhe përqasjen ndaj çdo problemi.

Mendësia në sistemin tonë arsimor është ajo që të bën që jo vetëm të vështrosh por dhe të shikosh, jo vetëm të dëgjosh por edhe të kuptosh dhe jo vetëm të zbatosh por dhe të konceptosh. Në optikën e një mendësie të re për sistemin e edukimit në Shqipëri mendoj se janë shtatë dimensionet kryesore të cilat do të bënin strukturën e një strategjie të integruar për ndryshim.

Së pari, ndryshimi i qasjes së edukimit. Ndryshim qasje do të thotë konceptim të ri të rolit të mësuesit/pedagogut brenda institucionit, të marrdhënies me nxënësin/studentin si dhe riformatimin e burimeve tek dijet.

Së dyti, infrastuktura. Infrastuktura e institucioneve të prodhimit të dijes shkon përtej bankës, dërrasës apo kompjuterave që nuk punojnë ndonjëherë. Është ndërthurje e metodave të reja të mësimdhënies, me burime të certifikuara dije dhe një ekosistem informatik i cili u shërben të gjithë stakeholders.

Së treti, buxhetimi i institucioneve arsimore. Buxhetimi i tyre duhet të bëhet me grante konkuruese dhe me kuota minimale të përcaktuara nga akreditimi.

Së katërti, riorientimi i kurrikulës së sistemit parauniversitar. Katastrofa që kanë prurë reformat e pambarimta në këtë sistem, keqmenaxhimi i burimeve dhe rregullat e paqarta në çdo vit kanë sjellë ulje drastike të nivelit të studentëve që hyjnë në universtitet dhe një rezultat fiktiv të tyre.

Së pesti, integrimi kombëtar i kolegjeve profesionale dhe arsimit profesional. Futja e këtyre institucioneve në sistem dhe në një rrjet informativ të mirëorganizuar është emergjente për të bërë alokimin e burimeve njerëzore dhe përshtatjen e nevojtarëve në sistem me ofertën përkatëse për kualifikim.

Së gjashti, rajonalizimi i universiteteve. Parimi universal i zhvillimit të universiteteve prodhoi për një kohë të gjatë diploma fiktive, katastrofë në të cilën ndodhet sot tregu shqiptar dhe humbjen më të madhe të prindërve që investuan për edukimin e fëmijëve të tyre me premisën e rreme se po edukoheshin.

Së shtati, strategjia TripleHelix e cila integron tregun, me universitetet dhe institucionet shtetërore për të prodhuar kërkim shkencor në lidhje me nevojat e tregut dhe me prioritetet kombëtare të identifikuara nga institucionet përkatëse.

Këto shtatë faktorë përbëjnë dimensionet e mendësisë së re në alternativën e zhvillimit të sistemit të edukimit në Shqipëri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.