The news is by your side.

Kina me rritjen më të dobët në 17 vjet

Shifrat zyrtare treguan se Kina pësoi në korrik rritjen më të dobët të prodhimit industrial që nga viti 2002 dhe shitjet me pakicë u ulën ndjeshëm, pas një ngadalësim ciklik dhe tensioneve tregtare të shtuara. Prodhimi industrial u rrit me 4.8%, shitjet me pakicë u zgjeruan vetëm 7.6% dhe investimet u ngadalësuan në 5.7%,  rezultate këto edhe më të ulëta sesa parashikimet.

Të dhënat e prodhimit të shoqëruara me kërkesën e dobët sinjalizojnë se ekonomia e dytë më e madhe në botë ende po lufton për t’u stabilizuar. Rritja e ardhshëm e tarifave, që presidenti Donald Trump vendosi ta shtyjë për dhjetorin është parë nga tregjet si një tregues pozitiv, megjithatë ende paqartësia e së ardhmes nuk është zbehur.

“Ekonomia është duke u ngadalësuar”, tha Gene Ma, ekonomist kryesor i Kinës në Institutin e Financave Ndërkombëtare në Washington. “Nevojiten lehtësime monetare dhe ne presim një tjetër ulje të normës së interesit gjatë vjeshtës. ” shtoi më tej ai.

Prodhimi u ngadalësua në rritjen më të dobët, ndërsa rritja e investimeve në infrastrukturë, si shtyllë kryesore e stimulimit të qeverisë, u dobësua në 3.8%. Ndërsa lufta tarifore po përshpejton zhvendosjen e ekonomisë së Kinës larg fabrikave e drejt shërbimeve apo shitjes me pakicë, të dhënat e korrikut treguan gjithashtu rënie edhe atje.

Shitjet me pakicë janë dobësuar shumë nga tkurrja e vazhdueshme e shitjeve të automjeteve. Në korrik, Kina vendosi një përmirësim të standardeve të emetimit të gazeve në zonat me mbi 60% të shitjeve kombëtare të automjeteve dhe kjo politikë duket se ka minuar përfitimin e kompanive, shitjet e të cilave  u dobësuan thellësisht. Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave, ato ishin edhe më të ulëta sesa mesatarja e vitit të kaluar dhe ritmi u ngadalësua në 8.8% për korrikun.

Deri më tani, politikë-bërësit kinezë janë mbështetur në një sërë politikash të uljes së taksave për të nxitur shpenzimet dhe stimujsh monetarë  që bankat të japin hua për bizneset. Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndalur ngadalësimin dhe ekonomistët kanë filluar të kërkojnë masa më efektive, përballë rreziqeve të rritjes së borxhit dhe paqëndrueshmërisë financiare.

“Tre kontribuesit kryesorë, eksportet, shpenzimet në infrastrukturë dhe investimet në prona, po ngadalësohen,” tha Larry Hu, drejtuesi ekonomik i Kinës në Macquarie Securities Ltd. në Hong Kong. “Ndaj ne presim më shumë masa për lehtësimin e likuiditetit, si ulja e raportit të rezervës. Megjithatë ka të ngjarë që ato të mos jenë të mjaftueshme për të ringritur ekonominë. Edhe muajt e ardhshëm ajo do përballet me më shumë humbje. ”

Banka Qendrore ka ndryshuar metodën e vlerësimit të huadhënies së bankave, duke shpresuar se më shumë kredi do të rrjedhë tek prodhuesit apo firmat e vogla. Për më tepër, një përmirësim i normës së interesit është parë si një metodë për të ulur kostot e huamarrjes. Megjithatë tani për tani, politikë-bërësit nuk po sinjalizojnë një ulje të afërt të normave.

Shkalla e papunësisë gjithashtu u rrit për korrikun në vlerën 5.3% nga 5.1% që rezultonte muajin e kaluar, një zhvillim që Byroja Kombëtare e Statistikave e justifikoi me të diplomuarit e fundit që godisnin tregun e punës.

/ Burimi: Bloomberg Economics

Leave A Reply

Your email address will not be published.