The news is by your side.

Kapitalizmi nuk është aspak në krizë, kurse ata që përpiqen të ngjallin socializmin po!

Globalisht ka filluar së fundi një frymë disi përbuzëse ndaj kapitalizmit. Njerëzit dëgjohen të thonë “Kapitalizmi është në krizë, ai po dështon.” Urrejtja e vazhdueshme ka arritur deri atje sa njerëzit mendojnë madje edhe një ringjallje të socializmit, si rruga që mund të sigurojë zgjdhjet e dëshiruara.

Dëshira publike ndaj socializmit ka arritur kulmin në një sondazh të fundit të YouGov që tregon se gati gjysma e gjithë gjeneratës Z kanë në mendje një pamje jo fort të dëshiruar të kapitalizmit. I njëjti sondazh zbuloi gjithashtu se më shumë se 70% e po të njëjtit target grup do të votonin me bindje për një kandidat socialist. Thënë kjo sot, është thelbësisht e modës të jesh socialist dhe të deshifrosh sëmundjet e pretenduara të kapitalizmit. Por, a është e vërtetë e gjitha kjo tymnajë?

Instituti Fraser, një institucion kërkimor kanadez publikon çdo vit raportin e Lirisë Ekonomike Globale (EFW) për të zbuluar se cilat vende kanë ekonomitë më të lira dhe cilat lenë ende për të dëshiruar. EFW merr në konsideratë nivelin e lirisë së 162 ekonomive globale, duke përdorur 43 indekse, në fushat kryesore politike: madhësia e qeverisë, sistemet ligjore dhe të drejtat e pronës, likuiditeti, liria për të tregtuar produktet dhe shërbimet ndërkombëtarisht dhe rregullimi i ekonomive me ndërhyrjen e shtetit.

Ideja që qëndron pas raportit të EFW është se, nëse mund të zbulohet se cilat shtete kanë ekonomitë më kapitaliste, atëherë mund të përdoret ky informacion për të krahasuar rezultatet me rastet kur ekonomitë janë më të mbyllura dhe performancën që ato shfaqin në këtë moment. Rezultatet janë mahnitëse!

Prej tyre rezulton se të ardhurat mesatare në grupin e ekonomive më kapitaliste janë gjashtë herë më të larta, sesa të ardhurat mesatare në ekonomitë më pak kapitaliste (36,770 dollarë dhe 6,140 dollarë përkatësisht). Për më të varfërit  ky hendek zgjerohet edhe më shumë. 10%- ëshi më i varfër i popullsisë në vendet më kapitaliste fiton mesatarisht shtatë herë më shumë se 10%- ëshi më i varfër në ekonomitë më pak të lira.

Në mënyrë të ngjashme, rezulton se më shumë se 27% e njerëzve në ekonomitë socialiste jetojnë në varfëri ekstreme (siç përcaktohet nga Banka Botërore niveli me më pak të ardhura se 1.90 dollarë në ditë), ndërsa në ekonomitë e tregjeve të lira vetëm 1.8% jetojnë në varfëri ekstreme.

Kështu, duke lënë mënjanë këndvështrimin ekonomik,  rezulton gjithashtu se njerëzit që jetojnë në vendet më kapitaliste jetojnë mesatarisht 14 vjet më shumë, kanë një normë vdekshmërie foshnjore gjashtë herë më të ulët, gëzojnë liri më të mëdha politike dhe civile, barazi gjinore dhe në atë masë sa mund të matet, ata gëzojnë gjithashtu edhe lumturi më të madhe, krahasuar me ekonomitë më pak kapitaliste.

Për shembull Hong Kongu, sipas EFW është ekonomia më e lirë në botë. Më 1941, gazetarja Martha Gellhorn vizitoi qytetin bashkë me bashkëshortin Ernest Hemmingway dhe theksoi se “Hong Kongu i vërtetë … ishte varfëria më mizore që ajo kishte parë ndonjëherë.” Por vetëm disa vjet pas vizitës së Gellhorn, pas dorëzimit nga japonezët në 1945 dhe vendosjes së sundimit britanik, qytet- shteti i shumëdiskutuar erdhi me një qasje laissez-faire për ekonominë dhe arriti eksponencialisht një zhvillim të shpejtë.

Në vitin 1950, qytetari mesatar në Hong Kong fitonte vetëm 36% të asaj që fitonte një qytetar mesatar në Mbretërinë e Bashkuar. Por ndërsa Hong Kong përqafoi lirinë ekonomike (sipas EFW, Hong Kongu ka ekonominë më kapitaliste çdo vit që nga viti 1970), ekonomia vendase u bë thelbësisht më e pasur. Sot GDP për frymë e Hong Kongut është 68% më e lartë se ajo e Mbretërisë së Bashkuar. Me sa duket “varfëria” për të cilën Gellhorn u shqetësua aq shumë është zhdukur – dhe kjo falë lirisë ekonomike”.

Boshllëqe dhe ndasi të tilla të mëdha midis socializmit dhe kapitalizmit shihen edhe në raste të tjera, Kili vs. Venezuela, Gjermania Perëndimore vs. Gjermania Lindore, Koreja e Jugut ndaj asaj të Veriut, Kosta Rika vs. Kuba, etj. Pikërisht të tillë shembuj duhet të na bëjmë të reflektojmë para se të diagnostifikojmë kapitalizmin në rënie apo socializmin e dëshiruar e plot shkëlqim. Kështu rruga e së vërtetës kalon nga fakti! Duhet të mësohemi me këtë! E faktet tregojnë se kapitalizmi nuk është aspak në krizë, kurse ata që përpiqen të ngjallin socializmin po!

Leave A Reply

Your email address will not be published.