The news is by your side.

Kostot ekonomike nga mbyllja e aeroportit të Hong Kong-ut

Autoritetet në Hong Kong anuluan të hënën gati 200 fluturime për shkak të një proteste të madhe në aeroportin ndërkombëtar të qytetit dhe ky ishte një lajm i tmerrshëm për kompanitë. Vendimi për të anulluar të gjitha nisjet dhe fluturimet hyrëse u mor pasi mijëra protestues pro- demokracisë u mblodhën në aeroport, më i ngarkuari pas Pekinit dhe Tokios.

Protestat kanë tronditur Hong Kongun për muaj të tërë dhe kriza tashmë ka një efekt të dukshëm në ekonominë e qytetit. Disa demonstrime madje kanë përfunduar në përleshje të dhunshme me policinë.

Aeroporti i Hong Kong-ut u bllokua të hënën pasi protestuesit u dyndën drejt tij, duke nxitur autoritetet të anulonin të gjitha fluturimet e programuara.  Ato kanë shërbyer si një sinjal i qartë i rrezikut për bizneset globale dhe sektorin e turizmit të qytetit. Më shumë se 74 milion pasagjerë udhëtuan nëpërmjet tij vitin e kaluar dhe aeroporti përballet çdo ditë me gati 1,100  fluturime në rreth 200 destinacione në të gjithë botën. Gjithashtu sipas të dhënave zyrtare nga Sekretariati Shtetëror i Transportit, aeroporti kontribuon me plot 5% në GDP-në e Hong Kongut.

“Kjo është fatkeqësi për Hong Kongun që do t’i kushtojë dhjetëra miliona dollarë,” tha Geoffrey Thomas, kryeredaktor dhe drejtues  i AirlineRatings.com, një faqe interneti që monitoron linjat ajrore. “Ndikimi i drejtpërdrejtë i pezullimit të së hënës nuk është problemi i vetëm.  Udhëtarët për muaj të ardhshëm do të anulojnë edhe udhëtimet e tjera për të shmangur Hong Kongun,” shtoi ai më tej.

Hong Kong është shtëpia e shtatë prej kompanive më të pasura, duke përfshirë Lenovo dhe CK Hutchison dhe operon si një bazë rajonale për korporatat apo bankat e mëdha që çmojnë sistemin juridik gjysmë-autonom dhe lidhje të ngushta me Kinën. Kompanitë tashmë kanë raportuar “pasoja të rënda nga ndërprerja”, përfshirë humbjen e të ardhurave, ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit dhe më pak investime, siç bën me dije Dhoma  Amerikane e Tregtisë në Hong Kong.

Parë nga një këndvështrim ekonomik, statusi i Hong Kongut si qendër biznesi po vendoset në rrezik të lartë pasi udhëtarët po prentojnë fluturime të drejtpërdrejta për në Kinë, në vend që të ndalen në Hong Kong. Sipas Eleanor Wan, CEO e BEA Union Management Management, një firmë investimesh me bazë në Hong Kong, është ende herët të vlerësohen kostot, por theksohet se mbyllja e aeroportit do të ketë një “ndikim negativ psikologjik”.

Tani për tani, autoritetet kanë thënë se nga anulimi janë prekur vetëm fluturimet e së hënës, por edhe nëse aeroporti rihapet së shpejti, imazhi i qytetit ka rënë. Kjo jo vetëm dëmton rëndë reputacionin, i cili do të kërkojë shumë përpjekje për t’u përmirësuar, por gjithashtu i jep shtysa shumë pozitive rivalëve. Singapori si një portë alternative për Kinën dhe pjesën tjetër të Azisë, po përfiton shumë nga problemet e Hong Kongut. Qytetet në Kinën kontinentale, përfshirë Shanghai dhe Shenzhen, gjithashtu janë rritur  gradualisht në tregjet e mëdha financiare.

/ Burimi: CNN Business

Leave A Reply

Your email address will not be published.