The news is by your side.

Goditja kineze 1 trilionë dollarëshe që do fundoste ekonominë amerikane!

Lufta tregtare SHBA-Kinë ka pasur së fundi përshkallëzime të shpejta. Pekini zhvlerësoi monedhën vendase pasi administrata Trump kërcënoi me rritjen e mëtejshme të tarifave për pothuajse çdo eksport kinez. Shtetet e Bashkuara më pas e etiketuan Kinën si “manipulatore të monedhës” dhe përçarja u thellua edhe më tej.

Shkëmbimet kanë tronditur dhe kërcënojnë prej kohësh tanimë ekonominë globale dhe ajo që pritet të ndodhë më tej tani mund të jetë thjesht hamendje, pasi paqartësia sa vjen dhe rritet. Kina ka thënë se është e gatshme të luftojë, nëse është e nevojshme dhe ka një armë jashtëzakonisht të fuqishme nën mëngë: është kreditori më i madh i qeverisë amerikane.

Në teori, Pekini mund të shkaktojë panik në tregjet e bonove pasi zotëron plot 1.1 trilion dollarë në Thesaret e SHBA-së, por ka arsye shumë të mira pse Kina nuk ka të ngjarë të tërheqë këmbëzën. Së pari, lëvizja mund të mos ketë efektin e dëshiruar dhe së dyti, kjo mund të ndikojë keq në ekonominë e vet.

“Ka të ngjarë të mos jetë mjeti më efektiv në dispozicion,” tha Brad Setser, anëtar në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ish-ekonomist i Thesarit të SHBA.

Nga ana tjetër Kina ka ndërmarrë hapa për të mbështetur monedhën vendase, duke sinjalizuar se amortizimi ishte menduar si një shenjë paralajmëruese. Nëse Kina vërtet dëshiron të rrënojë Shtetet e Bashkuara, ajo mund të shkatërrojë vlerën e Thesarëve të SHBA duke i shtyrë ata në treg.

Kjo do të bëjë që rendimentet të rriten dhe meqenëse rendimentet e Thesarit shërbejnë si pikë referimi për biznesin dhe kredinë e konsumatorit, atëherë çmimi i borxhit të korporatave, hipotekave dhe kredive do të rritet, duke frenuar rritjen ekonomike të SHBA. Sigurisht një përqasje e tillë do godiste jo pak dollarin!

Në realitet, një veprim i tillë mbart rreziqe të mëdha dhe nuk përputhet me strategjinë aktuale të Kinës. Kjo është theksuar nga Michael Hirson, drejtuesi i praktikës së Kinës në firmën e konsulencës Eurasia Group, i cili më herët ka shërbyer si përfaqësues kryesor i Thesarit të SHBA në Pekin.

“Ne jemi qartazi në një cikël shkallëzimi,” tha Hirson. “Por unë mendoj se motivimi kryesor aktual i Pekinit në luftën tregtare është të jetë në gjendje t’i rezistojë presionit nga Trump.”

Në këtë drejtim, ndërhyrja tek letrat me vlerë të thesarit të SHBA-së mund të ishte kundërproduktive. Nëse Pekini fillon sulmin ndaj obligacioneve amerikane, ai do të ketë nevojë për të mbrojtur monedhën e vet gjithashtu. Ekspertët mendojnë se Kina do të përpiqet të krijojë një rënie të kontrolluar të juan-it në muajt e ardhshëm, duke e lejuar atë të ushtrojë presion mbi ekonominë por pa nxitur një eksod të kapitalit nga vendi.

Një pengesë tjetër, që do e ndalte Pekinin lidhet me faktin se kjo do dëmtonte  Kinën për të tërhequr investime të huaja në tregjet e kapitalit dhe bonove të saj.”Duhet që të ketë hyrje të huaja për të mbajtur nën kontroll monedhën vendase gjatë luftës tregtare,” tha Hirson. “Nëse Kina amortizon pasuritë e Thesarit, ajo thjesht po dërgon një mesazh shumë alarmant për investitorët globale.”

Ekziston edhe pyetja nëse një ndërhyrje e tillë do t’i godiste Shtetet e Bashkuara në një mënyrë të vërtetë. Setser shprehet se është skeptik. Ai e arsyeton duke thënë: “Në momentin kur fillon të ketë një ndikim të madh negativ mbi SHBA, FED do reagojë me siguri!”

Në një raport para Kongresit në vitin 2012, Departamenti i Mbrojtjes theksoi se Rezerva Federale është “plotësisht e aftë” për të blerë Thesaret e SHBA që Kina emeton në treg, sepse vetëm kështu pasojat ekonomike mbahen nën kontroll, por me sa duket shumë vite kanë kaluar dhe ende paqartësia nuk është zbehur.

Obligacionet gjermane dhe japoneze zakonisht do të ishin një mundësi, por ato, edhe në rastin më të mirë ofrojnë kthim zero. Një rendiment prej 1.63% në letrat 10-vjeçare me vlerë të SHBA-së duket shumë më mirë sesa kthimi negativ prej 0,59% tek obligacionet ekuivalente gjermane, i cili shënoi një tjetër rekord të ulët të mërkurën. Kjo do të thotë të paguash në mënyrë efektive qeverinë gjermane për privilegjin e huadhënies ndaj saj. Gjithësesi kërcënimi i Kinës mbetet në tryezë, megjithëse aspak me përfitim!

/ Përshtatur nga: CNN Business

Leave A Reply

Your email address will not be published.