The news is by your side.

Macron konferencë solidariteti për Shqipërinë. Qeveria ende pa i dhënë një përgjigje

Pas vendimit për mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, duket se marrëdhëniet e Francës me Shqipërinë ishin disi të tensionuara. Praktikisht ishte Franca ajo që vendosi veton dhe mbajti peshën kryesore të vendimit bllokues.

Megjithatë së fundi, pas tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar vendet europiane dhe jo vetëm, filluan të solidarizohen duke dhënë ndihma për banorët dhe zonat e prekura, qofshin ato materiale apo edhe fonde për rindërtimin e shtëpive të shembura. Një nga vendet ishte edhe Franca, madje pritet që në vijim fondet e akorduara në ndihmë të Shqipërisë të rriten edhe më tej.

Ka qënë vetë Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka deklaruar se Franca po mendon të organizojë një konferencë solidariteti për Shqipërinë, e ideuar si një mbledhje e madhe që do të bëjë bashkë partnerë publikë dhe privatë, të cilët munden dhe duan të kontribuojnë. Sipas kreut të pallatit Elize një organizim i tillë është i nevojshëm për rindërtimin e vendit dhe tejkalimin e gjendjes së vështirë. Megjithatë siç bën me dije Deutsche Welle, pavarësisht propozimit të Macron, qeveria shqiptare ende nuk ka dhënë një përgjigje.

Nga ana tjetër, deri tani Shqipëria ka qënë arsyeja e mledhjes së donatorëve të huaj në një tjetër konferencë propozuar nga kryetarja e komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama foli  me superlativa për organizmin në fjalë dhe e quajti konferencën “sukses të madh që krijon mundësinë për qasje shtet me shtet”.

Përveç kësaj, Rama gjithashtu ka njoftuar nga mbledhja e sotme se nesër pritet të udhëtojë drejt Turqisë, pasi këtë herë Presidenti Erdogan ka organizuar një konferencë tjetër donatorësh, në ndihmë të rindërtimit të vendit. Ai është shprehur optimist se do të kthehet prej andej duke siguruar shumë mbështetje, ndërsa konfernca në Francë mbetet ende një ide në pritje.

Leave A Reply

Your email address will not be published.