The news is by your side.

Kriza e borxhit në Itali – një rrugë pa krye për Eurozonën

Bashkimi Evropian padyshim gjendet aktualisht në udhëkryq! Ekonomitë që dikur konsideroheshin shtylla të forta të BE tani po dobësohen. Ekonomistët madje dhanë edhe disa paralajmërime mbi çështjet e borxheve në shumë ekonomi në eurozonë pas krizës financiare të vitit 2008 dhe makthi më i keq i BE, e përmbushja e këtyre parashikimeve filloi me krizën ekonomike në Greqi në vitin 2015. Pas pranimit të një sërë masash shtrënguese, u ofruan strategjie të shumta që në Greqi, tashmë buzë falimetit, të bëhej shpëtimi më i madh financiar në histori.

Por, çfarë do të thojë për një ekonomi operimi nën masa shtrënguese?

Pavarësisht rezultateve, ekonomistët besojnë se paketa e shpëtimti nuk e ka ndihmuar Greqinë dhe kjo duke konsideruar pasojat afatgjata të masave shtrënguese në ekonomi. Sipas tyre Greqia ka qenë një dështim kolosal, një shembull paaftësie,  dogme, i vonesave të panevojshme dhe i interesave të bankave që vihen para nevojave të njerëzve, ndaj pasojat do të jenë afatgjata. Kështu do të shprehej Larry Elliott, ekonomist i The Guardian.

Megjithatë, ka shumë për t’u shtuar në këtë sagë borxhi. Italia po e shtyn BE-në në prag të një krize tjetër ekonomike. Ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë tani është një anije që po zhytet, me një normë të përllogaritur rritje prej vetëm 0.1 përqind për vitin 2019.

Statistikat e fundit tregojnë se borxhi aktual i Italisë është rreth 130 përqind e GDP-së totale, e cila rezulton gati 2.6 trilion dollarë, pothuajse e njëjtë me madhësinë e ekonomisë indiane shprehur në terma nominale të GDP-së. Ekonomia italiane është dhjetë herë më e madhe se ajo e Greqisë, duke përkeqësuar më tej intensitetin e kësaj krize ekonomike.

John Higgins dhe Adam Hoyes, ekonomistë të Capital Economics, në përfundimet e një shënimi hulumtues shprehen se, në dallim nga raporti i borxhit të GDP-së të Italisë, Greqia është në një trajektore rënëse dhe borxhi i saj është ristrukturuar nën kushte shumë më të favorshme sesa Italia. Borxhi i Italisë është shumë më i madh në terma absolutë dhe paraqet një rrezik shumë më të madh sistemik për eurozonën si një e tërë.  Duke parë perspektivat afatgjata të rritjes, statistikat tregojnë një rezultat tronditës që GDP-ja e Italisë për frymë mbetet në të njëjtin nivel si 18 vjet më parë.

Bankat italiane tashmë janë më të dobëta financiarisht, duke u përballuar rishtazi me çështjet e bonove dhe borxhet e mëdha. Kjo ka zvogëluar në mënyrë drastike kapacitetin e tyre për të dhënë fondet e nevojshme për rinovimin e sektoritprivat. Kreditë për sektorin privat u ulën nga 679,216 milionë euro në janar 2019 në 676,955 milionë euro në shkurt 2019, duke shënuar një ndryshim prej 2,261 milionë euro gjatë një periudhe prej vetëm 30 ditësh.

Një paraqitje grafike e kreditë për sektorin privat në Itali nga viti 2014 deri në vitin 2019 jepet më poshtë. Dukshëm vihet re rrënia shqetësuese.

Çështjet ekonomike në Itali tashmë paraqesin kërcënime të mëdha ndaj objektivave monetarë të Bankës Qendrore Evropiane. Kriza në Itali, nëse nuk merren masa për ta përmbajtur, mund të shkatërrojë besimin e tregut në të gjithë zonën e euros, duke e vënë BE-në para telashesh të mëdha.

Por kush duhet fajësuar?

Pa dyshim, skenari politik në Itali e bëri krizën edhe më keq. Masat radikale të qeverisë së re populiste në Itali po kërcënojnë autonominë e bankës qendrore italiane, Banca D’Italia. Qeveria e re në fakt do të donte të merrte kontrollin e rezervave të mëdha të arit të bankës qendrore italiane. Kjo përqasje vihet re edhe nga vetë fjalët e Matteo Salvinit, zëvendëskryeministër dhe kreu i Partisë së Lidhjes, i cili më herët është shprehur se “Ari është pronë e popullit italian dhe e askujt tjetër”. Kjo u pasua edhe nga heqja e liderit të bankës qendrore për të parandaluar një krizë bankare në vend.

Në 2018, qeveria italiane u përpoq të rrisë deficitin buxhetor në 2.4 për qind për tre vitet e ardhshme. Megjithatë, ky propozim nuk ishte i pranueshëm për BE. Pikërisht kjo gjë bëri të dukshme konfliktet e interesit mes  qeverisë dhe BE-së. Me një monedhë të përbashkët në përdorim, është e pamundur që banka qendrore italiane të mendojë për një zhvlerësim të parasë. Ekonomistët italianë gjithashtu mund të pendohen për vendimin e qeverisë për të kaluar nga lira në euro. E gjitha mbetet për t’u parë! Ndërsa për përgjegjësit, masa të shumta kërkohet të ndërmerren.

Kjo paqëndrueshmëri që vazhdon në eurozonë tregon dështimin e përdorimit të një politike të përbashkët fiskale dhe monetare, e cila gjithashtu vë në pikëpyetje arsyetimin e konceptit të një bashkimi ekonomik. Në të vërtetë, ekonomitë me performancë më të mirë kërcënohen edhe nga vendimet e pafundme politike dhe ekonomike të marra nga udhëheqësit e vendeve anëtare.

Kriza italiane tani paraqet kërcënime serioze për të gjithë eurozonën. Përpjekjet për të bindur qeverinë ambicioze italiane për të qëndruar në përputhje me politikat e BE do të përbëjnë një përplasje që do të dëshmojmë në të ardhmen e afërt. Megjithatë, kriza ekonomike italiane është vetëm maja e ajsbergut. Çështjet e borxhit në ekonomitë e tjera evropiane, përfshirë Portugalinë dhe Spanjën, janë gjithashtu çështje serioze shqetësuese.

Themelet në shumë vende evropiane janë ende relativisht të dobëta. Spanja vazhdon të mbajë një deficit të tepruar, siç është Franca. Mario Draghi, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, përmendi në 2012 se banka do të bëjë “gjithçka që duhet” për të shpëtuar euron. Është vetëm çështje kohe derisa të shohim se çfarë do t’i kushtojë që BE të ndalë këtë përhapje të shpejtë të borxhit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.