The news is by your side.

Jaka: Biznesi nuk ka transparencë se si do të procedohet me garancinë sovrane të qeverisë

Nga cikli: “Ekspertët thonë:”

Nga Ekopolitikë në Ora News, ka folur lidhur me gjendjen aktuale të ekonomisë dhe klimës vendase të biznesit si pasojë e përhapjes së Coronavirusit edhe Nikolin Jaka, Kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë, ndër të tjera ai ka theksuar:

“Ne normalisht jemi prezantuar me paketën e qeverisë, ndërkohë që vazhdojmë ta trajtojmë atë si një ndërhyrje emergjente për të përballuar të paktën pagesën e pagave të punonjësve dhe kam një ndërhyrje të vogël për sipërmarrjen e cila vazhdon e mbyllur nën masat shtrënguese. Nga ana tjetër, lëvizja e qytetarëve me fasha të caktuara nuk rezultoi efektdhënse.
Duke parë edhe sektorët që janë më të dëmtuar, si sipërmarrjen e vogël dhe gjithë restorantet e kafet dhe hotelerinë, unë jam i bindur se sektori i turizmit është padyshim sektori më i prekur që pret rikuperimin e situatës për të pritur pastaj ofertën e huaj nëse bëhet e mundur.

Duhet të jemi të përgatitur pasi, në qoftë se situata zgjat edhe në muajin prill me masa shtrënguese, atëherë sipërmarrja private do ketë një recesion të madh. Akoma nuk kemi një platformë apo një transparencë se si do të ndodhë garania sovrane e paketës dhe unë ju siguroj se nëse masat shtrënguese vazhdojnë, jo vetëm që garancia sovrane nuk do të mjaftojë, por është e pamundur të ketë paketë financiare për të përballuar humbjet dhe pagesën e pagave të punonjësve.”

Pas një paralize për shkak të masave të marra, kreu i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë, Jaka, njoftoi industria e ndërtimit do të rikthehej në punë me fillimin e javës. Ai deklaroi:

“Ditën e hënë do të hapet e gjithë industria e ndërtimit bashkë me industritë e tjera që shoqërojnë ndërtimin dhe infrastrukturën. Kam dhe një njoftim tjetër, të gjitha kompanitë që kanë marrë autorizimin për mjetet dhe kapitalin human të tyre nuk do ti nënshtrohen rregullave të qarkullimit që i janë nënshtruar deri më tani. Ato që kanë autorizim dhe janë në sektorët specifikë dhe ato që kanë autorizimet e marra para se të dilte urdhri që bllokoi fashat e orareve nga dita e nesërme janë të lira të qarkullojnë.”

Pyetur se çfarë kërkon biznesi vendas në një kohë kur qeveria deklaron se nuk ka para t mjaftueshme për të subvencionuar këdo, Jaka shprehet:

“Ne nuk kërkojmë subvencion financiar. Ne kërkojmë që qeveria të hartojë një plan strategjik, që të bëjë të mundur lehtsimin e sipërmarrjes private e tregun e punës dhe nga ana tjetër të marrë masat për të siguruar atë target grup qytetarësh që janë të ndikuar nga Coronavirus. Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të sigurojmë një pjesë të caktuar të popullsisë, qoftë nga mosha apo rrezikimi, por pjesa tjetër të kryejë jetën në kushte sigurie por në normalitet për sipërmarrjen private.

Ne kërkojmë që të fillojë industria e ndërtimit, ashtu siç po funskionon edhe fasoni apo call center, edhe industrit e tjera të shërbimit qytetas, duke filluar me gjithë shërbimet që vijnë për qytetarët shqiptarë, por ne kërkojmë edhe më shumë. Mundësisht, ashtu siç funksionon një fason, mund të funksionojë edhe një sipërmarrje restoranti apo hoteli. Ne nuk mund të jemi drastikë në masa shtrënguese, ndërkohë që duhet të jemi drastikë në masa sigurie.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.