The news is by your side.

Mësimi që të ndryshon jetën: “Zbuloni misionin e jetës suaj!”

Siu Rui Quek ka pasur gjithmonë shpirt sipërmarrës. Si adoleshent, ai ndiqte pasionin e tij për teknologjinë dhe prej tij fitonte para shtesë nga blerja dhe shitja në internet. Por, në të njëzetat e herëshme, një mësim nga ikonat sipërmarrëse Mark Zuckerberg dhe Jack Dorsey ishte pikërisht ajo çka e futi në rrugën e duhur për gjërat e mëdha që e prisnin në të ardhmen.

Cili ishte mësimi? Zbuloni misionin tuaj.

Quek, aktualisht bashkëthemelues dhe CEO i Carousell në tregtinë elektronike, e filloi biznesin me miqtë e tij të kolegjit Marcus Tan dhe Lucas Ngoo në vitin 2012 pasi u frymëzuan nga bisedat që ndanë me disa talente të teknologjisë së lartë, gjatë një praktike mësimore në Silicon Valley. Edhe sot, ai shprehet se ato kohë luajtën një rol jetësor në formësimin dhe suksesin e Carousell.

“Gjëja më e rëndësishme që mësuam prej asaj eksperience ishte fakti se i pari objektiv i njeriut duhet të jetë të qënurit absolutisht i orientuar drejt misionit të jetës së tij. Kjo ide i ndihmon njerëzit të kapërcejnë egot personale dhe të krijojnë bashkëpunim.” shprehet ai.

“Gjatë kohës së praktikës në Silicon Valley, unë gjithmonë bëja shaka se kam një mentor, pikërisht Mark Zuckerberg, ama ishte e gjitha e njëanëshme, unë e njihja kurse ai as që e kishte idenë kush isha unë.”, kujton sot Quek. Por, duke e parë dhe duke studiuar stilin e tij, Quek shprehet se Zuckerberg e kishte ndihmuar atë të mendonte për tablonë e madhe dhe mënyrën se si mund të përdorej teknologjia për të zgjidhur çështje të mëdha.

Carousell, një platformë për të thjeshtuar blerjen dhe shitjen në internet, sipas Quek bën pikërisht këtë, shpreh misionin e kompanisë për të frymëzuar çdo person në botë që të fillojë shitjen apo blerjen, duke përdorur teknologjinë.

Pyetur rreth këshillave që do iu jepte të rinjve si ai, që duan të hyjnë në sipërmarrje, por për një arsye ose një tjetër, diçka i pengon ta ndërmarrin këtë hap, ai shprehet: “Këshilla që iu jap sipërmarrësve të rinj është që gjithmonë të jenë absolutisht të apasionuar pas asaj që bëjnë. Për të pasur sukses do të duhet shumë punë dhe do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, ama kur je i apasionuar, pavarësisht vështirësive do kesh motivim për të mos hequr dorë.”

/ Burimi: CNBC

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.