The news is by your side.

Ndryshon sërish ligji i ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale

Një ligj i ri dhe krejtësisht i ndryshëm nga ai ekzistues lidhur me pagesat e ndihmës ekonomike dhe ato të aftësisë së kufizuar, pritet të votohet së shpejti në Parlament. Sipas ndryshimeve të parashikuara, pritet që me ligjin e ri të hiqet tavani prej 8000 lekësh që rezulton aktualisht si ndihmë ekonomike për familjet në nevojë. Gjithashtu sipas legjislacionit të ndryshuar të asistencës sociale, përfituesit e ndihmës ekonomike nuk do të përcaktohen më nga këshillat bashkiakë , por nga shërbimi social shtetëror.

Gjithashtu ligji i ri parashikon që asistenca nuk do të vazhdojë gjithmonë e në mënyrë të përherëshme për personat, të cilët aktualisht e përfitojnë atë pasi rezultojnë si të papunë. Përkundrazi, personat e kësaj kategorie do të asistohen me programe punësimi.

Ndërkohë ndryshime parashtrohen edhe tek përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar. Kjo do të bëhet tashmë në bazë të vendimit të komisioneve të posaçme mjekësore dhe në rast se prej tyre rezulton që personi është i aftë të punësohet, atëherë 4 vite pasi ai ka nisur punën, pagesa e invaliditetit që ai përfitonte më herët, ndërpritet. Kjo përqasje e fundit tek ndryshimi  u kundërshtua nga shoqatat për mbrojtjen e personave me aftë si të kufizuar.

Aktualisht, në skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar përdoret një sistem pikëzimi, zbatimi i parë i të cilit filloi në Janar të vitit 2018. E cilësuar si një reformë e suksesshme për reduktimin e varfërisë, duket se në të vërtetë ajo nuk ishte aspak e tillë, përkundrazi.

Në Shkurt të 2018-s, aplikimi i sistemit të ri të Ndihmës Ekonomike nxorri nga skema disa mijëra familje duke ulur me më shumë se 1 të tretën numrin e përfituesve. Në fund të vitit 2018, numri i familjeve që merrnin ndihmë ekonomike ishte rreth 54 mijë, sipas të dhënave  publikuar nga INSTAT dhe ky rezultonte si numri më i ulët i familjeve, që merrin ndihmë ekonomike, që prej vitit 1998, kur INSTAT raporton të dhënat zyrtare. Kështu si pasojë e sistemit të pikëzimit, në raport me 2017-n, numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike ishte 33% më i ulët, ose gati 27 mijë familje më pak.

Me aplikimin e skemës së re, shumë prej familjeve shprehën ankesën se ishin përjashtuar pa të drejtë dhe se kriteret e përdorura nuk ishin tregues realë të situatës. Kjo bëri që bashkitë të merrnin flukse ankesash, të cilat i transferoheshin më pas Ministrisë së Mbrojtjes Sociale, si institucioni përgjegjës për projektin. Por edhe vetë institucionet kanë konstatuar se numri i familjeve të varfra është më i madh sesa ajo që sistemi ka “regjistruar” falë plotësimit të kritereve. Vetë një raport  i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konkluduar se skema e ndihmës ekonomike nuk është efektive për zbutjen e varfërisë. Sipas KLSH, shuma e përcaktuar nga skema  nuk reflekton nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve, duke qenë se nuk ka një vlerë zyrtare të përditësuar të minimumit jetik në Shqipëri.

/ Përshtatur nga Top Channel

Leave A Reply

Your email address will not be published.