The news is by your side.

Normat në rënie dhe paraja cash që humbet gjithmonë e më tepër vlerën e saj!

Kur javën e kaluar Rezerva Federale uli normat e interesit për herë të parë që nga viti 2008, njerëzit shpejt theksuan se ky ishte lajm i mirë për konsumatorët dhe kompanitë që kërkojnë të huazojnë para. Por ndërsa normat më të ulëta janë lajm i mirë për këdo që ka borxh, ato janë mallkim për këdo që ka nevojë t’i mbajë paratë e tij të depozituara. “Kjo është një kohë fantastike për bizneset që huazojnë për zgjerim, pasi rendimenti i bonove afatgjata është i ulët. Por normat e ulëta janë një thikë me dy tehe,” tha Gene Dunford, menaxher bankar i korporatave për Umpqua Bank.

Aktualisht Wall Street po pret edhe më shumë ulje të normave në muajt e ardhshëm. Tensionet tregtare SHBA-Kinë janë të larta, tregjet  të paqëndrueshme dhe aksionet shënuan një tjetër rënie të mërkurën, duke stepur edhe më tepër investitorët.

Por kthimet financiare në para dhe obligacione janë praktikisht zero! Rendimenti i bonove 10-vjeçare pati javën e kaluar nivelin e tij më të ulët në tre vjet, me vetëm 1.62%, pasi Presidenti Donald Trump bëri thirrje për ulje”më të mëdha dhe më të shpejta” të normave të interesit nga FED, në kohën kur Bankat Qendrore në Indi, Zelandën e Re dhe Tajlandë kanë pasur tanimë disa faza reduktimi masiv.

Kështu duket se ky është një skenar edhe më i zymtë për njerëzit që po ruajnë paratë e tyre në banka. Michael Reynolds, zyrtar i strategjisë së investimeve në Glenmede Trust Company tha se investitorët janë ende në kërkim të një qarkullimi të qëndrueshëm të të ardhurave. Sipas tij, në këtë moment  ndoshta është më mirë për investitorët të blejnë aksione të pagimit të dividentit, nga të cilat përfitojnë nëse FED vazhdon shkurtimet për të stabilizuar ekonominë e SHBA. Gjithashtu ato sigurojë rendimente më të larta se sa bonot.

“Nëse njerëzit janë të shqetësuar për një luftë tregtare, ka plot mundësi për t’i investuar aksionet. Shërbimet dhe stoqet e pasurive të paluajtshme paguajnë dividend të lartë për shembull,” tha Reynolds. Duke pasur parasysh këtë, Sektori i Pasurive të Patundshme SPDR ka pasur ecuri relativisht të mirë gjatë javës së kaluar. Telekomunikacionet që paguajnë dividentë gjigantë, të tilla si Verizon dhe ndërmarrja mëmë CNN  gjithashtu shihen si vende të sigurta investimi nëse tregu mbetet i paqëndrueshëm.

Charlotte Geletka, drejtuese e Silver Penny Financial Planning, tha se investitorët që duan të kursejnë duhet të zgjerojnë horizontet e tyre. Bursat mund të duken të rrezikshme, por alternativa është vendosja e parave në asete që do të gjenerojnë qoftë edhe pak kthim, nëse ka!

Megjithatë investitorët, të frikësuar nga gjendja e paqëndrueshme duket se po vendosin të parën sigurinë! Duket se në këtë moment vetëm investitorët që nuk parashikojnë rrezik janë më të prirur të investojnë në bono në vend të aksioneve për të gjeneruar të ardhura. Obligacione komunale shihen si një ndër mënyrë që kursimtarët të marrin rendiment në portofolin e tyre. Por edhe ato rendimente janë relativisht të ulëta. Pra, për sa kohë që investitorët janë të paqartë, ka pak mundësi që ata  të gjenerojnë një normë të mirë kthimi nga investimet.

“Kursimi sigurisht është efektiv, por ekziston një mënyrë tjetër që sjell kthim shumë të lartë dhe të ardhura në nivelet e dëshiruara dhe kjo arrihet duke rrezikuar, jo duke pritur të tërhequr vendimet më të sigurta. Kështu që njerëzit do të detyrohen të investojnë me rrezik më të lartë”, tha Tim Courtney, shefi i investimeve të Konsulencës së Pasurisë Exencial.

/ Burimi: CNN Business

Leave A Reply

Your email address will not be published.