The news is by your side.

Janar-korrik 2019, plot 12.000 shqiptarë kërkojnë azil në BE

Largimi i shqiptarëve nga vendi ka qënë një nga problematikat më të diskutuara të kohëve të fundit. Kryesisht për shkaqe ekonomike, por edhe sepse në vend mungojnë mundësitë lehtësisht të aksesueshme në shtetet e tjera, shqiptarët kanë zgjedhur të largohen masivisht nga vendi. Vitet 2015- 2016 shënuan edhe eksodin më të fuqishëm të shiptarëve, të cilët në masë iu drejtuan vendeve të Bashkimit Europian, sidomos Gjermanisë, si opsioni i vetëm për të pasur të ardhmen e dëshiruar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat, deri në fund të vitit 2017 mbi 867 mijë shqiptarë janë pajisur me një leje qëndrimi dhe aktualisht kanë një jetë jashtë kufijve, në vendet e Europës. Më serioze paraqitet situata nëse shifra konvertohet dhe rezulton sa një e treta e popullsisë së përgjithshme shqiptare jeton e punon nëpër BE.

Asokohe, pasi Gjermania u përball në 2016 me një valë masive shqiptarësh, që kërkonin azil me qëllim zgjatjen e qëndrimit në vend, rregullat u bënë më strikte. Ndaj, duke pasur më shumë vëshitrësi për të siguruar qëndrimin e ligjshëm, shqiptarët kthyen vëmendjen drejt vendeve më të afërta. Pjesa më e madhe e lejeve të qëndrimit për shqiptarët e larguar deri në 2017, është lëshuar nga Greqia dhe Italia në plot 94% të totalit të tyre, si dy nga destinacionet më të lehta dhe më të mundshme për t’u arritur. Pjesa tjetër janë lëshuar nga Gjermania në 3% e totalit, ndërsa në Franë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Belgjikë, janë lëshuar përkatësisht nga 1% e lejeve të tjera të dhëna për shqiptarët nga vendet e  BE-së.

Por, së fundi Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilantëve (EASO) ka publikuar një raport me të dhënat zyrtare dhe ajo paralajmërojnë një tjetër tendencë shqetësuese. Të dhënat e raportit kanë theksuar se gjatë periudhës janar-korrik 2019, rreth 12.000 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë pë azil, në një nga vendet e Bashkimit Europian. Madje përveç tyre, një numër rreth 2000 persona kanë tentuar dhe janë përpjekur shumë të fitojnë statusin e azilantit. Për autoritetet europiane, këto shifra janë ndoshta indikator i një vale të re emigrimi drejt vendeve të Unionit.

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.