The news is by your side.

Gjipali: politikat e zgjerimit në BE më tepër frenuese sa sa nxitëse


Në kuadër të diskutimit rreth Bashkimit Europian dhe ndikimit të tij, puntata e kaluar e emisionit Ekopolitikë ka sjellë si të ftuar në panel edhe Gledis Gjipalin, i cili ka dhënë opinionin e tij rreth procesit të integrimit dhe përfitimeve reale si shtet.
Ai është shprehur se antarësimi në Bashkimin Europian ka padyshim përfitime të shumta që shkojnë përtej thjesht asistencës infrastrukturore apo subvencioneve. Sigurisht që duke mos njohur të ardhmen, apo duke mos ditur me saktësi në cilin vit do të ndodhë antarësimi dhe cila do të jetë atëherë gjendja e Shqipërisë dhe Europës , në përfundime të tilla arrihet duke analizuar vendet që janë antaresuar më herët. Duke analizuar historikun, zgjerimet rezultojnë të suksesshme.
Sipas Gjipalit integrimi në Bashkimi Europian do t’i sillte vendit zhvillime të shumëfishta në ekonomi, dhe forcim të demokracisë dhe shtetit ligjor. Megjithatë, për vendet me të kaluar komuniste dhe regjime totalitare, si ky i yni, edhe pas integrimit, hasen problematika. Për të provuar këtë përfundim ai ka sjellë si shembuj rastet e Hungarisë dhe Polonisë, si vende të suksesshme nga pikëpamja ekonomike por kur bie fjala tek progresi demokratik, vitet e fundit tek të dyja këto vende vërehen hapa mbrapa.
Megjithatë për këtë situatë bie në sy edhe përqasja e anasjelltë. Gjermania Lindore nga ana tjetër për shembull, sipas Gjipalit është një rast atipik. Ajo pati bashkimin ndoshta më të shpejtë me unionin, që ndodhi brenda natës dhe kaloi tranzicion më të shkurtër se vendet e tjera. Demokratikisht shfaqi progres shumë të lartë por sot, edhe pas kaq vitesh ndihet qartazi diferenca ekonomike me pjesen tjetër të Gjermanisë.
I pyetur pse shtete si Greqia apo Spanja u antarësua edhe pa qënë plotësisht gati, ndërkohë që sot vendet e Ballkanit mund edhe të jenë ndoshta gati por antarësimi ende nuk po ndodh, Gjipali ka shprehur pikëpamjen e tij. Ai mendon se vende të tilla si Greqia, Portugalia apo Spanja vërtet paten regjime ushtarake dhe ndoshta nuk ishin plotësisht gati, por integrimi iu solli atyre zhvillim paralel. Një pjesë ndikimi këtu kanë edhe politikat e BE, pasi sipas Gjipalit, sot vendimet politike janë më tepër frenuese për zgjerimin, se sa nxitëse të tij.
Europa ka ndryshuar dhe historia e tranzicionit është ndryshe, thekson ai. Vendet kanë fajet e tyre për zhvillimin politik dhe ekonomik që përjetojnë, madje kjo provohet plotësisht në rastin e Shqipërisë. Ajo ka qënë ndoshta ndër të parat shtete që ka vendosur marrëdhëniet për negociatat me BE, nuk ka pasur konflikte etnike apo luftra të ashpra si tek vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por gjatë këtij procesi vendet e rajonit kanë shfaqur më teper progres duke parakaluar zhvillimin. Ekonomia, korrupsioni, detyrat e paplotësuara dhe gjithçka tjetër janë tregues të problematikave të brendëshme në këtë proces të gjerë dhe kompleks.

Leave A Reply

Your email address will not be published.