The news is by your side.

Në kohën e ringjalljes së socializmit, mos harroni fuqinë e kapitalizmit!

Fundi i viteve 1980 do i gjente shtetet anembanë globit me ndryshime të shumta politike, të cilat padyshim influencuan edhe dekadat në vazhdim deri në ditët e sotme. Pas rënies së ekonomive socialiste në Bashkimin Sovjetik e bllokut lindor dhe kalimit të Kinës në kapitalizëm, të majtët në Perëndim kishin nevojë për një shembull të ri të botës reale, me të cilin të mund të ushqenin dëshirat e tyre utopike. Koreja e Veriut dhe Kuba, dy shtetet e vetme të mbetura komuniste, nuk e mbushën plotësisht atë boshllëk. E pastaj kur Hugo Chavez erdhi në vëmendje, u pa si Mesia i ri që prej kohësh prisnin!

Chavez gëzonte shumë admirues mes intelektualëve të krahut të majtë, ndër të cilët ishte Tom Hayden, i entuziazmuar shprehej asohohe: “Me kalimin e kohës unë parashikoj se emri i Hugo Chavez do të nderohet nga miliona.” Cornell West gjithashtu e shpalli veten publikisht tifoz: “Hugo Chavez e ka kthyer varfërinë në një përparësi të madhe. Uroj që edhe Amerika të ketë prioritet varfërinë, ndërsa Barbara Walters e gjendur në po të njëjtën linjë, do të thoshte: ” Ai kujdeset kaq shumë për varfërinë, ndoshta sepse është socialist. Atë që ai po përpiqet të bëjë për Amerikën Latine, të eleminojë varfërinë, ata nuk e kanë arritur pavarësisht se janë përpjekur për vite me radhë. Ai nuk është njeriu i çmendur që kemi dëgjuar. Ky njeri është shumë inteligjent! “

E nëse kthejmë kokën pas për të parë rezultatet natyrisht nuk do çuditemi! Tashmë e dimë saktësisht se ky eksperiment i “socializmit për shekullin 21” përfundoi po njëlloj si çdo eksperiment tjetër socialist gjatë 100 viteve të fundit – në katastrofë. Thjesht 30 vjet pas rënies së socializmit shumica i kanë harruar tashmë këto dështime. E pavarësisht të gjithave në shumë vende perëndimore sot, vihet re një tjetër prirje, “kapitalizmi” tashmë cilësohet si një fjalë e keqe për t’u thënë, ndërsa socializmi po shndërohet përsëri në një tërheqje e re. Kjo vlen edhe për Shtetet e Bashkuara, ku demokratët po bëjnë thirrje për taksat drastike për të pasurit deri në 70 për qind dhe e gjitha kjo duke përdorur një retorikë të mprehtë anti-kapitaliste.

Mbi të gjitha, anti-kapitalistët ankohen për pabarazinë në rritje. Gjithnjë e më tepër ata po injorojnë faktin asnjë epokë tjetër në historinë njerëzore, jo vetëm që nuk ka sjellë barazi të plotë, por asnjë e tillë si kapitalizmi nuk ka parë kaq shumë njerëz të shpëtojnë nga varfëria në një kohë po kaq të shkurtër sa gjatë 30 viteve të fundit. Një shembull i kësaj është Kina. Në vitin 1981, 88% e popullsisë jetonte në varfëri të skajshme. Sot, shifra është vetëm 1 për qind. Ka vetëm një arsye për këtë rënie ekstreme në shkallën e varfërisë në Kinë: rënia e vazhdueshme e ndikimit të shtetit mbi ekonominë, megjithëse ende cilësohet relativisht i lartë.

Përgjatë viteve që kaluan, kinezët lejuan pronësinë private dhe zgjeruan në mënyrë dramatike liritë e tregut. Sigurisht që pabarazia për pasojë do të rritej, por sot jemi para një realiteti të ri atje! Asnjë vend tjetër në botë nuk ka krijuar aq miliarderë të rinj çdo muaj si Kina. Kjo tregon qartë se anti-kapitalistët janë gabuar kur pretenduan se kapitalizmi është një lojë “zero-sum”, në të cilën, të pasurit e krijojnë pasurinë e tyre vetëm në kurriz të të varfërve.

Dhe jo vetëm Kina! Globalizimi kapitalist ka çuar në një ulje globale të varfërisë edhe përtej Kinës. Në vitet 1960, Koreja e Jugut për shembull ishte një nga vendet më të varfra në botë. Koreja e Veriut, ende komuniste mbetet e varfër, por Koreja e Jugut përqafoi kapitalizmin dhe tani ka një ekonomi të lulëzuar.

Ndërsa për Venezuelën nuk mund të thuhet e njëjta gjë pasi situata paraqitet ndryshme. Në vitin 1970, vendi ishte vendi i 23-të më i pasur në botë, por gradualisht ose jo gjithçka rra. Që nga mesi i viteve 1970, ekonomia është dobësuar vazhdimisht nga rregullat gjithnjë e më të rrepta të tregut të punës.

Në vitin 1999, Hugo Chavéz erdhi në pushtet dhe Venezuela u konsiderua nga shumë intelektualë e politikanë të krahut të majtë në vendet perëndimore si shembull në luftën kundër varfërisë dhe kapitalizmit. Një krahasim i zhvillimit të Kilit dhe Venezuelës në dekadat e fundit tregon qartë superioritetin e kapitalizmit. Kili është vendi më kapitalist në Amerikën Latine. Është gjithashtu vendi në të cilin jetët e njerëzve janë përmirësuar më së shumti. Nga ana tjetër, Venezuela ka parë 20 vjet eksperimente socialiste që shkaktojnë uri dhe varfëri aq sa miliona njerëz janë larguar tashmë nga vendi.

E megjithatë ky nuk është socializmi i vërtetë!

Anti-kapitalistët argumentojnë se kurrë nuk kanë pasur për qëllim një regjim si Venezuela, Kuba dhe Koreja e Veriut – pasi ata donin “socializëm demokratik”. Por, lloji i “socializmit demokratik” që mbush ëndrrat e demokratëve të krahut të majtë në Shtetet e Bashkuara ose përkrahësit e Jeremy Corbyn në Britaninë e Madhe kanë dështuar – njerëzit tashmë e kanë harruar.

“Socializmi demokratik” ekzistonte në Britaninë e Madhe dhe në Suedi në vitet 1970, me taksa jashtëzakonisht të larta për anëtarët më të pasur të shoqërisë dhe ekonomitë nën ndikimin e fortë të shtetit. Në të dy vendet, ky eksperiment me “socializmin demokratik” përfundoi në katastrofa ekonomike.

Vetëm duke zbatuar reforma kapitaliste, Britania dhe Suedia ishin në gjendje të ktheheshin në rrugën drejt prosperitetit dhe rritjes. Suedia nga ana tjetër, që prej kohës që ka pushuar së qëni një vend socialist, listohet në Indeksin e Lirisë Ekonomike të Fondacionit Heritage, si një nga 20 vendet kapitaliste me mirëqënien më të lartë në botë.

Gjatë 100 viteve të kaluara, të gjitha eksperimentet e botës reale kanë prodhuar vazhdimisht rezultate të ngjashme, ndërkohë që dëshmitë tregojnë se më shumë kapitalizëm do të thotë përparim më të madh. Sidoqoftë, me ndikimin në rritje të socializmit, përhapjen e ideologjive populiste dhe utopike apo gjithë rezultatet aktuale politike e jo vetëm, vlen tipikisht shprehja e filozofit gjerman Hegel. Në kohë e tij, ai do të shprehej ” Ajo çfarë përvoja dhe historia na mësojnë është pikërisht kjo: popujt dhe qeveritë nuk kanë mësuar kurrë ndonjë gjë nga historia dhe po kurrë nuk kanë vepruar në bazë të parimeve të nxjerra prej saj”.

Foundation for Economic Education

/Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.