The news is by your side.

Frenohet ekonomia shqiptare- rritja vetëm 2.31%

Parë nga këndvështrimi ekonomik dhe jo vetëm, rritja ekonomike është një ndër treguesit më të diskutuar për ecurinë e një vendi, qoftë ajo e shprehur si shëndet i ekonomisë, efektivitet i politikave apo qeverisje e suksesshme. Ky tregues është një nga vlerësuesit bazë dhe ndodh atëherë kur vlera e tregut të produkteve dhe shërbimeve në një ekonomi rritet në një periudhë të caktuar, krahasuar me një periudhë tjetër.

Zakonisht, rritja ekonomike matet duke ekzaminuar GDP-në e një ekonomie, pra Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë një periudhe kohore të caktuar. Megjithatë, për shkak të inflacionit, ekonomistët dhe analistët shpesh preferojnë ta përllogarisin rritjen ekonomike me dy forma kryesore, ndryshimit vjetor në GDP-në reale dhe ndryshimi në përqindje i GDP-së për frymë.

Sipas institutit shqiptar të statistikave, INSTAT, në vitin 2018, sipas vlerësimeve paraprake, ekonomia e vendit u rrit me 4.06%, duke u përshpejtuar në raport me 3.8% vitin e mëparshëm. Rritja ishte mbi 4% në tre tremujorët e parë, për shkak të performancës së energjisë, që rriti prodhimin e ndikuar nga moti me reshje, ndërsa në të katërtin, kur ishte thatësirë, treguesi u ul ndjeshëm në 3.1%.

Por, si paraqitet situata aktuale?

Duket se pavarësisht projeksioneve me pikëpamje optimiste rreth ecurisë së ekonomisë, realiteti paraqitet ndryshe. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e rritjes së tremujorit të dytë të vitit aktual, sipas të cilave theksohej se ekonomia shqiptare shënoi sërish një rritje të dobët për periudhën në fjalë.

Sipas të dhënave, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.31%, me një përmirësim shumë të lehtë nga rritja prej 2.21% e tremujorit të parë të po të njëjtit vit. Rritja ekonomike u frenua ndjeshëm nga tkurrja e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nga rënia e sektorit të ndërtimit. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë u mbështetet kryesisht tek aktiviteti tregtar dhe degët e tjera të shërbimeve, si telekomunikacionet dhe shërbimet financiare.

Gjithashtu po i njëjti burim thekson se, frenimi tek rritja ekonomike e dobët e periudhës aktuale, erdhi edhe si pasojë e përfundimit të punimeve të gazsjellësit TAP dhe HEC-it të Devollit. Projekti i gazsjellësit ka përfunduar punimet në pjesën dërrmuese të shtrirjes së tij dhe kjo është reflektuar edhe në rënien e investimeve në ekonominë shqiptare.

Nga ana tjetër, një kontribues po me kaq peshë tek rritja ekonomike e vendit ka qënë në periudha të mëherëshme edhe sektori i prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike në vend. Por, aktulaisht duket se ai është përballur me vështirësi të shumta. Ndryshimit të skajshëm në sasinë e prodhimit të energjisë elektrike, që sipas autoriteteve justifikohet me motin e thatë dhe mungesën e rreshjeve, ka bërë që energjia elektrike jo vetëm të mos kontribuojë në rritje, por  të ketë edhe efekt të kundërt, duke nxitur frenimin e saj. Për pasojë, frenimi i ekonomisë ka rezultuar edhe më i fortë se parashikimet, pasi në gjysmën e parë të vitit rritja e GDP-së pothuajse është përgjysmuar krahasuar me vitin e kaluar.

Si parashikohet e ardhmja?

Sigurisht përveç matjes së treguesit të rritjes ekonomike, edhe përllogaritjet paraprake janë gjithashtu shumë të përhapura. Organizatat ndërkombëtare dhe institucionet e politikave monetare publikojnë rregullisht raporte me projeksione të tilla.

Në një publikim të prillit të vitit aktual, për raportin e “Pasqyrës Ekonomike Globale”, Fondi Monetar Ndërkombëtar e kishte projektuar rritjen ekonomike të vendit në nivelin 3.8%. Por, në në korrigjim të mëvonshëm, nga i njëjti burim rezulton se deri në fundin e 2019-ës ekonomia e vendit do të rritet me 3.7%.

Bazuar tek të dhënat e INSTAT, për gjysmën e dytë të vitit shpresat për një përmirësim tek ecuria ekonomike janë edhe më të larta. Kjo për shkak të pasojave ekonomike të sezonit turistik, por edhe për shkak të efektit të motit tek sektori i prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë e gjitha mbetet për t’u parë!

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.