The news is by your side.

UNESCO/ Kultura një industri që gjeneron miliarda dollarë

Në vitin 2015, kthimi nga sektori kulturor në Evropë ishte rreth 558 miliardë euro ose rreth 4,4% të PBB-së së saj. Rëndësia relative e sektorit kulturor bëhet më i qartë nëse krahasohet me industri të tjera. Vitet e fundit është vënë re një rritje e shpejtë e këtij sektori, madje edhe gjatë krizës financiare 2008-2012 pati rritje pozitive, ndryshe nga sektorët e tjerë ekonomikë.

Një firme i nevojiten më shumë se procese prodhuese efiçente, minimizim kostosh apo teknologji të zhvilluar për të qenë konkurruese, por, ka nevojë edhe për një brand të fuqishëm dhe staf të motivuar dhe kreativ. Gjithashtu ka nevojë për prodhimin e mallrave dhe shërbimeve që plotësojnë kërkesat e konsumatorëve ose që krijojnë një nevojë të re për ta. Industritë kulturore mund të jenë shumë të nevojshme në këtë rast.

Vitet e fundit ka një interes në rritje për potencialin e industrive kulturore dhe kreative sepse shihen si një mënyrë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe krijuar mundësi punësimi.

Industritë kulturore mund të përkufizohen si industri që produkti kryesor i tyre ka një vlerë simbolike, si filmat, pikturat etj. Industritë kreative kanë një përkufizim më të gjerë. Ato kanë njohuritë si inputin e tyre kryesor dhe përveç produkteve me vlerë simbolike mund përfshihen edhe dizajni, madje edhe ai i softuerëve.

Përveç ruajtjes së kulturës dhe traditave industria kulturore ka kontribut të madh në PBB. Në BE ky sektor siguron më shumë të ardhura se sa tregu i pasurive të paluajtshme apo industria tekstile.  Kjo industri ka rreth 8.3 milion njerëz të punësuar me kohë të plotë që përbën 3.8% të forcës punëtore të BE. Në BE, bizneset kulturore në vitin 2013 ishin rreth 675 000 dhe përbënin rreth 6.4% të bizneseve totale të shërbimit në vitin 2013.

Franca dhe Italia janë vendet e vetme që kanë më shumë se 100 000 biznese kulturore dhe përbëjnë secila 15% të bizneseve totale kulturore të BE. Më pas vjen Gjermania me 73 000 dhe Spanja me 68 000. Britania e Madhe siguron megjithatë të ardhurat më të larta nga këto biznese që përbëjnë 22.7% të të ardhurave totale të siguruara nga BE. Gjermania siguron 20.8% të të ardhurave totale të BE nga ky sektor dhe Spanja siguron 16.6%.

Në një studim nga UNESCO mbi kontributin ekonomik të industrive kulturore dhe kreative (reklamave, arkitekturës, librave/gazetave/revistave, lojërat elektronike, filmat, muzika, radio, televizioni dhe artet vizive) në botë rezulton se kjo industri siguron rreth 2250 miliardë dollarë të ardhura në vit (3% e PBB-së në botë) dhe krijon 29.5 milion vende pune kudo në botë.

Edhe në Shqipëri vihet re vitet e fundit një rritje e investimeve private në industrinë kulturore. Duke shfrytëzuar historinë e vendit dhe burimet natyrore shumë sipërmarrës shqiptarë kanë investuar në këtë sektor. Kështu, mund të gjejmë në Shqipëri kafe muze, restorante ose kafene të ndërtuar në bunkerë. Pavarësisht interesit të shfaqur nga vendasit dhe të huajt, kjo industri nuk ka tërhequr ende vëmendjen e qeverisë për të nxitur investimet në këtë sektor.

Leave A Reply

Your email address will not be published.