The news is by your side.

Nepotizmokracia: Pse demokracia dështon në vendet e varfra

Bardhyl Salihu/ atlasi.al
Në mesin e aspekteve më të brishta të demokracisë—sistemit politik në të cilin zgjedhësit lirshëm i zgjedhin udhëheqësit qeveritar—spikat në veçanti ai i dështimit të saj në vendet e varfra. Në këto vende, politikanët klientelistë e marrin dhe e ruajnë pushtetin duke i blerë votuesit dhe familjarët e tyre me shpërblime materiale. Kjo marrëdhënie simbiotike është aq efikase sa që ua siguron partive klienteliste pushtetin jo vetëm kur qeverisin dobët, por edhe kur janë thellësisht të korruptuara.
Sipas teorisë klasike demokratike, është në interesin e zgjedhësve që ata të votojnë me ndërgjegje, pra për atë parti që ata e konsiderojnë më të mirën për vendin, sepse kështu mund të përfitojnë nga zhvillimi i shoqërisë. Pse nuk ndodhë kjo në praktikë në vendet e varfra? Pse e shesin votën disa votues tek partitë klienteliste?
Sepse votuesit në vendet e varfra e vlerësojnë përfitimin e menjëhershëm dhe të sigurt më shumë se sa përfitimin potencial dhe të pasigurt. Partia klienteliste ua ofron këtë përfitim me një vend pune në shtet, një tender, një shumë parash, etj. Kurse partia “më e mirë” mund t’i ofrojë atyre vetëm atë që ua ofron të gjithë tjerëve.
Për një votues të varfër i cili duhet ta sigurojë mbijetesën dita ditës, shitja e votës për një vend pune përbën një përfitim të menjëhershëm dhe të sigurt. Ndërsa votimi për partinë më të mirë është i pasigurt. Në radhë të parë, nuk është e sigurt që premtimet e partisë më të mirë do të funksionojnë për zhvillimin e vendit. Është e mundur që edhe premtimet me qëllim të mirë të dështojnë. Por edhe nëse funksionojnë, shembull, edhe nëse arrihen të krijohen mijëra vende pune dhe jeta përmirësohet për shumë njerëz, nuk është e thënë që secili votues i asaj partie do të punësohet dhe të përfitoj nga ky përmirësim i jetës. Përveç kësaj, nuk është e thënë që ai përfitim do të materializohet brenda një mandati 4 vjeçar, përderisa kushedi sa kohë të mbetet i papunë.
Të gjitha këto konsiderata i shtyjnë disa votues ta zgjedhin përfitimin e menjëhershëm dhe të sigurt duke votuar për partitë klienteliste. Kjo zgjedhje bëhet edhe më e lehtë kur partitë tjera kanë oferta të dobëta dhe thuajse i gjithë spektri politik kërkon ta vë një marrëdhënie të tillë klienteliste me elektoratin.
Ky problem nuk paraqitet në vendet e pasura, si për shembull Zvicra, për shkak se votuesi e ka rehatinë financiare për të votuar pa u shitur. Ai nuk pret ndonjë përfitim material kur voton dhe partitë politike as që përpiqen ta blejnë votën e tij.
Në Kosovë, ku praktika e blerjes së votës është tepër e përhapur dhe në veçanti e përsosur nga Partia Demokratike e Kosovës, një numër i madh i zgjedhësve do të votojnë gjithmonë njëjtë, pavarësisht të metave të partisë së cilën e votojnë, thjeshtë sepse kanë përfitim konkret dhe të menjëhershëm nga ajo.
Këta zgjedhës nuk duan t’i rrezikojnë privilegjet duke spekuluar në një parti tjetër nga e cila mund të mos kenë dobi fare. Vetëm ajo pjesë e zgjedhësve që nuk përfiton nga partitë klienteliste, si për shembull diaspora, mund të votojë për atë që e konsideron si partia më e mirë, ashtu siç e bën në çdo palë zgjedhje. Kjo nuk nënkupton që zgjedhja e tyre është e drejtë; thjesht tregon që ata votojnë me ndërgjegje e jo për ndonjë përfitim material.
Në anën tjetër, partia klienteliste duhet të kujdeset çdo vit që buxhetin e shtetit ta shfrytëzoj në mënyrë racionale. Natyrisht, “racionale”, këtu nuk nënkupton zhvillimin e vendit por kënaqjen e bazës së saj zgjedhore pa e shterur mundësinë për rekrutimin e zgjedhësve të rinj. Por e keqja nuk përfundon këtu dhe është edhe një aspekt perfid i këtij sistemi klientelist. Partia në pushtet duhet gjithashtu ta shkatërrojë qëllimisht meritokracinë, në mënyrë që demoralizohet votuesi i ndërgjegjshëm. Kur votuesi i rëndomtë nuk ka asnjë fije shprese se diçka mund të arrihet me meritë, ai do të jetë më i gatshëm ta shes votën nga dëshpërimi.
Kjo situatë nënkupton që Kosova gjendet në një çark vicioz: është e varfër, prandaj ka demokraci të dështuar, si dhe demokracia e dështuar e pamundëson daljen nga varfëria. Fakti që kjo situatë mbretëron qe 20 vite tregon sa thellë është i ngulitur problemi.
Mund të imagjinohet që e vetmja mënyrë se si vendet e varfra mund ta thyejnë çarkun e demokracisë së dështuar është nëse numri i zgjedhësve të “pa inkuadruar” në partitë klienteliste e përmbys atë pjesë të elektoratit që e shet votën.
Për këtë nevojitet përmirësimi i ofertës politike me hyrjen në skenë të njerëzve të ri, profesionistë, me integritet dhe vizion për zhvillimin e vendit. Gjasat që kjo të ndodhë janë të ulëta sepse njerëzit e tillë zakonisht kanë kritere të larta etike dhe nuk duan të njollosen duke u futur në politikë.
E vetmja gjë që mbetet është shkatërrimi i gjithë sistemit si rezultat i rekrutimit të një numri gjithnjë e më të madh të votuesve deri në masën që thyhet kurrizi i buxhetit të shtetit. Nëse kjo ndodhë, vendin e pret një katastrofë. Por siç thonë, nganjëherë duhet ta prekësh fundin për t’i arritur majat.

Leave A Reply

Your email address will not be published.