The news is by your side.

Gremina e pensioneve

Mateo Spaho

Pak vite na ndajnë nga falimentimi definitiv i skemës shtetërore të pensioneve. Nëse jeni më pak se 50 vjeç mos kini shpresë të shijoni qetësisht pensionin tuaj. Në këtë skemë duhet të futen duart thellë për të ndryshuar konceptimin e mbrojtjes sociale dhe të moshës së tretë. Përse?     

Në raportin e vitit 2017 Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka deklaruar se ka grumbulluar rreth 87 miliard lekë nga skemat e sigurimeve shtetërore dhe ka shpenzuar (në formë pensionesh dhe mirëmbajtje të strukturave vetiake) 114 miliard lekë duke i kerkuar buxhetit të Shtetit (taksave tona) rreth 27 miliardë lekë. Për vitin e kaluar të ardhurat kanë qënë 91 miliard lekë dhe shpenzimet 120 miliard lekë me një defiçit të skemës që tejkalon 29 miliard lekë, thënë ndryshe 250 milion euro, aq sa 1.8% të GDP-së Shqiptare ndërkohë që defiçiti i Buxhetit të Shtetit i afrohet normës 3% të GDP-së.

Për vitet në vijim defiçiti i kësaj skeme do të rritet ndjeshëm dhe nëse do të krijonim një parashikim për 10 vitet e ardhshme do të kishim një defiçit të skemës që do të arrinte në nivelin e 60 miliard lekëve ose 500 milion euro.  Këto shifra e bëjnë mjaft të vështirë (të pamundur) për shtetin Shqiptar ta ruaj ose të zvogëlojë  borxhin publik dhe në të kundërt kjo skemë përbën një presion për të rritur huamarrjen e shtetit Shqiptar për të paguar pensionet dhe rrit mundësinë e një krize të pagesës së borxhit publik të shtetit sipas modelit Grek (problemi është se Shqipëria është një vend më i vogël, relativisht i parëndësishëm, jo anëtar i BE-së), por ndryshe nga fqinjët tanë do të kishim pak gjasa të na shpëtonte dikush.  

Arsyet e këtij problemi janë të thjeshta. Normalisht 3 ose 4 persona duhet të punojnë dhe me kontributet e tyre do të paguajnë një pensionist. Këta do të pagueshin nga 12 deri në 16 të rinj që do të futeshin në punë në të ardhmen. Problemi është se me kalimin e viteve po rritet gjithnjë e më shumë numri i pensionistëve dhe nuk ka më gjasa të rritet numri i të punësuarve pasi gjysma e të rinjve tanë kanë ikur jasht shtetit. Sipas INSTAT-it në reth 500 mijë persona që kanë moshën 15-30 vjeç gjysma kanë ikur jashtë shtetit dhe vetëm 240 mijë jetojnë në Shqipëri. Jo vetëm, askush nuk na garanton që këta që kanë ngelur mos të ikin pas moshës 30 vjeç jashtë shtetit. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se në Shqipëri nuk ka as edhe një garanci se të ngelurit do të gjejnë një vënd pune që të paguajnë kontributet dhe të kenë të drejtë për të marrë vetë një pension.

Përtej kësaj tragjedie Kombëtare nuk duhet të harrojmë se numri i pensionistëve në Shqipëri është tashmë në nivelin e 650 mijë personave të cilët kanë nevojë përtej pensionit për përkujdesje, ilaçe dhe shërbime shëndetësore. Ndërkohë që pensioni mesatar mezi arrin në 16 mijë lekë. Kjo shumë është nën nivelin e mbijetesës të publikuar nga studimet që ka botuar Avokati i Popullit pak vite më parë. Situata është edhe më e dëshpëruar kur mendojmë se pensionistët e sotçëm jo vetëm që mbijetojnë por ndihmojnë ekonomikisht edhe fëmijët e tyre që ngelen të papunë. Rezultati është se mungesa e ndërhyrjes në këtë skemë në mënyrë të përgjegjshme përtej interesave politike ka bërë që kemi një skemë ku shteti shpenzon shumë dhe pensionistët marrin pak, shumë pak.

Ministrat e radhës kanë dal duke u mburrur se po rrisin nivelin e pensioneve duke e indeksuar atë me normën e inflacionit. Vetvetiu indeksimi nuk është rritja e pensionit por barazimi i fuqisë blerëse që pensioni ka me vitin para-ardhës. Fatkeqësisht edhe kjo është një gënjeshtër sepse inflacioni mund të jetë realisht 2% por çmimet e produkteve dhe shërbimeve të shportës (ushqime, ilaçe, energji elektrike, faturat e ujit, etj) kanë çdo vit një rritje së paku të dyfishtë.

Shteti Shqiptar po tregohet i pa-aftë për të menaxhuar edhe skemën aktuale të pensioneve e jo më për të ndërtuar një të re sepse të dhënat e INSTAT-it në varësi të Kryeministrit thotë se në Shqipëri punojnë 1.1 milion njerëz, ndërsa Istituti i Sigurimeve Shoqërore deklaron se vetëm 750 mijë persona derdhin kontribute. Kjo gjë do të thotë se rreth 350 mijë Shqiptar nuk paguajnë kontribute, pak a shume 1 punonjës ne 3. Ndoshta në të vërtete keta 350 mije persona në fakt nuk punojnë dhe i shikon në punë vetëm Kryeministri…por më mirë mos ti shkojmë më thellë kësaj pune se rrezikojmë të ngelemi vetë të papunë…  

E fundit por jo për nga rëndësia është se një kontribues së skemës nuk ka shtysë të paguajë kontributet sepse paratë e veta i shkojnë një tjetër personi që sot merr pensionin. Askush nuk e siguron punëtorin e sotshëm që dikush do të paguaj pensionin e tij nesër.   

Pikërisht nga kjo pikë duhet të fillojë ndërtimi i një skeme të re që bazohet tek pronësia e kontributeve të gjtihësecilit dhe Shteti nuk ka të drejtë të të marri me detyrim kontributet e tua për t’ia dhënë dikujt tjetër. Shteti në fakt po të vendos një taksë duke i dhënë kontributet një personi tjetër. Kontributet e gjithsecilit duhet të ruhen dhe të investohen me risk të ulët nga Institucione të specializuara në mënyrë të tillë që gjithësecili të ketë shtysë ti derdhi ato ashtu siç ndodh me depozitat bankare personale. Në këtë mënyrë informaliteti në punë do të reduktohej dhe njerëzit do të kishin më shumë shtysë për të punuar dhe për të derdhur kontribute në mënyrë të tillë që të gëzojnë një pension të qetë dhe dinjitoz. Kjo është baza nga e cila Partitë Politike do të bënin mirë të konsideronin për të ndërtuar një skemë të re të pensioneve që ti japi atij që është në pension kontributet që ka paguar kur ka qënë në punë. Në këtë mënyrë, nëse punon shumë ke të drejtë të marrësh shumë, nëse punon pak do të kesh një shtysë për të punuar më shumë sot që të gëzosh një pension më të mirë mot…

Leave A Reply

Your email address will not be published.