The news is by your side.

Me sa duket në kapitalizëm çelësi ndaj varfërisë janë institucionet e drejtësisë!

Për shumë vite në të kaluarën, lajmet rreth varfërisë së skajshme rreth globit kanë qenë jashtëzakonisht inkurajuese. Numri i njerëzve që jetojnë me 1.90 dollarë në ditë, të cilën Banka Botërore e definon si varfëri ekstreme, ka rënë ndjeshëm përgjatë dekadave. Në vitin 1990, afërsisht 1.85 miliardë njerëz jetonin në varfëri të skajshme, ndërsa në vitin 2015, kjo shifër pësoi një rënie deri në 736 milionë. Me fjalë të tjera, varfëria e skajshme u zvogëlua me mbi pesëdhjetë për qind në nivel global në vetëm 30 vjet. E kjo është padyshim një arritje e habitshme!

Por si shpjegohet progresi i ngadalësuar së fundi?

Duke pasur parasysh këtë progres të shpejtë, synimi i Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm në eliminimin tërësisht të varfërisë së skajshme deri në vitin 2030, dukej se ishte brenda mundësive. Për fat të keq, përfundime të reja nga “Our World in Data” i Universitetit të Oksfordit tregojnë se shkalla e uljes së varfërisë në të gjithë botën është ngadalësuar dhe projektet rreth saj mund të ngecin. Ndërsa numri i njerëzve jashtëzakonisht të varfër do të vazhdojë të bjerë, studiuesit besojnë se shkalla e rënies do të nivelizohet, duke lënë deri në vitin e largët 2030 rreth 500 milionë njerëz në varfëri ekstreme.

Raporti thekson se ky është vetëm një parashikim i bazuar në tendencat e rritjes ekonomike të dekadës së fundit (2005-2015). Me sa duket, kjo katastrofë mund të shmanget nëse rritja ekonomike e vendeve  të varfra tejkalon atë të dekadës së fundit.

Megjithatë kjo është pikërisht sfida! Shumë prej vendeve më të varfra globalisht kanë parë rritje jashtëzakonisht të ngadaltë në GDP për frymë gjatë 30 viteve të fundit. Madje në disa vende, kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane, jo vetëm që GDP për frymë nuk është rritur, por ka pasur edhe rënie të ndjeshme . Fondacioni Gates parashikon se deri në vitin 2050 rreth 87% e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme do të përqendrohen pikërisht në Afrikën Sub-Sahariane  dhe madje se dy nga vendet e këtij rajoni, Republika Demokratike e Kongos dhe Nigeria, do të jenë shtëpia e 40% të njerëzve ekstremisht të varfër që jetojnë në planet.

Në kuadër të kësaj sfide të re globale, ekspertët ka shprehen se vetëm një rritje ekonomike e fuqishme, mund të jetë çelësi për zvogëlimin e varfërisë së skajshme. Vetë raporti nga hulumtimi i mësipërm thekson këtë. Sipas tij, gjatë dekadave të fundit, niveli i varfërisë globale u reduktua fuqishëm sepse shumica e njerëzve më të varfër të planetit jetonin në vende me rritje të fortë ekonomike. Megjithatë, në një situate të tillë natyrshëm lind pyetja: Si mund të arrihet kjo rritje e fortë ekonomike? Cilët janë faktorët e nevojshëm për lulëzimin ekonomik?

Komponentët thelbësorë për një rritje të fuqishme ekonomike përfshijnë të ashtuquajturat institucionet e drejtësisë, pra sundimin e ligjit, të drejtat pronësore dhe aftësinë për të regjistruar një biznes e për t’u angazhuar lirshëm në treg. Problemi me vendet e lartpërmendura afrikane të Sub-Saharasë nuk është populli i tyre, ata kanë aftësi, talent dhe potencial. Problemi qëndron diku tjetër! Laureati për Nobel,  Muhammed Yunus e shpreh situatën me një thënie të goditur “Njerëzit e varfër janë si pema bonsai”. Cfarë do të thotë kjo?

Thënë shkurt, kjo nënkupton se njerëzit në varfëri,  nuk kanë bazën institucionale të nevojshme për të krijuar pasuri për veten dhe komunitetet e tyre. Atyre u mungojnë institucionet e drejtësisë. Për pasojë, rritja e fuqishme ekonomike vjen vetëm kur vendet ku vërtet vendoset sundimi i ligjit, zbatimi i të drejtave pronësore dhe njerëzit kanë mundësinë e angazhimit në biznes dhe tregun e lire. Madje mjafton të shihet Indeksin e Lirisë Ekonomike 2019 dhe shpejt bëhet lidhja midis varfërisë materiale dhe institucioneve jo funksionale.

Por çfarë mund të bëhet për të ndihmuar nxitjen e rritjes ekonomike në vendet e varfra? Këtu ka një përqasje që ndoshta shkakton polemika, porn ë thelb është padyshim e drejtë. Vendet duhet të rishikojnë rrënjësisht ndihmën ndërkombëtare. Është e qartë se ndihma ka dëmtuar pa dashje vendet në mënyra të ndryshme. Kjo përfshin krijimin e një “orientimi të jashtëm” shkatërrues brenda udhëheqësve, të cilët nxiten për të siguruar ndihmë dhe jo për të ndërtuar institucionet e drejtësisë brenda fushave e ndikimit të tyre. Rritja do të ndodhë vetëm kur udhëheqësit të krijojnë institucionet e drejtësisë.

Me gjasë kapitalizmi është çelësi i begatisë!

Ndoshta mënyra e vetme më e efektshme për nxjerrjen e njerëzve nga varfëria e skajshme është t’u lejohet atyre të tregtojnë lirisht frytet e punës së tyre në tregjet globale. Shumë vende perëndimore në mënyrë aktive dekurajojnë importimin e mallrave nga vendet në zhvillim nëpërmjet tarifave dhe subvencionojnë padrejtësisht prodhuesit e tyre, duke eliminuar kështu mundësitë e tregut për njerëzit që kanë nevojë më së shumti për të. Kjo duhet të ndalet menjëherë! Për tu siguruar se pas një dekade, miliona njerëz nuk do të përfundojnë në varfëri të skajshme, shtetet duhet të përqendrohen në rritjen ekonomike. Pikërisht kjo kërkohet! Duhet që politikëbërësit, organizatat transnacionale dhe agjencitë e ndihmës të fokusohen në formimin e institucioneve të drejtësisë brenda kombeve të varfra. Përndryshe, 500 milionë burra, gra dhe fëmijë që do klasifikohen si të varfër brenda vitin 2030, nuk do të jenë thjesht një parashikim. Ata do të jetë tashmë vetë realiteti!

Leave A Reply

Your email address will not be published.