The news is by your side.

Fytyra të ndryshme por politika të njëjta, nevojitet një alternativë reale

Nga Klodian Muço

Përgjatë 2019 rritja ekonomike e vendit u “frenua” në mënyrë të ndjeshme. Institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore kanë rishikuar në ulje projeksionet për përformancën ekonomike të vendit tonë. Rritja ekonomike për 2019 pritet që të jetë 2.9% ndërsa për vitet në vijim nuk do të kalojë 3.5%.

Shkaqet e “frenimit” të rritjes ekonomike janë reformat ekonomike jo efiçiente. Raporti i fundit i “Doing Business” nxori edhe njëherë në pah arrogancën dhe “urrejtjen” që administrata publike ka ndaj biznesit të vogël që njihet edhe si shtylla e ekonomisë së vendit. Heqja e vëmendjes së qeverrisë nga biznesi i vogël po “vret” entuziazmin e këtyre të fundit. Ndër vite politika ekonomike të çon të mendosh se orientohet vetëm për të kënaqur interesa të ngushta duke shkaktuar kështu tensione evidente që lindin nga pakënaqësia e elektoratit i cili “ushqen” fenomene si abstenimi.

Sipas shumë ekspertëve modeli ekonomik i vendit është i ndërtuar mbi një “rreth vicioz”, me një sektor privat që jo gjithmonë është dinamik e nuk prodhon mjaftueshëm vende pune. Në këtë kontekst, sektori publik është më atraent për punëtorët sesa ai privat. Është e vështirë për punëdhënësit privatë për të tërhequr dhe mbajtur punëtorë të kualifikuar, pasi kushtet e punës në sektorin publik konsiderohen shumë më të mira. Problemi kryesor i këtij fenomeni “të lashtë” po aq sa edhe tranzicioni ekonomik i vendit është se rritja ekonomike nuk gjeneron mjaftueshëm vende të reja pune për shkak të limitimit të sektorëve privatë të rinj. Pa harruar këtu “humnerën” që ekziston ndërmjet kompetencave të sapo diplomuarve dhe kërkesave të sipërmarrësve. Kurrikulat universitare jo rrallë herë hartohen nga profesorë që nuk kanë punuar kurrë në biznes privat dhe nuk kërkojnë sugjerime nga sipërmarrësit.

Në vitet e fundit, rritja e punësimit në vend shpesh ka ardhur si pasojë e “fryrjes” së administratës publike dhe luftës ndaj informalitetit kjo reflektohet më së miri te rënia e produktivitetit në vitet e fundit. Punësimet e reja private kanë ardhur kryesisht nga vetëpunësimi por kjo e fundit shpesh është një shembull tipik i varfërisë. Varfëria vërehet më së miri edhe nga një sërë treguesish të tjerë si: nëse në vendet e BE-së, 48% e GDP-së shkon për rroga, në Shqipëri vetëm 18% e GDP-së shkon për rroga. Jemi vendi i fundit në Ballkan përsa i përket produktivitetit.

Vërtet në Shqipëri kemi rrogën mesatare më të ulët në rajon, 419 euro kur mesatarja e BE-së është 1756 euro, nga ana tjetër kosto për njësi për shumë produkte është shumë më e lartë në Shqipëri se në çdo vend tjetër.

Renditemi të parët në Ballkan për numrin e të punësuarve në sektorin bujqësor dhe për peshën që zë ky sektor në GDP.

Renditemi ndër të fundit në Europë për inovacionin kjo edhe për faktin se në Shqipëri vetëm 1.1% e ndërmarrjeve kanë mbi 50 të punësuar.

Përsa u përket shkëmbimeve në CEFTA lëmë mbrapa vetëm Kosovën. Në një treg ku shkëmbimet tregtare vlerësohen rreth 50 miliardë dollar, mbi 50% e këtyre e shkëmbimeve kanë lidhje me Serbinë ndërsa ne kemi një përqindje shumë të ulët.

Për të “zgjidhur” problemet e rritjes dhe zhvillimit ekonomik ndër vite, qeveritë e ndryshme shqiptare kanë përdorur politika keynesiane, duke rritur shpenzimet për investime publike dhe për rrogat, këto veprime kanë shkaktuar deri diku rritje ekonomike por nga ana tjetër, kanë çuar borxhin publik në nivelet e papërballueshmërisë.

Qeveritë e djathta dhe të majta në Shqipëri historikisht kanë marrë edhe financime nga jashtë, për të rritur investimet publike ku sipas tyre kjo do të gjeneronte zhvillim dhe rritje konsumi. Këto investime nuk gjeneruan të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar investimin dhe nuk e justifikuan koston e tyre. Për këtë arsye, ekonomistët ortodoksë apo neoliberistët thonë se zgjidhja e vetme në të tilla raste por jo vetëm, janë investimet private, ato janë shumë të rëndësishme për të rritur prodhimin dhe punësimin.

Nisur nga faktet e mësipërme por jo vetëm mund të them me bindje se nevojitet një alternativë e re për të bërë të mundur futjen e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit.

Një vend që nuk zhvillohet ekonomikisht është një vend që gjeneron në mënyrë të vazhdueshme papunësi, emigracion, ngjall pakënaqësi, rebelim dhe ka nevojë për ndryshim.

Në të tilla kushte nevojiten vendime kurajoze dhe stimuj për bizneset që gjenerojnë punësim dhe reduktim drastik të shpenzimeve publike inefiçiente. Pra alternative e re është çështje mendësie, këndvështrimi tjetër dhe vizionit për të ardhmen.

Një mendësi e re do mund ta niste nga reduktimi i ndjeshëm i presionit fiskal dhe thjeshtimit të tij, jemi vendi me më shumë taksa në rajon. Rikuperimi i të ardhurave të munguara nga ulja e taksave do të gjenerohej nga lufta ndaj evazionit fiskal dhe nga rritja e investimeve.

Misioni i kësaj alternative të re do të ishte mbrojtja e pronës publike, pronës private dhe të interesave të qytetarit.

Kjo alternativë e re mund të implementojë për herë të parë një sistem për të matur talentin. Nëse nuk kemi një sistem të tillë, atëherë nuk ka sesi të ekzistojnë stimuj për t’u bërë. Kjo nismë do të çonte në reduktimin e inefiçiencës së administratës publike apo të burokracisë. Burokracia dhe paaftësia e administratës publike frenojnë zhvillimin e aktiviteteve sipërmarrëse.

Një klasë e re politike vizionare do të rrisë investimet në arsim dhe do të reduktojë numrin e IAL-ve. Investimi me impaktin më të lartë në rritjen ekonomike është ai në arsim. Prandaj themi se zhvillimi ekonomik i një vendi është çështje vizioni, jo misioni.

Një alternativë e re mund të çonte po ashtu në riorientim të investimeve publike drejt rritjes së produktivitetit. Për të bërë të mundur këtë gjë nevojitet stimulimi i bizneseve të mëdha me shumë të punësuar që të rrisin investimet në kapital human.

Një klasë e re politike vizionare do të kërkojë të stimulojë kërkesën për ta bërë të mundur këtë gjë, do të stimulojë rritjen e të ardhurave reale dhe optimizmin për të nesërmen.

Mbi të gjitha do të mund të reduktojë shpërdorimet e kapura nga KLSH-ja (rreth 800 milionë euro për 2018 apo sa 1/5 e buxhetit) dhe do të reduktojë dëmshpërblimet për heqjet e pa drejta nga puna, të cilat për 2018 kapën vlerën e 85 milionë euro.

Pra të zhvillosh ekonomikisht një vend si Shqipëria nuk është mision i pa mundur, është çështje vizioni.

Leave A Reply

Your email address will not be published.