The news is by your side.

Miqësia me Johnson nuk do e ndalë Trump për t’i vendosur Britanisë sanksione tregtare

Megjithëse që pas zyrtarizimit të Brexit, Britania është afruar më shumë me SHBA-të dhe madje synon të nënshkruajë me to një marrëveshje tregtare fitimprurëse, duket se kur vjen puna tek politika e jashtme Trump di të jetë shumë strikt. Pavarësisht se dje nga Davos, ai deklaroi se është mik i mirë me Boris Johnson dhe së shpejti do bien dakord për një ujdi, po nga Davosi dje Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë vendosjen e tarifave për makinat e prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar në rast se vendi ecën përpara me taksën për shërbimet digjitale.

Mnuchin tha në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër se Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë taksat e shërbimeve digjitale si ajo që ka vendosur Franca, dhe që po planifikohen edhe Mbretëria e Bashkuar apo Italia, si të padrejta për kompanitë amerikane të teknologjisë.

Më herët, Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, ranë dakord këtë javë për një armëpushim lidhur me këtë çështje pasi Shtëpia e Bardhë kërcënoi të rritë ndjeshëm tarifat për mallrat franceze, të tilla si vera, djathi dhe çantat. Franca tashmë ka prezantuar një taksë prej 3% për shërbimet digjitale amerikane.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Britania vazhdon përpara me taksën e saj, Mnuchin tha se Washingtoni do të konsiderojë vendosjen e sanksioneve për eksportet e makinave në Mbretërinë e Bashkuar. “Nëse ata duan të vendosin në mënyrë arbitrare taksat mbi kompanitë tona digjitale, ne do të konsiderojmë vendosjen në mënyrë arbitrare të taksave për kompanitë e makinave.” paralajmëroi Mnuchin, zyrtari i lartë i administratës Trump, i cili megjithatë tha se ishte i sigurt se çështja do të zgjidhej. “Ne do të kemi disa biseda private. Jam i sigurt që do të punohet, nëse jo në nivelin tonë, atëherë midis kryeministrit dhe presidentit që kanë një marrëdhënie të shkëlqyeshme.” shtoi Mnuchin.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave në Mbretërinë e Bashkuar, Sajid Javid, i cili ishte gjithashtu në panel, tha se ai po planifikon të vazhdojë me taksën e shërbimeve dixhitale në prill, në një kohë kur vendi kërkon të negociojë një marrëveshje të re të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara pas Brexit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.