The news is by your side.

Palmer: Rusia kërkon kaos në Ballkan. Shqipëria dhe Maqedonia të shohin drejt vizionit europian

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka folur së fundi në një intervistë në Radion Evropa e Lirë në Sofje, për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe fokusi ka qënë edhe Shqipëria me Maqedoninë e Veriut. Ai ka shprehur shqetësimin amerikan për qëllimet dhe aktivitetet e Rusisë në rajon, duke vlerësuar se Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë “i përçarë, kundër vetes dhe me një element kaosi në të” sepse vetëm kështu rajoni do të jetë një zonë ku rusët “mund të çojnë poshtë-lart nivelin e tensioneve”.

“Nëse i identifikoj disa, do të veçoja përpjekjet e Rusisë për të zvogëluar mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Ato janë shembull i aktivitetit malinj të shtetit rus.

Sipas Marrëveshjes së Prespës, Shkupi është dakorduar për ndryshimin emrit të shtetit, nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, gjë që i ka hapur rrugë përparimit të tij në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Megjithatë, vitin e kaluar, Këshilli Evropian ka dështuar t’i ndajë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Ne mendojmë se të dyja vendet duhet të kualifikohen me meritë. Mendojmë se është një sinjal i rëndësishëm që duhet t’i dërgohet rajonit. Mendojmë se është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë rrugë të qartë evropiane dhe perspektivë evropiane.” është shprehur Palmer.

Ai ka theksuar gjithashtu se SHBA-ja ka një vizion për Ballkanin Perëndimor dhe se ai është një vizion pozitiv. “Një vizion për një rajon në paqe me veten, në paqe me fqinjët, i qëndrueshëm, i begattë dhe i integruar në familjen evropiane të kombeve. Ky është vizioni ynë, por jo i Rusisë!” shtoi Palmer.

Leave A Reply

Your email address will not be published.