The news is by your side.

Liria e keqkuptuar si licencë dhe mungesa e përgjegjësisë personale në shoqërinë shqiptare

Nga Adri Nurellari

Debati publik mes shqiptarëve gjithë kohën është tejet i ngarkuar me politikë dhe në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për një tendencë nga opinioni publik, për të kërkuar angazhim apo përgjegjësi nga shteti për çfarëdo lloj problemi, shqetësimi apo sfide me të cilën përballet shoqëria. Në të folurën e përditshme flitet dendur se nevojiten më shumë investime, asistencë, subvencione apo përdorime të tjera të parave të qeverisë sikur qeveria të ishte njëfarë fondacioni bamirës me fonde të pashtershme dhe përdorimi i këtyre parave varet nga dashamirësia e politikanëve. Qeveria faktikisht nuk ka asgjë të sajën, thjesht menaxhon ato që merr nga të tjerët nëpërmjet tatimeve dhe tarifave doganore. Kjo tendencë e fortë e majtë për të kërkuar më shumë rol nga shteti,  që ndryshe quhet etatizëm, është me siguri një trashëgim i regjimit të kaluar komunist.

Në shumë nga vendet ish-komuniste, entuziazmi i rrëzimit të diktaturës dhe sigurimit të lirisë pas disa vitesh tranzicion, filloi të zëvendësohej nga një zhgënjim i thellë që me raste kapte edhe nivelet e nostalgjisë për regjimin e mëparshëm. Ardhja e lirisë nuk u shoqërua automatikisht me zhvillimin dhe mirëqenien e pritur dhe vonesa në përmbushjen e pritshmërive të tyre bëri që shumë qytetarë të vendeve postkomuniste të vënë në pikëpyetje sistemin e ri të liberal-demokracisë. Tranzicioni dhe ndërtimi i një kulture të re të demokracisë liberale, ka qenë e vazhdon të jetë veçanërisht i vështirë, sidomos për ato vende që e kanë pasur regjimin komunist  më të rreptë si dhe për ata popuj që nuk kanë pasur një traditë demokracie dhe ekonomie të tregut në të kaluarën sikurse është rasti i shqiptarëve.

Shteti si vazhdim i traditës socialiste ende shikohet mes shqiptarëve si një prind i vërtetë, nga i cili pritet që të kujdeset për qytetarët e vet si prindi me fëmijën. Janë të shumtë ata që mendojnë se të gjitha përgjegjësitë për gjithçka i ka shteti, ndërsa individi, si fëmija, është i pafajshëm e i papërgjegjshëm.  Mirëpo sistemi i ekonomisë së lirë të tregut që erdhi pas rënies së komunizmit bashkë me lirinë për të zgjedhur, solli edhe bartjen e përgjegjësive personale për zgjedhjen e bërë. Pra i çliroi qytetarët nga shumë gjëra por jo nga përgjegjësia personale, madje këtë element e ka një ndër çelësat e suksesit. Liria për të zgjedhur, sikurse e përkufizon Milton Friedman, mund të jetë pështjelluese apo frikësuese për ata që nuk janë mësuar në liri pasi duhet ushtruar dhe përjetuar për njëfarë kohe, në mënyrë që të bëhet pjesë e natyrshme e jetës së përditshme.

Çështja e përgjegjësisë personale dhe përgjegjësisë së shtetit është një ndër temat më të trajtuara kur bëhet fjalë për studimin e kulturës politike në shoqëri e shtete të ndryshme. Kështu për shembull Anketa  Botërore e Vlerave tregon se kur hasin një problem 80% e amerikanëve e kërkojnë paraprakisht fajin tek vetja kurse 80% e italianëve tek shteti. Po ashtu nëse pyeten “nëse puna këmbëngulëse është çelësi i suksesit apo se fati i tyre vendoset nga faktorë të tjerë të jashtëm ose nga vetë shoqëria në përgjithësi” pothuaj 70% e amerikanëve besojnë se e kanë vetë në dorë fatin e tyre. Nga ana tjetër   75% e italianëve mendojnë se sado që të punojnë e përpiqen, suksesi në jetën e tyre përcaktohet nga faktorë të jashtëm. Sipas të gjitha gjasave edhe ne shqiptarët duhet të jemi afër në mos edhe më etatist se italianët nëse do të na anketonin për këto tema.

Kjo situatë është goxha problematike sepse nga njëra anë përpiqemi të konsolidojmë institucionet liberale dhe sistemin ekonomik kapitalist e nga ana tjetër kemi një mentalitet të fortë etatist që e bën të vështirë mbështetjen apo respektimin e këtyre institucioneve nga mbarë shoqëria. Në këtë aspekt një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk e kuptojnë se ekziston një lidhje e fortë shkak-pasojë mes lirisë dhe përgjegjësisë personale. Liria e promovuar nga mendimtarët liberalë e ka përgjegjësinë individuale si pjesë thelbësore, sepse liria pa përgjegjësi individuale mund të quhet licencë. Në kulturën tonë politike, nga liria si kuptim i mundësisë për të bërë çfarë dëshiron pa u penguar nga dikush tjetër, është kaluar në keqkuptim të lirisë si një e drejtë për të pretenduar garantimin e diçkaje prej dikujt tjetër. Pra njëfarë licence e cila nënkupton që të marrësh qyl pa dhënë gjë, të konsumosh pa prodhuar, të shtiresh për t’i bërë bisht realitetit si dhe të kërkosh diçka që nuk e ke merituar dhe nuk je djersitur për të.

Sipas logjikës së etatistëve, meqenëse shteti është burimi kryesor i përfitimit dhe begatisë, atëherë na takon të përqendrohemi tek shteti e të marrim copën që na takon, fundja pse të punosh kur ke mundësi të marrësh nga thesi i përbashkët. Ky mentalitet kultivon edhe zilinë, smirën dhe urrejtjen në shoqëri. Kjo sepse nëse nuk kemi atë që mendojmë se na takon ta kemi, atëherë me siguri dikush armiqësor është duke na privuar nga kjo gjë. Kjo kulturë çon tek fajësimi i të tjerëve për problemet tona si dhe tek detyrimi i të tjerëve për të na zgjidhur problemet që ne kemi shkaktuar. Kjo përkthehet në mungesë të kurajës apo ndershmërisë për të mbajtur përgjegjësi për zgjedhjet e gabuara apo gabimet e bëra duke u përpjekur që kjo përgjegjësi të transferohet diku tjetër.

Kështu për shembull, shqetësimi kryesor në Kosovë është gjendja ekonomike, mirëpo shumica e sheh edhe problemin edhe zgjidhjen e varfërisë kryekëput ekskluzivisht tek shteti. Shumë ankohen në Kosovë pse shteti nuk hap vende pune ndërkohë që mbi 30% e tokave bujqësore ngelen të papunuara dhe 64% e popullsisë, sipas censusit të fundit, jeton në zonë rurale. Madje edhe kur kultivohen tokat bujqësore një pjesë e mirë mbillen me drithëra që janë kultura që nuk kërkojnë punë intensive sikurse duhet tek rasti i perimeve e zarzavateve. Nga ana tjetër kërkesa në vend për prodhime bujqësore është e jashtëzakonshme sepse vetëm 30% e nevojave të popullsisë plotësohen me prodhim vendas dhe pjesa dërrmuese importohet. Ndërkohë anembanë Kosovës në zona rurale shikohen ndërtesa të mëdha e të larta shumë prej të cilave janë bosh ose përdoren pjesërisht.

Sikur ato qindra milionë euro të varrosura në tulla e çimento për atë katin e tretë apo të katërt që nuk përdoret kurrë të ishin investuar në sera, traktorë, stalla bagëtie apo baxho bulmetrash do kishim një tjetër ekonomi më të begatë. Nëse gjithë ai kapital që shqiptarët kanë çuar dëm në patundshmëri, do të ishte investuar në aktivitete më produktive do të ishin hapur dhjetëra mijëra vende pune. Studiuesit thonë se për të hapur një vend pune duhen mesatarisht diku tek 12000 euro investim që përkthehen në diku tek 40 metra katrorë kosto ndërtimi ose një arë truall në Prishtinë. Flluska e patundshmërisë është një ndër rastet që dëshmojnë se varfëria e papunësia nuk është vetëm përgjegjësi e shtetit, por edhe e qytetarëve që në liri të plotë me vullnetin e tyre kanë bërë investimet apo konsumin e gabuar. Qeveria ka përgjegjësitë e veta të mëdha për gjendjen ekonomike të Kosovës por në këtë rast bëhet fjalë për një zgjedhje të gabuar ekonomike me kosto të jashtëzakonshme oportune, që e ka bërë një pjesë shumë e madhe e shoqërisë sonë, por për të cilën nuk kanë ndershmërinë ta pranojnë përgjegjësinë dhe preferojnë që çdo përgjegjësi t’ia mveshin shtetit.

Duhet kuptuar se çështja e përgjegjësisë personale nuk është thjesht një lojë intelektuale apo një përsiatje filozofike e mërzitshme, por ka një impakt të drejtpërdrejtë të shumëfishtë në shoqërinë tonë sepse lidhet ngushtë me virtyte të nevojshme për një shoqëri të shëndetshme dhe të suksesshme në epokën e liberal-demokracisë.  Bëhet fjalë për vlera si iniciativa personale, respekti për individualitetin, vetëdisiplina, meritokracia, puna e palodhur, vetëreflektimi, autokritika, sedra vetjake, ndërgjegjja e fortë personale, këmbëngulja, durimi që janë derivate të drejtpërdrejta të një përgjegjësie individuale të fortë dhe të një kuptimi të drejtë e të sinqertë të parimit të lirisë.

Përgjegjësia individuale është motor i zhvillimit dhe parakusht i lulëzimit të ekonomisë së tregut. Një shoqëri ku qytetarët janë më të përgjegjshëm përkthehet në një shoqëri më produktive me individë më punëtorë që përpiqen maksimalisht që të përmbushin vetë nevojat dhe dëshirat e tyre e nuk presin nga shteti, familja apo shoqëria që t’ua përmbushë. Rrjedhimisht një shoqëri më produktive është edhe një shoqëri më e zhvilluar pasi produktiviteti i burimeve njerëzore është në zemër të çdo modeli të rritjes ekonomike.

Sistemi ynë i drejtësisë dhe sundimi i ligjit që ngelet një ndër sfidat tona kryesore, padyshim që do të konsolidohej më shumë nëse në kulturën tonë do të vihej një theks më i madh tek përgjegjësia personale. Vjedhja, korrupsioni apo shkeljet e ligjit shpesh justifikohen, inkurajohen nga shprehje popullore tonat, të tipit: nëse nuk do e bëja unë do e bënte dikush tjetër; po e bëjnë të gjithë pse vetëm unë jam budallai; kur hanë të mëdhenjtë pse mos të përfitoj edhe unë; e ka fajin ambienti, sistemi, rrethanat, tranzicioni apo shoqëria etj., etj. Më shumë përgjegjësi individuale do të thotë më shumë ndershmëri nga qytetarët të cilët marrin përsipër përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe nuk përpiqen t’u shmangen përgjegjësive apo t’ua transferojnë tjetërkujt.

Prapë lidhur me zbatueshmërinë e ligjit, kultivimi i përgjegjësisë individuale në shoqërinë tonë do të na bënte më racionalë ne shqiptarëve e do të sillte më shumë vetëkontroll tek qytetarët tanë. Pra më shumë vetëfrenim ndaj tundimeve, pasioneve të shfrenuara, apo joshjeve rastësore dhe përqendrim drejt përmbushjes së interesave dhe qëllimeve kryesore. Rrjedhimisht më shumë vetëpërmbajtje përpara abuzimeve apo shkeljeve dhe më shumë sjellje e një qytetari të përgjegjshëm e të kujdesshëm para ligjit.

Shëndeti i publikut gjithashtu do të ishte ndryshe nëse vetëdija për përgjegjësinë individuale do të ishte më e lartë, duke u përkthyer në më shumë përkujdesje personale në parandalim apo në një stil më të shëndetshëm jete duke u marrë më shumë me sport e duke u kujdesur për dietën.  Arsimi do të ishte po ashtu më i zhvilluar nëse përpara se të kërkonim fajin tek sistemi arsimor e mësuesit të kërkonim më shumë nga vetja, të përpiqeshim të lexonim më shumë libra, të bënim më shumë studim autodidakt, e të hiqnim dorë nga kopjet në provime në mësime.  Ambienti do të ishte më i pastër nëse njerëzit përpara se të ankohen për institucionet komunale të pastrimit, të kujdeseshin mos të ndotnin vetë duke i hedhur plehrat vend e pa vend.

Përgjegjësia individuale padyshim shkon paralel me nivelin e besimit në vetvete, që do të thotë se kur ke aftësi personale për t’u ballafaquar me hallet apo sfidat personale ndihesh edhe më i përgjegjshëm për veten. Kjo do të thotë edhe të anasjelltën se në mungesë të përgjegjësisë individuale njerëzit ndihen më të pafuqishëm dhe në vend që të merren me zgjidhjen e problemeve personale kalojnë më shumë kohë duke u qarë e u ankuar ose duke fajësuar dikë tjetër. Të ndjerit të pafuqishëm për të marrë në dorë frenat e veta të fatit, dhe kërkesat apo pritshmëritë e ekzagjeruara nga shteti dëmtojnë edhe demokracinë e vendit. Qytetarët që ndihen të paaftë për t’ia dalë pa ndihmën e shtetit dhe që presin gjithçka nga shteti janë ata që të parët e nxjerrin në shitje votën dhe ata që më së lehti binden e përulen para abuzimeve të qeveritarëve. Me pak fjalë, që demokracia dhe ekonomia e tregut të funksionojë duhet që bashkë me institucionet më të reja në Evropë që kemi ndërtuar të rinovojmë edhe kulturën tonë politike për të qenë në një lartësi me to. Në këtë sfidë, qartësimi i idesë së lirisë për të zgjedhur dhe të përgjegjësisë për të pranuar plotësisht faturën që vjen me zgjedhjet e bëra, është një ndër nevojat më të menjëhershme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.