The news is by your side.

Oligarkët e vetmuar shqiptarë

Nga Besart Kadia

Termi i përditshëm në Shqipëri është sesi një “grusht” i vogël personash kanë uzurpuar pushtetin ekonomik të vendit e për rrjedhojë dhe pushtetin politik. Prapambetja ekonomike thuhet se vjen se disa persona kontrollojnë gjithçka duke u pasuruar përtej imagjinatës së njeriut të thjeshtë. Aq të pasur janë ata thuhet në retorikë sa kanë lënë pas dhe shumë të pasur të tjerë të rajonit….

E gjithë kjo frymë nuk vërtetohet nga të dhënat e fundit të publikuara nga SEE News, një media me qëndër në Bullgari, e cila rendit të gjitha bizneset më të mëdhenj te Ballkanit. Në 100 kompani të renditura asnjë prej tyre nuk ka origjinë nga Shqipëria.  Në fakt vetëm dy shtete nuk kanë asnjë renditje në këtë listë: Shqipëria dhe Moldavia. Kjo e fundit renditet më poshtë se Shqipëria për nga PPB/frymë dhe po ashtu pati një ndër dështimet më spektakolare bankare në vitet e fundit për shkak të mashtrimit. Probleme që ne nuk i kemi!

Thënë kjo Shqipëria në 10 dhjetë kompanitë më të mëdha të saj renditen në industrinë e naftës, energjisë elektrike si dhe telekomunikacion. Pavarësisht se kompania më e madhe në vend, Kastrati shpk, ka patur të ardhura me vlerë 540 milionë euro sërish ato janë shumë pak krahasuar me vendet e tjera të rajonit e për rrjedhojë nuk arrin as në 100 kompanitë më të mëdha të rajonit. Ajo që duhet theksuar është fakti se popullsia dhe numri i konsumatorëve mundet të ndikojë direkt në të ardhurat e kompanive tona. Pra në një ekonomi si Rumania me 19.4 milion banor nuk është çudi që 54 kompani me origjinë nga ky shtet janë në këtë renditje.

Së dyti, duhet theksuar se vetëm kompanitë e përfshira në metale, energji apo naftë mundet të kenë mjaftueshëm të ardhura sa të përfshihen në këtë renditje. Struktura e ekonomisë sonë nuk lejon akoma firma të mëdha të cilat mundet të jenë konkurruese mjaftueshëm sa për të kapur tregun e madh Evropian e atë botëror.

Në vend që debati i politikanëve vendas të adresonte pikërisht nevojën e  biznesit për t’u pasuruar më tej e për ti orientuar për të investuar në ato sektorë që do të jenë pjesë e strategjisë kombëtare ne kemi degjeneruar në diskutimin se “oligarkët” po marrin më qafë vendin e disa të pasur po varfërojnë pjesën tjetër të popullit. Nëse vazhdojmë kështu pa diskutuar për politikat e vërteta zhvillimore ne do të mbetemi për një kohë të gjatë jashtë kësaj liste Ballkanike. Shqipëria është vend i varfër… le të fokusohemi në politika zhvillimore e t’ia lejmë debatin e oligarkëve prokurorisë e sistemit të ri gjyqësor…

Leave A Reply

Your email address will not be published.