The news is by your side.

Lehtësohen kushtet e kredive për të prekurit e tërmetit. Sejko: Bankat të ndihmojnë tejkalimin e situatës

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka mbledhur së fundi drejtuesit e bankave të nivelit të dytë me qëllim diskutimin e masave të mundshme të institucioneve financiare vendase në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i javës së kaluar. Ai iu ka kërkuar atyre të gjejnë hapësira për t’u solidarizuar me gjendjen e rëndë dhe të ndihmojnë me sa munden në tejkalimin e saj.

Kështu, sipas Guvernatorit Sejko, bankat e nivelit të dytë duhet të vlerësojnë mundësitë për të lehtësuar procedurat në rastet kur individët, të cilëve tërmet iu ka shkaktuar dëme të mëdha dhe kërkojnë të marrin një kredi. Megjithatë ai nuk harroi të theksonte as nevojën që të gjitha këto masa të merren pa cënuar aktivitetin bazë të intitucioneve financiare, aq më tepër të mos ndikojnë në rritjen e nivelit të kredive të këqija.

Nga ana e vet edhe bankat u shprehën të gatshme për të ndihmuar lidhur me situatën në fjalë. Drejtuesit e tyre u shprehën se do të shihen mundësitë e ristrukturimit të kredive për të prekurit e tërmetit, pa kosto shtesë për ta dhe as për institucionet. Megjithatë masat konkrete pritet të bëhen me dije pas ditës së sotme, kur do të mbahet një mbledhje e Shoqatës së Bankave. Ansambleja e saj do të dalë në fund me një plan masash konkrete se si do të veprohet me rastet e prekura nga tërmeti.

Leave A Reply

Your email address will not be published.