The news is by your side.

Kapitalizmi, Mendësia dhe Shqipëria

Nga Rezart Prifti

Në aspekt global diskutimet mbi kapitalizmin, marrëdhëniet e korporatave me shoqërinë, pabarazinë dhe efektet e globalizmit janë në diskutim të ethshëm. Ithtarët e kapitalizmit po artikulojnë se ky i fundit ka nevojë të rishpikë veten. Është e vështirë të thuash nëse kapitalizmi po funksionon apo jo. Nga njëri krah falë këtij sistemi kemi arritjet më të mëdha të shoqërive moderne. Ulje të kostove të transportit, zhvillim teknologjik të paprecedentë falë sipërmarrësve të lirë dhe funksionimit të tregut aq shumë sa ekonomia dhe shoqëria nuk e përthithin dot, inovacione në fusha të ndryshme si, shëndetësia me të cilat ka ndryshuar mënyra si dhe sa shumë jetë njerëzish shpëtohen apo bujqësia në të cilat shoqëria po ushqehet me ritme të shpejta rritjeje.

Nga krahu tjetër, këto zhvillime nuk vijnë pa probleme dhe kosto. Shpesh këto shpikje teknologjike dhe inovacione kanë sjell risqe të mëdha shoqërore si, monopole natyrale, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe skandale në zinxhirin ushqimor. Gjithashtu, rritja e pabarazisë në rang global, ngrohja globale dhe dalja në modë e lëvizjeve ekstreme populiste kanë lëvizur balancat globale. Për më tepër, globalizmi perceptohet si erë e zhvillimit ekonomik e shoqëror drejt fundit, kjo për dy arsye kryesore.

Së pari, rënia e ritmit të rritjes ekonomike globale. Rënia e kostove të transportit këto dekadat e fundit ka bërë që globalizimi të merrë një hov të pa llogaritur më parë. Arritja e pikut të rënies së kostove margjinale të transportit ka qenë faktori kryesor i uljes së ritmit të globalizimit. Përpos kësaj, rritja ekonomike financohet më shumë nga flukse financiare që do të thotë rritja ekonomike e vendeve të zhvilluara është bërë me natyrë monetare dhe abstrakte. Bankat qëndrore bëjnë infuzione monetare duke blerë asete si bono thesari dhe herë pas here asete kapitale për të stimuluar ekonomitë.

Së dyti, efektet anësore të globalizmit kanë qenë pesha kryesore në dëm të këtij të fundit. Rritja e pabarazisë ekonomike ka ngritur perceptimin kundra globalizimit dhe mbi të gjitha kapitalizmit. Dominanca e e firmave multinacionale, si flamurtarë të globalizimit, kanë ushtruar shpesh presion mbi firmat lokale dhe zinxhirët lokal të vlerës së shtuar. Kjo duke shfrytëzuar kostot e ulëta të transportit dhe ekonomitë e mëdha të shkallës.

Megjithatë në rang global dhe si sistem referencial vendet e zhvilluara, kapitalizmi ka qenë i vetmi sistem që u ka dhënë zgjidhje krizave ekonomike, politike dhe burim i inovacionit në përgjithësi. Falë frymës së tregut të lirë janë dhënë zgjidhjet më të mira në ekonomi dhe në shoqëri.

Në gjithë këtë kontekst, janë dhe qeveritë të cilat me iniciativa dhe reforma duhet të kishin paraprirë dhe adresuar disa prej problemeve. Por qeveritë e sotme janë të prirura drejt fragmentarizmave, si rrjedhim i zgjedhjeve ekstreme që mbajnë, të cilat drejtojnë drejt ngërçeve që nuk çojnë gjikundi. Këtu mund të përmend Italinë, SHBA-të, Austrinë, Spanjë, etj.

Shqipëria, si në të shumtën e rasteve është jashtë kontekstit të këtyre debateve. Vendet drejtohen nga ide, politika dhe argumente të cilat mbështeten mbi të dhëna dhe studime të cilat nuk i kemi. Në një vend si i yni, që të dhënat, në rastin më të mirë janë të pasakta dhe në rastin më të keq të manipuluara, argumentet dalin në cilësinë e letrave të fatit. Rrjedhimisht, argumentet bëhen si fallxhore dhe politikat do jenë të gabuara, siç dhe kanë qenë. Në fund, idetë kanë pak rëndësi në kakofoninë e iracionalitetit mistik të shumë perëndive. Pa ide, nuk ka njerëz që do duhet të mbanin qëndrime të mirëfillta në shoqëri, pa ide ka shoqëri me njerëz që kanë qëndrime për çdo gjë, që do të thotë çdo gjë që fluturon hahet, madje dhe pihet.

Shterpësia e ideve vjen nga ç’edukimi dhe ç’kulturimi që i është bërë shoqërisë shqiptare. Këto i kanë bërë një dëm të madh çdo grupi interesi dhe kategorie shoqërore. Kanë shkaktuar eksodin e madh modern shqiptar, rënien e sistemit të edukimit, shëndetësinë në katastrofë, një minë me sahat në sistemin e pensioneve, biznese që nuk e arrijnë potencialin e tyre, konsumatorë të painformuar dhe jo racional, si dhe sisteme me mungesë të profesionalizmit dhe meritokracisë.

Me humilitetin e intelektualit dhe integritetin e akademikut nuk po guxoj të jap zgjidhje për botën, por për Shqiperinë, po.

Asnjë ligj, ndryshim ligji apo politikë-bërës i këtij bataku nuk mund të jetë pjesë e ekuacionit të zgjidhjes së madhe. Kjo nuk është çështje ligji, paraje apo politike, kjo është çështje mendësie!

Shqipëria që të dali nga ky batak ka nevojë:

Së pari, për mendësi të re në edukim. Edukimi është primar dhe nuk kam fjalë dhe mënyrë të theksoj rëndësinë e mendësisë së re për edukim ndryshe. Edukimi nuk është çështje ligji, e as mungesë fondesh. Mendësi ndryshe!

Së dyti, mendësi të re për ekonominë, sipërmarrjen dhe inovacionin. Punizmi nuk e ka kuptuar ndonjëherë sipërmarrjen. Nuk mund të rregullojë ekonominë dikush që nuk ka mendësi sipërmarrje dhe tregu të lirë.

Së treti, mendësi e re në shtet. Mendësi e re në shtet do të thotë, shteti në shërbim të shoqërisë dhe biznesit, dhe jo e kundërta. Një shtet i fortë është kur është një biznes i fortë dhe kur individi është i fortë.

Për të konkretizuar të tre rastet:

Në një projekt edukimi kur u dëgjua mendësia ndryshe u bë revolucion në ndryshim institucional dhe palët si mësues e nxënës ndryshuan kulturalisht përqasjen mbi shkollën. Kur mendësia ndryshe nuk u bë palë korrupsioni atëherë gjithë paraja lum nuk vajti më tek palët e interesuara por në letra dhe konferenca si në 30 vite të shkuara.

Kur një njësi e shtetit është me mendësi ndryshe bën ndryshimin në treg. Një inspektor tatimesh që është edukuar me mendësi ndryshe kish marrë ankesë nga porthali për një subjekt biznesi. Një qitetar i ndershëm kish raportuar… Inspektori në proces pune e kuptojë gjithë surealizmin e situatës dhe bëri adetin. Por një tjetër që nuk kish edukimin e mendësisë ndryshe e penalizoi biznesin në bazë të një rregulloreje dhe ligji që jo vetëm ishte inekzistent por dhe nuk e citonte dot. E fundit, Kroacia do marri miliona euro grante nga fondi i Bashkimit Evropian për biznesin e vogël dhe të mesëm, kredi për mbështetje dhe zhvillim të prodhimit, Shqipëria asgjë!

Në një trajnim negociatash mësoja se si shteti Amerikan nisesh për takime bilaterale. Në një rast na u komunikua se ish presidenti Obama shoqërohesh nga 3600 persona, ku pjesa më e madhe ishin biznesmen, ekonomistë, juristë dhe disa funksionarë dhe këshilltarë. Kur shtetarët tanë nisen për negociata bilaterale, përpos se nisen me benevrekë nëpër këmbë, marrin me vete sekretarë, dashnore, horra dhe obortare hysmeqare. Ky është shtet në shërbim!

Leave A Reply

Your email address will not be published.