The news is by your side.

Mbi Sigurimin e Detyrueshëm të Pronës

Nga Besart Kadia

Risku në financë nënkupton mundësinë e humbjes së një pjese ose të gjithë investimit të bërë. Në ekonomi shihet si kosto e krijuar nga faktorë të cilët nuk mund të kontrollohen apo parashikohen plotësisht. Këto faktorë mund të jenë të brendëshëm, që lidhen direkt me aktet e atij që nis veprimtarinë ekonomike ose të jashtëme, të cilët nuk mund të kontrollohen nga pala që inicion aktivitetin ekonomik. Në të dyja rastet rreziku që eventet të shpalosen ndryshe nga sa ishin parashikuar janë të larta dhe janë të pashmangshme, përsa kohë gjithnjë ka ndërvperim me agjentë të tjerë ekonomikë (individë, familje, firma, institucione shtetërore, etj.). Nëse i shtojmë sjelljes së paparashikueshme njerëzore dhe sjelljen e natyrës risku bëhet edhe më i lartë. Thatësira, përmbytja apo zjarri kanë qënë e do të jenë gjithnjë prezente në cdo aktivitet njerëzor.

Sipas të gjithë të dhënave Shqipëria është pjesë e një rajoni me risk të lartë nga ndryshimet klimaterike e kostot e përmbytjeve apo tërmeteve do të jenë gjithnjë e më të kushtueshme. Por buxheti i shtetit nuk ka përse të mbulojë çdo vit këto kosto. Ndaj po, zgjidhja është industria e sigurimeve për të menaxhuar këtë risk. Por a është zgjidhja sigurimi i detyrueshëm? Një analizë e industrisë së sigurimeve më poshtë tregon se përgjigja ndaj kësaj pyetje do ishte pozitive vetëm pas “kualifikimit të disa faktorëve konkurrues në tregun e sigurimeve.

Ekonomia s’është gjë tjetër vecëse aktivitet apo sjellje njerëzore. Sa më shumë ndërveprim të kemi ne me njëri- tjetrin, aq më shumë ekonomi jemi duke krijuar e shkëmbyer e për këtë arsye, aq më shumë kemi për të humbur. Një mënyrë direkte që ne mund të masim sesa një shoqëri është duke kryer aktivitet ekonomik e që nga ana tjetër e vlerëson atë e ka frikë nga rreziqet është vlera e primeve të sigurimit në raport me PBB. Pra nëse Prodhimi Brendshëm Bruto reflekton pasurinë e përbashkët të çdo shteti në një vit, raporti i mësipërm tregon sesa është “primi” që jemi gati të paguajmë për të ruajtur pasurinë nga rreziqe të nryshme.

Shtete të zhvilluara të OECD-së e kanë raportin e primeve të sigurimit me PBB-në mesatarisht 8.8%. Ndërkohë që shtete si SHBA e kanë edhe më të lartë në 12% të PBB-së. Këtu përfshihen si zërat e sigurimit të jetës, sigurme shëndetësore, ashtu dhe jo jetës, prona. Në të dhënat e fundit për vitin 2017 vihet re se vlera e primeve të sigurimit të paguara për të gjitha llojet e sigurimit në Shqipëri ishin vetëm 98 milion euro ose 0.1% e PBB-së. Nuk kërkon të kesh trajnim të lartë financiar për të kuptuar se industria e sigurimit në Shqipëri është shumë e ulët, gati e palindur akoma.

Të dhënat janë tejet dekurajuese përsa i përket sigurimit vullnetar të pronës. Po të marrim dy qarqe që janë prekur shpesh në vitet e fundit nga përmbytjet ne vemë re se primet për sigurimin e pronës janë në nivele shumë të ulta gati të papërfillëshme. Për shembull qarku Fierit ka arritur prime me vlerë 120 mijë euro ndërkohë që për sigurimin e automjeteve kjo shumë arrin në më shumë se 4 milion euro. Po ashtu një tjetër qytet i prekur nga përmbyetjet si ai i Lezhës vlera e primeve arriti në vetëm 50 mijë euro duke treguar po ashtu dështimin e sigurimit vullnetar si një mekanizëm i funksional.

Ky nivel i ulët i sigurimit vullnetar vjen kryesisht pasi individi shqiptar në eksperiencën e tij gjatë 27 viteve të fundit është ekspozuar shumë ndaj riskut në cdo fushë të jetës së tij. Udhëtimi ilegal nëpër malet e Greqisë. Udhëtimi me gomone drejt Italisë. Ndërtimi i mbi 500.000 ndërtesave në mënyrë ilegale. Shtet që dështon si në 1991 apo 1997. Shtet që ndryshon rregullat e politikat cdo vit. Puna në të zezë duke mos siguruar për moshën e tretë. Blerja e apartamenteve pa hipotekë etj. Ndaj kompanitë e sigurimit e kanë terrenin e vështirë për të promovuar sigurimin në një popullatë që është “risk taker” nga natyra. Për këtë arsye nuk është cudi që siguria e jetës përbën vetëm 7% të primeve në total ndërkohë që në Europë ato janë mbi 60% të vlerës së primeve. Kurse sigurimi i pronës zë vetëm 13% të totalit të primeve të nënshkruara të sigurimeve jo-jetë. Ndaj industria e sigurimeve ka funksionuar e do të funksionojë në një terren jo të përshtatshëm. Por a është zgjidhja sigurimi i detyrueshëm i pronës? Të dhënat për produkte të ngjashme në treg tregon se kjo masë megjithëse e duhur në pamje të parë duket e parakohëshme pa siguar parimin e konkurrencës së plotë mes kompanive të sigurimit.

Në pamje të parë ne kemi eksperiencë pozitive me sigurimin e detyrueshëm për të nxitur zhvillimin e industrisë pas më shumë se 65% e gjithë tregut mbulohet nga sigurimi i automjeteve ( ku 50 milion euro vijnë nga sigurim i detyrueshëm). Në këndvështrimin e kompanive të sigurimit kosto e sigurimit është e ulët ndërkohë që përfitimi që marrin të dëmtuarit është disa herë më i lartë. Por ky pretendim i tyre i vënë përballë raporteve të tjera të ngjashme me Europën Perëndimore e vendos industrinë tonë në nivele shumë të ulta dhe gati jo konkurruese. Kështu raporti dëme të paguara për sigurim mjetetesh në raport me primet e paguara arrin në 70% mesatarisht në Europë ndërkohë që është vetëm 24% në Shqipëri. Ky indikator tregon se nga 61 milion euro të paguara si prime në rastin e Shqipërisë vetëm 15 milion euro është dëmi që i paguhet mbi 400.000 përdoruesëve të automjeteve në vend.

Po ashtu çmimet e sigurimeve janë të ngjashme për të gjitha llojet e kompanive duke bërë sjelljen e tyre gati oligopolistike e jo konkurruese. Sjellja e tyre jo konkurruese është vënë re disa herë në këto gjashtë vitet e fundit. Në vitin 2012 kompanitë u gjetën fajtore për bashkëpunim dhe u gjobitën në një vlerë prej 630 mijë eurosh. Në vitin 2014 kur të gjithë kompanitë rritën cmimin në mënyrë të njokohëshme dhe detyroi autoritetin e konkurrencës të niste një investigim të dytë për marrveshje të heshtur në vetëm pak kohë. Po ashtu vitin e shkuar AMF gjobiti të gjitha kompanitë e sigurimeve me nga 10 milion lek sepse në mënyrë të menjëherëshme ata rritën cmimet e TPL-së me 20% në pak ditë. Pra thuajse në cdo dy vjet kompanitë e sigurimit gjobitet e kritikohen se cmimet e produkteve të tyre janë të koordinuara duke dëmtuar konsumatorin. Ndaj është e qartë se nëse mendohet për një sigurim të detyrueshëm të pronës AMF dhe Autoriteti i Konkurrencës duhet të sigurojnë konkurrencë të plotë mes kompanive në treg e më pas të implementojnë sigurim të detyrueshëm. Në të kundërt nga një masë e mirë për të deleguar riskun nga shteti te prona individuale ne dekurajojmë edhe më tej individët për t’u përfshirë në industrinë e sigurimeve sidmos ato të jetës.

Së fundmi, sigurimi i detyrueshëm duhet të vijë vetëm pasi shteti të ketë kryer detyrat e tij i pari. Diskutimi se taksapaguesit e Tiranës nuk do të paguajnë dëmshpërblimet sa herë që ka përmbytje në Fier e në Lezhë apo tërment në Durrës është një hap i duhur. Praktika e deritanishme ku shteti merrte përsipër cdo kosto ka dekurajuar sigurimin e pronës në mënyrë vullnetare. Por nga ana tjetër futja në një proces krejtësisht të ri brenda pak kohësh duhet shoqëruar me disa akte publike të rëndësishme nga ana e shtetit.

Së pari, të gjithë agjentët ekonomik duhet të kenë akses lehtësisht në një hartë të riskut e cila akoma dhe sot nuk është reailizuar nga shteti. Primi i sigurimit duhet të reflektojë riskun individual e vlera e tij nuk mundet të jetë e njëjtë si për individë që ka risk të ulët si për atë që ka risk të lartë. Rreziku i një cmimi mesatar vjen automatikisht përsa kohë industria e sigurimit do të shërbejë vetëm si një instrument i shtetit në ekonomi. Po ashtu shteti duhet të kryejë të gjithë investimet e mundëshme për të minimizuar shtetasit nga përmbyetj. Në kushtet kur taksat janë rritur në mnyrë konstante në katër vitet e shkuara kur taksa e pronës po aplikohet shteti duhet të kryejë në një periudhë 3-4 vjecare tërë investimet e mundshme që minimizojnë shtetasit nga përmbyetjet para se të implementojë një kosto shtesë ekonomisë që shkon mbi 20 milion euro në vit.

Si përfundim sigurim i detyrueshëm ka kuptim vetëm në atë rast kur ne kemi një treg që vlerëson riskun sipas zonave, kemi një partner publik që ka kryer tërë investimet e tij e kemi kompani sigurimi që janë konkurrente. Në këtë rast ne prezantojmë një instrument të mirë e efikas për të matur gjithë kostot reale nga cdo fatkeqësi dhe në të njëjtën kohë në bazë të ndryshimit të cmimit të primit sipas zonave individët, firmat apo dhe bashkitë kanë interes të shohin kur investojnë e ndërtojnë nëse janë duke u ekspozuar ndaj kostove të larta. Por nëse kjo bëhet e detyrueshme pa zgjidhur problemin e konkurrencës sic shihet dhe me të dhënat më sipër për makinat qeveria është duke deformuar parimin e riskut të individit dhe e bën serisht risk të shoqërisë. Pra të gjithë paguajmë një taksë dhe e shpërndajnë më pas kompanitë në zona të ndryshme. Kjo është e gabuar pasi rrit kostot por nuk zgjidh asgjë përsa i përket minimizimit të riskut në Shqipëri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.