The news is by your side.

Gjika: E ardhme e pasigurt! Mbi 80% e porosive të fasonëve shqiptarë eksportohen në Itali

Nga cikli: “Ekspertët thonë:”

Industria fasone është gjithashtu një tjetër sektor me peshë të rëndsishme në ekonomi. Mbi 70 mijë punonjës shqiptarë janë të punësuar në këtë sektor, por si paraqitet gjendja e tij tani që ekonomia ka marrë një goditje të fuqishme nga përhapja e Coronavirusit. Për të folur për këtë ndikim dhe sfidat me të cilat sektori përballet aktualisht, ka folur për “Ekopolitikë” Gjergji Gjika, kreu i Dhomës së Fasonistëve shqiptarë. Ai ka thënë:

“Situata e sektorit në vendin tonë është pak më specifike, sepse ne jemi të varur tërësisht nga urdhërat e punës dhe nga porosia e huaj. Mbi 80% e eksporteve tona janë të destinuara drejt Italisë, tashmë vendi më i ekspozuar ndaj Coronavirusit në Europë dhe i dyti pas Kinës, e cila në vetvete është furnizues kryesor i këtij vendi. Pra sektori ynë është jashtëzakonisht i prekur. Ditë pas dite ne po marrim njoftime nga partnerët tanë të huaj që porositë po mbyllen dhe po anulohen, madje tani nuk ka më porosi as për këpucë dhe as për veshje.

Aktualisht më i miri i sektorit ka punë edhe për rreth 3-4 javë e jo më vonë se aq, por asnjë prej tyre nuk është i sigurt as për këtë punë, nëse do e dorëzojë, pasi është problem më vete edhe eksporti dhe lëvizja e mallrave. Madje edhe nëse dorëzohet, askush nuk është i sgurt nëse do marrë pagesën për këtë punë.

Ne kemi një informacion qarkullues mes prodhuesve shqiptarë se nga dita në ditë, edhe kontratat e mëparshme vazhdojnë të anulohen. Ne kemi pasur këtu njerëz që prodhonin edhe për Dior, por që nesër kompania nuk prodhon më, ndaj po u mbyllën gjigandët e mëdhenj është e kuptueshme çfarë ndodh me të tjerët.

Eshtë i gjithi një proces zinxhir. Nuk ka shitje dhe kur kjo ndodh nuk ka arkëtime. Po nuk pati arkëtime, nuk ka porosi të reja dhe po nuk pati porosi të reja nga jashtë, nuk ka më punë këtu në Shqipëri për ata 70 mijë punonjës.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.