The news is by your side.

Humbja e rezervave të Trepçës është shfarosje ekonomike

Humbja eventuale e rezervave të Trepçës në kuadër të dialogut me Serbinë përbën përpjekjen e radhës për shfarosjen e Kosovës. Përderisa në të kaluarën kjo shfarosje e Serbisë e merrte formen e përndjekjes, rrëmbimit, dhunimit e vrasjes, kësaj radhe ajo është e natyrës ekonomike.

Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe gjendet nën trysni për mbijetesë ekonomike. Rezervat e Trepçës mund të jenë burim i ekzistencës për qytetarët e saj, përfshirë serbët, të cilët Beogradi po i instrumentalizon për ta minuar shtetin e Kosovës.

Kosovës nuk i kanë mbetur shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe dalje nga varfëria përveç tërheqjes së investimeve të huaja dhe shfrytëzimit të burimeve nëntokësore. Kapaciteti i Trepçës për të krijuar të ardhura vjetore miliardëshe (sipas disa llogarive) e bën atë aset strategjik. Ashtu si për liqenin e Ujmanit që i përmbushë nevojat energjetike të vendit, të negociohet për Trepçën i bie të negociohet për të drejtën për ekzistencë.

Përveç grabitjes nga Serbia, Trepçës i kanoset gjithashtu rreziku i keqmenaxhimit nga mosdija apo mosinteresimi. Për ta nxjerrë vlerën maksimale të saj dhe për ta vënë atë në shërbim të zhvillimit të vendit, Trepça nuk mjafton të mbetet vetëm në territorin e Kosovës por edhe duhet t’i përcaktohet statusi pronësor dhe forma e menaxhimit. Ekzistojnë tri forma kryesore të pronësisë dhe menaxhimit: publik, privat dhe publiko-privat.

Në rast të pronësisë publike, marrë paraasysh realitetin aktual Trepça do të degjenerohet (si të gjitha ndërmarrjet tjera shtetërore) në vatër të keqmenaxhimit, joefikasitetit, korrupsionit, e degradimit kapital, përderisa shefat e saj marrin paga të larta e humbjet e saj subvencionohen në pafundësi. Në vend se t’i kontribuoj zhvillimit ekonomik, pronësia publike e Trepçës e kthen atë në barrë për buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit.

Në rast të pronësisë private, Trepça do të menaxhohet në mënyrë efikase sepse pronari i saj nuk do ta toleroj humbjen monetare dhe zhvlerësimin e aseteve në dëm personal, por fitimet dhe dobia e Trepçës do t’i takoj vetëm atij e jo të gjithë qytetarëve të vendit.

Prandaj modeli më i mirë është ai i pronësisë publiko-private ku shteti e ruan 49% të pjesëmarrjes në Trepçë, kurse 51% e saj privatizohet në një proces transparent, fer dhe profesional në të cilin marrin pjesë kompani apo konglomerate prestigjioze me përvojë dhe ekspertizë në këtë fushë. Në këtë model Qeveria nuk merr vendime menaxheriale por i merr 49% e të ardhurave, kurse privatizuesi e ruan të drejtën e menaxhimit dhe e përfiton pjesën tjetër.

Tenderin duhet ta fitojë privatizuesi që ofron më së shumti para sepse kjo e dëshmon fuqinë ekonomike si dhe përkushtimin ndaj këtij projekti. Konsideratat tjera si ato politike (siç ka ngjarë me firmat turke) apo jo-monetare (do të bëhen x investime) janë arbitrare dhe të dëmshme për procesin e privatizimit. I dëmshëm është edhe koncesionimi sepse me t’u afruar afati i përfundimit ndërmarrja koncesionare e amortizon dhe konsumon kapitalin.

Për ta nxjerrë vlerën maksimale nga Trepça, përveç të ardhurave nga 49% e pronësisë së saj, Qeveria duhet ta vë një taksë edhe mbi 51% të pronësisë private. Taksa duhet të përcaktohet në linjë me taksat rajonale për investime të ngjashme që privatizuesit potencial të mos tremben.

Ky model garanton që pronari privat e bën maksimumin sa i përket gjenerimit të vlerës sepse të ardhurat e tij varen nga përqindja e asaj vlere. Ai e ruan autonominë e plotë për të marrë vendime dhe në këtë mënyrë dora joefikase e shtetit nuk i përzihet.

Fondet e mbledhura nga pronësia dhe tatimi i Trepçës shërbejnë për zhvillimin e vendit duke investuar në infrastrukturë kritike, shkolla, shëndetësi, polici, gjykata, etj.

Nuk është çudi pra që Serbia përpiqet me çdo kusht t’ia vë duart këtij aseti, falë të cilit do të përfitonte shumë dhe lë Kosovën buzë greminës ekonomike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.