The news is by your side.

Konkurrenca e lirë dhe mekanizmi i tregut

Është e natyrshme që çdo kush dëshiron produkte dhe shërbime më të lira, më cilësore dhe më të llojllojshme. Askush nuk është i gatshëm  të paguaj më shumë për diçka pa ndonjë kundërvlerë. Njerëzit janë të gatshëm të paguajnë më shumë vetëm kur e perceptojnë një përfitim në cilësi. Si dhe përgjithësisht, të gjithë, ndoshta me përjashtim të atyre që e kanë vështirë të përcaktohen, duan që para tyre të kenë sa më shumë zgjedhje.

Kjo është e mundur vetëm kur në treg ekzistojnë më shumë se një kompani dhe ato janë në konkurrencë të lira me njëra-tjetrën. Secila kompani, duke tentuar në mënyrë vetjake që ta rris fitimin, detyrohet që t’i ofroj konsumatorëve një kombinim të produkteve apo shërbimeve që i përgjigjet kërkesave të çmimit të lirë, cilësisë dhe zgjedhjes së llojllojshme.

Njëra kompani mund të jetë më shumë e përqendruar në produkte më pak cilësore por më të lira, ndërsa tjetra kompani në të kundërtën; mirëpo në secilin rast konkurrenca në mes tyre rezulton në llojshmëri të ofertave dhe mundësive. Secili konsumator është i lirë pastaj që të votoj me paratë e tij për apo kundër ofertave në dispozicion.

Për shkak se kompanitë janë tërësisht nën mëshirën e konsumatorit—sepse pa të nuk mund të krijojnë të ardhura—ato janë të detyruara që vazhdimisht t’i përgjigjen dëshirave të tij, e madje edhe t’ju paraprijnë atyre. Ato janë të detyruara t’i marrin seriozisht votat e konsumatorit, ndryshe përballen me humbje dhe eventualisht falimentim. Kjo në esencë është si funksionon ekonomia e tregut.

Në anën tjetër, kur një produkt apo shërbim nuk ofrohet nga tregu por nga një ndërmarrje shtetërore, çmimi, cilësia dhe llojshmëria pësojnë rënie të madhe. Ndërmarrja shtetërore nuk vepron sipas diktateve të konsumatorit sepse nuk është e varur nga paratë e tij.

Meqë financohet nga buxheti i shtetit, ajo i ka të garantuara të ardhurat nga tatimpaguesit. Prandaj, ajo nuk i jep llogari apo përgjegjësi konsumatorëve të saj dhe ofron një shërbim përgjithësisht të dobët. Në esencë, ndërmarrja shtetërore është monopol sepse nuk i nënshtrohet presionit të tregut.

Kjo nuk do të thotë që kompanitë private vazhdimisht i kënaqin kërkesat e konsumatorëve apo që ato janë të pagabueshme. Një pjesë e tyre dështojnë, prandaj edhe dënohen me humbje dhe eventualisht falimentim. Mekanizmi i tregut thjeshtë nënkupton që—ceteris paribus—nëseçdo gjë tjetër mbetet e njëjtë, në afat të gjatë, konsumatorët përfitojnë më shumë nga konkurrenca e lirë se sa nga monopoli.

Ky mekanizëm i tregut vlen për çdo lloj të produktit apo shërbimit. Shembull, ashtu siç përfitojnë konsumatorët nga konkurrenca e lirë në mes furrave, njëjtë përfitojnë edhe nga konkurrenca e lirë në mes kompanive që ofrojnë energji elektrike, internet, ujë, etj. Mekanizmi është i njëjtë sepse nuk varet nga karakteristikat apo atributet e produktit apo shërbimit, por nga forma e organizimit të ofrimit të tij.

Por a ekziston rreziku që në treg të lirë kompanitë të formojnë kartele, do të thotë, të bëjnë ujdi që t’i rrisin çmimet mbi nivelin e çmimit të konkurrencës (tregut) dhe rrjedhimisht të përfitojnë duke i dëmtuar konsumatorët? Teorikisht, në një treg të lirë, asgjë nuk i ndalon kompanitë apo individët të bëhen bashkë dhe të bëjnë çfarëdo marrëveshje që nuk është e detyrueshme por zbatohet vetëm vullnetarisht. Sidoqoftë, gjasat që një gjë e tillë të ndodhë janë të vogla—thuajse joekzistente—pikërisht për shkak të mënyrës se si funksionon mekanizmi i tregut.

Ta marrim shembull produktin X që ofrohet nga kompanitë A, B dhe C dhe të themi që çmimi i tij i konkurrencës është 5 euro. Tani në një treg të lirë, këto kompani janë të lira të pajtohen që ta shesin produktin X për 8 euro, duke u shkaktuar konsumatorëve dëm prej 3 eurove. Por çka do të ndodhë nëse e bëjnë një gjë të tillë?

Në radhë të parë, mundësia e mbikëqyrjes dhe zbatimit të kësaj marrëveshje do të jetë e vështirë dhe e kushtueshme. Këto kompani kanë shumë shitore në vende të ndryshme dhe produkti X me gjasë nuk është i vetmi që e shesin. Për shkak të motivit vetjak për të fituar, në mesin e këtyre tri kompanive do të mbretëroj një tundim i përhershëm për prishjen e marrëveshjes në fshehtësi duke ofruar një çmim më të ulët, qoftë edhe 7 euro, për ta rritur hisen e tregut dhe rrjedhimisht të ardhurat dhe fitimin duke i tërhequr konsumatorët.

Por edhe nëse kjo marrëveshje arrin të zbatohet, kompanitë që ende nuk janë në tregun e produktit X dhe nuk janë pjesë e marrëveshjes do të kenë leverdi të madhe që të hyjnë në treg dhe ta vendosin një çmim qoftë edhe 7 euro. Ky çmim është 2 euro më i lartë se çmimi i konkurrencës, i cili më parë nuk i ka tërhequr këto kompani të bëhen pjesë e tregut. Hyrja e kompanive të reja në treg me çmime më të ulëta i vë kompanitë e kartelizuara në pozitë të pakëndshme, në situatë ku duhet të zgjedhin në mes të shitjes mbi çmimin e konkurrencës dhe humbjes, apo kthimit në pikën e mëparshme.

Nëse edhe këto kompani të reja binden të bëhen pjesë e kartelit, atëherë anëtarët e tij do të detyrohen ta marrin një copë gjithnjë e më të vogël të fitimit, deri sa më bëhet e pakuptimtë e gjithë ideja e ujdisë.

Do të thotë, e gjithë kjo aventurë e kartelizimit ju sjellë atyre fitim afatshkurtër, shumë afatshkurtër, në këmbim të një kostoje afatgjate të përballjes me konkurrentë të rinj dhe reputacion të dëmtuar si rezultat i lojës së pistë me çmime.

Një përjashtim për këtë mund të jetë tek tregjet që kanë kosto të lartë të hyrjes në to. Shembull, një kompani që ka nën kontroll hekurudhat, në të cilat investimet janë shumëmilionëshe dhe marrin shumë kohë për t’u realizuar, mund të jetë më e mbrojtur nga rreziku i hyrësve të rinj në treg se sa një kompani që ofron shërbime të internetit. Por edhe në këto raste, historikisht ka pak dëshmi empirike të kompanive që kanë arritur ta kontrollojnë një treg në mënyrë dominuese duke i mbajtur çmimet mbi nivelin e konkurrencës. Në fakt, në thuajse të gjitha tregimet e karteleve me kalimin e kohës kemi të bëjmë me rënie, e jo ngritje, të çmimeve.

Në këtë kuptim, përderisa tregjet mbesin të lira dhe hyrja dhe dalja nga to nuk pengohet nga shteti nëpërmes licencave apo rregullave tjera tregtare që e pamundësojnë apo vështirësojnë atë, nuk ka arsye që konsumatorët të brengosën se nuk po e marrin më të mirën nga konkurrenca e lirë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.