The news is by your side.

Mbi heroin shqiptar dhe heroin komunist

Nga Besart Kadia

Debati rikthehet çdo vit në Shqipëri. Të majtët do të thonë se Lufta Nacional
Çlirimtare ishte e organizuar dhe drejtuar me ideale atdhedashurie nga partizanët e Partia Komuniste. Nga ana tjetër të djathtët do të thonë se aty nuk pati heronj por vetëm simpatizantë të një levizjeje politike që shfrytëzoi luftën për të ardhur në pushtet. E duke parë rrjedhën e ngjarjeve historike, të dyja variantet ndërthuren me njëra tjetrën sa turbullojnë kristalizimin e së vërtetës historike. Ky komplikim rrethanash, interesash, politikash, pushtuesish apo mungese të dokumentave historike e bën rezistencën gjatë Luftës së Dytë Botërore një koktail toksik politik, por pa përmbatje shtetforumuese.

Ndaj dhe mbi të gjitha historia e gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri është një histori e shkruar në mënyrë të njëanëshme nga fituesi e për rrjedhojë është një histori krejtësisht politike. Prej saj lind gjithë mishmashi mbi rolin e Partisë Komuniste dhe të atdhetarëve të tjerë gjatë luftës dhe mbi të gjitha mbi titujt e “Heronjve të Popullit” të akorduara pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste.

Shqipëria ka heronj dhe në mos ka, ka nevojë për ta. Ndoshta shumë prej figurave të vendosura në bulevard meritojnë këtë titull dhe në mos jo ne kemi nevojë dhe për ta…. por debati sot, në 75 vjetorin e largimit të nazistëve nga Shqipëria, është se çfarë do të thotë “Hero i Popullit” apo Dëshmor i Atdheut dhe a ka njerëz që nuk e meritojnë të jenë në atë bulevard dhe po ashtu a mundet dhe a duhet të zëvendësohen nga emra të tjerë të cilët historia i ka harruar.

Unë mendoj se “Hero i Popullit” duke qënë se është një titull i cili merrej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, i propozuar nga kryesia e Byrosë Politike të PPSH, është një titull krejtësisht politik e jo me vlerë historike. Ne si shoqëri mund të tolerojmë debatin e të themi se ç’rëndësi ka nëse ia akordoi Partia Komuniste këto tituj, fakti është se ata njerëz dhanë jetën për lirinë e vendit…Ndaj as duhet diskutuar. Po! Këtë qasje dhe mund ta tolerojmë! Por nuk mundet të tolerojmë faktin se jetën e dhanë dhe qindra qytetarë të thjeshtë apo zogistë e nacionalistë të cilët për arsye politike nuk quhen “Hero i Popullit.”

Rishikimi i këtyre titujve apo dënimëve ndodh dhe në vende demokratike e me traditë sic është dhe Brtiania e Madhe. Për shembull një familje nga Londra vitin e shkuar kërkoi që ushtria të hiqte titullin tradhtar të një familjari të tyre të pushkatuar nga ushtria Britanike gjatë Luftës së Parë Botërore pasi vërtetuan shkencërisht se ai kishte patur “trauma të luftës dhe panik” e jo se ishte tradhtar… Rishikimi i historisë vjen si domosdoshmëri sidomos pas rënies së një regjimi diktatorial që po ashtu akordonte dhe titujt “hero e tradhtar” për të legjitimuar pushtetin e vet…
Për hir të debatit duhet kujtuar se si fjalori shqip-shqip i periudhës së regjimit diktaorial përkufizonte fjalën hero:

“ HERO m. Ai që ka kryer një vepër të lartë trimërie e vetëmohimi në luftë a në punë për popullin dhe për atdheun e vet, ai që është shquar për trimëri të lartë dhe për guxim të pashoq për të mirën e popullit e të atdheut kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve vendës, ai që ka dhënë edhe jetën duke kryer vepra të tilla”.

Një përkufizim i tillë është i mbushur me peshë të lartë ideologjike duke thënë se hero është ai që lufton kundër pushtuesëve të huaj dhe tradhtarëve vendas… Të dyja këto përkufizime i shkonin përshtat regjimit komunist i cili legjitimonte veten duke thënë se ne “luftuam kundër pushtuëve dhe tradhtarëve.” Për ta gjithkush që nuk ishte komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore përkufizohej si tradhtar ndaj dhe për këtë arsye nuk mundet të ishte kurrsesi hero dikush që pavarsisht se mundet të kishte dhënë jetën kundër pushtuesëve të huaj kishte qënë zogist.

Nga ana tjetër përkufizimi i fjalorit anglez e ka të zhveshur përkufizimin e fjalës hero nga ngarkesa ideologjike duke e cilësuar atë si: “një person i cili, sipas mendimit të të tjerëve, ka arritje të veçanta, aftësi ose cilësi personale dhe vlerësohet si model apo ideal shoqëror.” Gjatë kohës që jepeshin titujt “Hero i Popullit” ideali shoqëror sipas Byrosë Politike ishte gjithkush që donte të luftonte kundër të huajve por po ashtu duhet të ishte domosdoshmërisht partizan apo anëtar i Partisë Komuniste.

Sot ne mendojmë se në 75 vjetorin e largimit të të huajve nga Shqipëria me ndryshimin e përkufizimit të termit hero ne do të mundemi githashtu të kutpojmë natyrën e luftës dhe idealin e vërtetë shoqëror që na ka karakterizuar dhe na karakterizon si shoqëri. Në rast se ne do vazhdojmë të mbajmë idealin shoqëror të termit hero sipas këndvështrimit të Byrosë Politike atëherë të gjithë personat në bulevard janë heronj e shkuar heroit. Por në rast se ne e zgjerojmë përtej Byrosë Politike këtë “ideal”, na dalin shumë heronj të harruar nga historia dhe nga memoria kolektive.

Pasi hero ka qënë ai shqiptar, zogist a komunist, që ka sakrifikuar jetën jo vetëm në luftë por që ka ndihmuar sikur dhe një ushtar të vetëm italian t’i shpëtojë vdekjes së sigurt në duar te gjermanëve, apo çdo shqiptar që ka shpëtuar një familje hebreje të fshihet nga gjermanët. apo çdo tregtar shqiptar që ka qënë solidar e ka mbajtur familje të tëra me bukë gjatë luftës, apo çdo shqiptar që ka vazhduar t’iu japë mësim nxënësve pavarsisht luftës… Këto janë modelet apo idealet e shoqërisë për të kuptuar heroin e përjetshëm shqiptar i cili pavarsisht në ishte komunist, prift, zogist, tregtar etj. shfaq gjithnjë këto karakteristika të përbashkëta për të ndihmuar të tjerët në nevojë pavarsisht rrethanave apo kohërave. Në rast se këta heronj kanë vrarë në emër të idealit komunist sikur një qënie të vetme “tradhëtare” vështirë se do ta donim ti kishim si heronj të përjetshëm shqiptarë… por padyshim që janë heronj të mirë komunistë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.